Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Cilat janë synimet strategjike të Perëndimit në Luftën e Ukrainës?

Në rast se Ukraina do të mbizotërojë, trajtimi i Rusisë nga Perëndimi dhe qëndrimi i saj ndaj Jugut Global gjatë rindërtimit të Ukrainës do të përcaktojë nëse rezultati i luftës do të shërbejë si pikënisje për përparimin global drejt një multilateralizmi më gjithëpërfshirës dhe të barabartë. Në rastin më të keq, Perëndimi do të ketë një fitore pirroike që përfundon në forcimin e autokracisë dhe thellimin e mëtejshëm të ndarjeve globale

Lufta e Ukrainës dhe reagimi i botës ndaj saj do të jetë një faktor vendimtar në formësimin e rendit global politik dhe ekonomik në dekadën e ardhshme. Në veçanti, veprimet, narrativat dhe planifikimi i aleatëve perëndimorë në lidhje me Rusinë dhe rolin e Jugut Global në rindërtimin e pasluftës të Ukrainës do të tregojnë se cilat janë qëllimet e tyre strategjike afatgjata. A dëshiron Perëndimi thjesht ta shohë Rusinë të mundur dhe NATO-n të zgjerohet dhe të forcohet, apo a mund të parashikojë një “fitore” në Ukrainë që hedh themelet për një botë në të cilën demokracia është më e sigurt dhe qeverisja globale më gjithëpërfshirëse dhe efektive?

Ndërsa rezultati i luftimeve mbetet i pasigurt, synimet strategjike të Perëndimit, veçanërisht se si synon ta trajtojë Rusinë në rast se Ukraina do të mbizotërojë, do të ketë pasoja të mëdha. Pyetja e madhe është nëse aleatët do të kërkojnë të ndëshkojnë Rusinë në tërësi duke imponuar dëmshpërblime të rënda ose në vend të kësaj do të synojnë regjimin autokratik të presidentit Vladimir Putin në një mënyrë që të kufizojë barrën e vendosur mbi popullin rus.

Në fillim të luftës aleatët perëndimorë theksuan se mbrojtja e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe demokracia ishin objektivat e tyre parësore. Në fund të pranverës disa strategë dhe zyrtarë amerikanë mbrojtën dobësimin e përhershëm të Rusisë si një qëllim strategjik, megjithëse nuk është e qartë nëse ky do të ishte ende një objektiv në rast të ndryshimit të regjimit në Rusi.

Ndërsa çdo zgjidhje e përgjithshme e konfliktit të Ukrainës duhet të kërkojë që Rusia të mbajë një pjesë të barrës së rindërtimit që rezulton nga një luftë që ajo filloi, ashpërsia e kushteve të vendosura ndaj popullit rus do të ketë pasoja politike. Sa më të ashpra të jenë kushtet, aq më shumë gjasa do të ketë që Rusia të përqafojë Kinën edhe më nga afër, në mënyrë që një bllok i ngushtë kino-rus të bëhet pjesë e rendit gjeopolitik të pasluftës.

Efekti i një aleance të tillë nuk duhet nënvlerësuar. Ndërsa Kina do të ishte qendra e gravitetit të bllokut, PBB-ja relativisht e vogël e Rusisë (e cila është më e vogël se ajo e Italisë) nuk duhet të bëjë që të shpërfillen aftësitë shkencore të vendit, madhësinë e arsenalit të saj bërthamor, pasurinë e saj me burime natyrore dhe rëndësinë strategjike të territorit të saj të gjerë.

Duke ndjekur masa që trajtojnë popullin rus ndryshe nga Putini dhe autokracia e tij, demokracitë e botës mund të shpresojnë të parandalojnë një rezultat afatgjatë në të cilin Rusia do të "humbet" për ta. Ndalimi i të gjithë rusëve nga hyrja në Bashkimin Evropian, siç propozojnë tani disa politikëbërës, është lloji i masës që do ta shtyjë vendin drejt Kinës. Dhe ndarja e botës në mënyrë mashtruese në demokraci dhe autokraci vjen nga i njëjti doracak joefektiv, polarizues. Kur kemi të bëjmë me diktatura si ajo e Putinit, një element kyç i çdo strategjie të suksesshme diplomatike është të bëhet dallimi midis liderëve politikë dhe qytetarëve të zakonshëm.

Vërtet fuqia e vetos së Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së e bëri të pamundur që OKB-ja të luante një rol koordinues në kundërshtimin e agresionit rus në Ukrainë. Por aleatët perëndimorë që morën përsipër këtë detyrë bënë pak përpjekje për të konsultuar Jugun Global në vendimmarrjen e tyre ose për ta përfshirë atë në procesin e planifikimit të pasluftës.

Sigurisht që është gjithashtu e vërtetë se pjesa më e madhe e Jugut Global abstenoi nga votimi për dy rezolutat kryesore të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënojnë Rusinë në mars. Por, Perëndimi duhet ta kishte pranuar se përgjigjja e vendeve në zhvillim ndaj luftës pasqyronte reflekse të vjetra dhe të rrënjosura thellë - domethënë, kujtesa e hidhur kolektive e kolonializmit evropian dhe kujtimet e mbështetjes së Bashkimit Sovjetik për shumë prej këtyre vendeve gjatë luftës për pavarësi.

Për më tepër, konferenca e Luganos e organizuar nga aleatët perëndimorë në fillim të korrikut për të nisur një platformë për rindërtimin e Ukrainës nuk përfshiu asnjë vend nga Jugu Global. Dikush mund të argumentojë se ky ishte kryesisht një takim donatorësh, por ai përjashtoi shtetet e pasura të Gjirit dhe përfshin vende të tilla si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, asnjëra prej të cilave nuk ka të ngjarë të jetë në gjendje të kontribuojnë.

Rindërtimi i Ukrainës do të kërkojë qindra miliarda dollarë. Kështu, kjo përpjekje rrezikon të devijojë ndihmën e konsiderueshme nga Jugu Global, i cili ende po përpiqet t'i bëjë vendet e pasura të përmbushin premtimin e tyre të kahershëm për të ofruar 100 miliardë dollarë në vit për të mbështetur zbutjen e ndryshimeve klimatike dhe përshtatjen në vendet më të varfra. Do të jetë gjithashtu interesante të shihet shkalla në të cilën rregullat e prokurimit për projektet e rindërtimit në Ukrainë do të lejojnë vendet në zhvillim jodonatorë të konkurrojnë në mënyrë efektive.

Por mund të mos jetë tepër vonë që Perëndimi të përfshijë Jugun Global - veçanërisht vende si India dhe Afrika e Jugut, të cilat kanë kapacitete të mira teknike në sektorë të caktuar - në rindërtimin e Ukrainës. Perëndimi duhet të përfshijë gjithashtu vendet në zhvillim në përcaktimin e rregullave në lidhje me sanksionet e mundshme të mbetura kundër Rusisë pas fazës së parë të një zgjidhjeje, si dhe rregulloret që rregullojnë asetet e ngrira ruse.

Në rast se Ukraina do të mbizotërojë, trajtimi i Rusisë nga Perëndimi dhe qëndrimi i saj ndaj Jugut Global gjatë rindërtimit të Ukrainës do të përcaktojë nëse rezultati i luftës do të shërbejë si pikënisje për përparimin global drejt një multilateralizmi më gjithëpërfshirës dhe të barabartë. Në rastin më të keq, Perëndimi do të ketë një fitore pirroike që përfundon në forcimin e autokracisë dhe thellimin e mëtejshëm të ndarjeve globale.

(Autori, ish-ministër i Çështjeve Ekonomike të Turqisë dhe administrator për Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, është bashkëpunëtor i lartë në Institutin Brookings. Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).

Artikuj të ngjashëm