OpEd

Perëndimi i kuptoi gabim sanksionet ndaj Rusisë

arvind subramanian, josh felman,

Veprimi i jashtëligjshëm ushtarak i Rusisë mund dhe duhet të kundërshtohet me anë të një përgjigjeje ekonomike parimore, efektive, të drejtë dhe ligjore. Perëndimi mund ta arrijë një përgjigje të tillë, duke i zëvendësuar sanksionet e saj aktuale me kufizime gjithëpërfshirëse dhe kolektive për eksportet e mallrave në Rusi

Perëndimi iu përgjigj pushtimit rus të Ukrainës me sanksione të peshës dhe shtrirjes së pashembullt. Bazuar në standardin e proporcionalitetit, reagimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe i aleatëve të tyre duket i përshtatshëm. Agresioni serioz ndërkombëtar kërkon përgjigje serioze. Por bazuar në standardet e konsistencës, efektivitetit dhe paanësisë, është më se qartë se Perëndimi ka zgjedhur strategjinë e duhur. Qeverive mund t’u duhet që ta rimendojnë konstruksionin e regjimit të sanksioneve.

Deri më tani, përshkrimi perëndimor është përqendruar në fuqinë e masave ndëshkuese. Ato e kanë shënjestruar tregtinë, duke i kufizuar eksportet e teknologjisë dhe importet e naftës dhe gazit rus; financat, duke i parandaluar transaksionet nga bankat e caktuara ruse; pronat zyrtare, duke e ngrirë pjesën më të madhe të rezervave valutore të Bankës Qendrore ruse; investimet e huaja, duke i shtrënguar firmat perëndimore që t’i ndërpresin operacionet në Rusi; dhe pasuritë personale, duke i shpronësuar zotërimet e oligarkëve dhe të zyrtarëve rusë.

Të shumtë janë ata që kërkuan sanksione edhe më të ashpra. BE-ja, për shembull, është duke u përpjekur aktualisht që të arrijë konsensus rreth heqjes dorë graduale nga importet e naftës ruse deri në fund të 2022-s, bazuar në justifikimin se pagesat për këto furnizime po e financojnë makinerinë e luftës së Kremlinit. Përderisa Rusia po i përshkallëzon sulmet e saj ndaj Ukrainës, edhe Perëndimi mbase do të duhet që ta përshpejtojë reagimin e tij.

Mirëpo, politikëbërësit duhet që së pari t'i përgjigjen pyetjes më themelore: A po i shërben përnjëmend strategjia aktuale e sanksioneve interesave të Perëndimit apo ka mënyra më të mira për ta arritur të njëjtin qëllim?

Në luftë, qëllimet mund t’i mposhtin mjetet. Kur mbijetesa e vet rendit ndërkombëtar është në rrezik, siç është tani, mund të duket sikur qëllimi është më i rëndësishmi. Por kur luftimet në Ukrainë të ndalen përfundimisht, mjetet që Perëndimi i ka përdorur do të kenë pasoja. Andaj, edhe në ekstrem, vendet që i mbështesin demokracinë dhe sundimin e ligjit duhet të orvaten për t'iu përmbajtur parimeve të caktuara.

Heqja dorë nga shpronësimi duhet të jetë parimi kyç, porse Perëndimi e ka shkelur këtë parim duke i sekuestruar rezervat zyrtare të huaja ruse, nëpërmjet pamundësimit të pretendimeve për mallrat dhe shërbimet perëndimore që Rusia i kishte siguruar në mënyrë legjitime me kalimin e kohës. Një konfiskim i këtillë retroaktiv është një prej llojet më të këqija të shpronësimit.

Konsekuencat e këtij vendimi mund të mos jenë të dukshme sot, por dëmi do të bëhet i dukshëm me kalimin e kohës. Vendet e tjera mund të jenë më pak të vullnetshme që të mbajnë rezerva në dollarë amerikanë apo euro, apo që të merren me bankat amerikane. Dhe disa vende të mëdha, siç është Kina, një ditë mund të tundohen që ta aplikojnë të njëjtën masë kundër SHBA-së, duke e përmendur shpronësimin aktual si precedent. Më gjerësisht, ngrirja e rezervave të huaja të Rusisë e ka dëmtuar besimin në vetë sistemin ndërkombëtar që Perëndimi synon që ta ruajë.

Ç’është e vërteta, sanksionet mbi aktivitetet tregtare dhe financiare ruse nuk janë retroaktive. Por e reflektojnë një diagnozë të gabuar.

Sanksionet perëndimore synojnë që t’i shkaktojnë dhimbje ekonomike Rusisë nëpërmjet privimit të saj nga inputet bazike dhe nga mallrat e konsumit. Rusia është prodhuese klasike e mallrave, me kapacitete relativisht të kufizuara prodhuese. Ajo eksporton naftë e gaz, përderisa importon inpute për t’i furnizuar fabrikat dhe mallrat e saja të konsumit për të kënaqur nevojat e popullsisë së vet. Sanksionet kanë për synim që në këtë mënyrë ta kufizojnë kapacitetin prodhues të Rusisë dhe kësisoj edhe aftësinë e saj për të zhvilluar luftë. Por, përpjekja për t’i frenuar mënyrat nëpërmjet të cilave Rusia mund të akumulojë valutë të fortë është një mënyrë theksueshëm indirekte për t’ia reduktuar vendit importet. Ka mënyra shumë më të drejtpërdrejta për ta arritur këtë synim: me anë të kufizimit të furnizimeve nga Perëndimi.

Bazuar në këtë strategji, Perëndimi do të vazhdonte që të blinte naftë dhe gaz nga Rusia, porse nuk do të ofronte ndonjë të mirë për kthim. Tanimë, SHBA-ja dhe BE-ja i kanë ndaluar eksportet në produktet e teknologjisë së lartë dhe me përdorim të dyfishtë, të cilat do të mund të përdoreshin nga ushtria ruse. Kjo listë duhet të zgjerohet për të përthekuar të gjitha eksportet. Dhe përpjekjet diplomatike duhet të përqendrohen në zgjerimin e numrit të vendeve që marrin pjesë në bojkotin e eksporteve. Për ta siguruar ligjshmërinë e saj, duhet thirrur në parimin e përjashtimit për shkaqe të sigurisë kombëtare të Organizatës Botërore të Tregtisë.

Natyrisht, Rusia edhe më tutje do të grumbullonte dollarë e euro, të cilat do të mund t'i përdorte për të paguar për importet nga vendet e tjera, siç është Kina. Porse Rusia nuk do ta kishte të lehtë që t’i ndërronte furnizuesit, ngase Evropa, SHBA-ja dhe aleatët e tyre aktualisht përbëjnë më shumë se 50-përqindëshin e importeve të vendit. Për shembull, prodhuesi francez i automjeteve “Renault” duket i gatshëm që të heqë qafe pjesën më të madhe të aksioneve të tij në “Avtovaz”, prodhuesi më i madh i automobilave në Rusi, dhe të ndalojë furnizimin e tij me pjesë dhe makineri. Ridizajnimi i veturave të prodhuesit “Lada” dhe të linjave të tij të montimit do të marrë kohë dhe të shpenzojë burime, teksa në ndërkohë, prodhimi do të ndalet.

Rusia mund padyshim të përgjigjet, duke u përpjekur që t’i importojë mallrat perëndimore nga furnizuesit e vendeve të treta. Por përsëri, kjo nuk do të ishte e lehtë. SHBA-ja e ka një sistem të monitorimit të këtillë të devijimeve, dhe veçse ka paralajmëruar vendet e tjera se do të “përdorë forcën e plotë të ligjit për t’i mbajtur përgjegjës të gjithë ata që me dijeni i shkelin rregullat e reja”.

Rusia mund njashtu ta shqyrtojë mundësinë e ndaljes së ekspertëve të saj të naftës dhe gazit. Por në fund të fundit, ky veprim do të ishte larg më i rrezikshëm për interesat e saj strategjike. Tekefundit, nëse ndalon që të akumulojë valuta të huaja, atëherë nuk do të ishte në gjendje që të importonte ndonjë gjë prej asnjë vendi.

Krahas efikasitetit, kalimi në një strategji sanksionesh të bazuara në furnizim do të kishte tri avantazhe të tjera. Së pari, kufizimi i eksporteve në Rusi – të cilat numërojnë vetëm pjesë të vogël të eksporteve evropiane dhe amerikane, si dhe një hise më të vogël të prodhimit – do të reduktonte kostot e sanksioneve për Perëndimin dhe do të ishte larg më pak shkatërrues për ekonominë globale, sesa ndërprerja e importeve të energjisë nga Rusia.

Së dyti, qasja e orientuar kah eksporti do t’i shpërndante kostot e sanksioneve në mënyrë më të drejtë. Barra do të zhvendosej nga konsumatorët evropianë të energjisë te një numër larg më i vogël i kompanive perëndimore që eksportojnë në Rusi, të cilat janë shumë më të afta që t’i përthithin kostot.

Dhe së fundi, kufizimi i eksporteve në Rusi do të rezultonte me një ndarje më të drejtë të barrës midis vendeve që vendosin sanksione. Qasja aktuale e favorizon Gjermaninë në kurriz të SHBA-së – por jo në kuptimin e qartë se Gjermania është ende në gjendje të importojë gaz nga Rusia. Arsyeja është se kompanitë gjermane mund të vazhdojnë që ta furnizojnë tregun rus, përderisa sanksionet financiare po e dëmtojnë besimin në tregjet financiare dhe në bankat amerikane, si dhe në vetë Qeverinë amerikane.

SHBA-ja e ka bartur barrën për Gjermaninë me qëllim që të merret me atë që është kryekëput një problem evropian. Faktikisht, Gjermania ia ka dalë që ta përmbysë epigramën e famshme të ish-sekretarit amerikan të Thesarit, John Connally, drejtuar Evropës se dollari është “monedha jonë, por problemi juaj”. Sanksionet e ndërlidhura me dollarin janë bërë problemi i Amerikës dhe zgjidhja për Gjermaninë.

Veprimi i jashtëligjshëm ushtarak i Rusisë mund dhe duhet të kundërshtohet me anë të një përgjigjeje ekonomike parimore, efektive, të drejtë dhe ligjore. Perëndimi mund ta arrijë një përgjigje të tillë, duke i zëvendësuar sanksionet e saj aktuale me kufizime gjithëpërfshirëse dhe kolektive për eksportet e mallrave në Rusi.

(Arvind Subramanian është anëtar i lartë në Universitetin Brown dhe bashkëpunëtor i shquar jorezident në Qendrën për Zhvillim Global. Josh Felman është drejtor i JH Consulting. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).