OpEd

Çfarë pason për multilateralizmin?

Anne-Marie Slaughter

Siç shkroi së fundmi Stewart Patricku i “Carnegie Endowment for International Peace”, “bota që Amerika e krijoi do të marrë fund”. Megjithëkëtë, qeverisja multilaterale do të vazhdojë. Patricku e përshkruan një sistem global dhe rajonal të qeverisjes të përbërë prej “mijëra organizatave ndërqeveritare, traktateve, aranzhimeve konsultative, organizatave rajonale dhe nën-rajonale, grupimeve shumëpalëshe, gjykatave e tribunaleve ndërkombëtare, organeve globale për përcaktimin e standardeve dhe rrjeteve transnacionale të korporatave, organizatave joqeveritare, ekspertëve dhe autoriteteve nën-shtetërore”. Nëse, si dhe nën udhëheqjen e kujt të gjithë këta aktorë do të mund të prodhojnë vendime të qarta dhe veprime efektive globale, kjo mbetet të shihet. Ama loja ka filluar

Anne-Marie Slaughter

Në fjalimin e javës së shkuar para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), presidenti amerikan, Donald Trump, pretendoi se u ka dhënë “fund shtatë luftërave të papërfundueshme” – një ekzagjerim ky i qartë, ndonëse administrata e tij ka ndihmuar në vendosjen e paqes në disa konflikte rajonale. Trumpi më pas e zhvoshku OKB-në për mungesë veprimi.

“Krejt çfarë ata duket se bëjnë është të shkruajnë letër me fjalë përnjëmend të forta e më pas të mos e ndjekin kurrë atë letër”, tha ai. “Janë fjalë boshe – fjalët boshe s’e zgjidhin luftën”.

Më dhemb ta pranoj se ai ka kryesisht të drejtë kur flet për rolin aktual të OKB-së në rrafshin e paqes dhe sigurisë. Siç ilustrojnë lufta në Ukrainë dhe shkatërrimi i Gazës dhe i popullit të saj, OKB-ja është impotente kur pesë vendet e përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit janë në kundërshti me njëri-tjetrin. Rusia dhe Kina e përdorin të drejtën e vetos në çdo përpjekje për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për pushtimin e përmasave të plota të Ukrainës, teksa Shtetet e Bashkuara e bllokojnë veprimin kolektiv global për t’i mbrojtur palestinezët dhe për të krijuar siguri të qëndrueshme për Izraelin dhe për një Palestinë në formim.

Trump foli edhe për “potencialin e jashtëzakonshëm” të OKB-së. Por askush nuk duhet të mashtrohet: politika e tij e jashtme bie haptas ndesh me letrën dhe frymën e Kartës së OKB-së. Ai është një realist i moçëm që, sikurse presidenti rus, Vladimir Putin dhe ai kinez, Xi Jinping, i vlerëson sovranitetin kombëtar dhe interesin vetjak përtej gjithçkaje tjetër. Nëse do që t’i pushtojë apo t’u ushtrojë presion ekonomik vendeve tjera, apo të shkatërrojë anije në ujëra ndërkombëtarë shkaku i transportimit të pretenduar të drogave të paligjshme, atëherë edhe do ta bëjë.

Çuditërisht, gjatë fjalimit të Trumpit, shumë liderë botërorë qeshën në momente të duhura dhe duartrokitën në kohë të duhur, duke e lajkatuar presidentin amerikan publikisht për t’ia përmirësuar vetes gjasat për të arritur marrëveshje me të, privatisht.

S’ka dyshim, SHBA-ja e ka shpërfillur Kartën e OKB-së edhe më herët, duke u përfshirë në luftëra me ndërmjetësim në mbarë botën gjatë Luftës së Ftohtë dhe, në rastin më të dukshëm, duke e pushtuar Irakun më 2003. Megjithëkëtë, rendi ndërkombëtar i sigurisë dhe i ekonomisë, i përcaktuar me rregulla, institucione dhe me procese, ekzistoi për t’i adresuar krizat globale dhe rëndon me shumë sukses. Me gjithë mangësitë e OKB-së, kthimi në politikën e ekuilibrit të fuqive të shekullit të nëntëmbëdhjetë, pa asnjë kufizim në përdorimin e forcës, do të ishte skenar shumë më i keq.

Andaj, çfarë është ajo që pason? Në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, shumë udhëheqës biznesesh dhe përfaqësues grupesh fetare, të instituteve të opinionit publik, të institucioneve arsimore dhe shkencore si dhe të filantropive u takuan për t’i diskutuar versionet të kësaj pyetjeje. Në dhjetëra takime në të gjithë qytetin u diskutuan ide se si mund të dukej një rend i ri ndërkombëtar.

Një prej mënyrave se si të mendohet për këtë aktivitet të çrregullt dhe të decentralizuar është ta krahasojmë me takime të ndryshme që ndodhën gjatë Luftës së Dytë Botërore, në prag të Konferencës së San Franciskos më 1945, e cila ia vuri themelet OKB-së. Bota e së sotmes është larg më komplekse: numri i vendeve anëtare të OKB-së pothuajse është katërfishuar dhe fushëveprimi i aktorëve joshtetërorë të aftë për veprim efektiv global është zgjeruar në mënyrë dramatike. Megjithëkëtë, shtytja vazhdon të mbartë rëndësi.

Mbështetës të kahershëm të reformës në OKB shohin dy mundësi të gjera për ndryshim. Njëra është rendi ndërkombëtar i organizuar dhe i prirë nga fuqitë e mesme – aktualisht, çdo vend që nuk është as superfuqi e as shtet i vogël. Opsioni i dytë, i cili mund të bashkëjetojë me rendin e fuqisë së mesme, është aranzhimi fleksibil dhe joformal, i krijuar nga koalicione të ndërthurura shtetesh e aktorësh joshtetërorë të përqendruar në kundërvënien e kërcënimeve dhe në ofrimin e ndryshimeve pozitive në nivele nënrajonale, rajonale dhe globale. Mendojeni këtë si një peshore mbivendosëse për një armadillo.

Në aspekt të menjëhershëm, përderisa diplomatët t’i iniciojnë veprimet vijuese pas Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, propozoj dy valë takimesh mes vendeve kyç për të përcaktuar se si bota mund t’i kryej punët e diplomacisë pa, apo në mënyrë paralele me, SHBA-në.

Takimet e para duhet të jetë mes Kinës, Japonisë, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Italisë, Kanadasë dhe Koresë së Jugut, të cilat së bashku e sigurojnë pothuajse 50-përqindëshin e buxhetit të përgjithshëm të OKB-së. SHBA-ja prej kohësh ka qenë financuesja më e madhe e OKB-së; hisja e saj në buxhetin e përgjithshëm të 2025-tës është vlerësuar në 22 për qind, apo rreth 820 milionë dollarë. Por organizata me gjasë do të marrë vetëm një fraksion të kësaj shume, si pasojë e urdhrit ekzekutiv të Trumpit që e mandaton rishikimin e financimit dhe të përfshirjes së SHBA-së në OKB.

Këto tetë vende kësisoj duhet ta shqyrtojnë mbajtjen diku tjetër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së gjatë disa vjetëve të ardhshëm, gjë kjo që do ta reduktonte ndikimin diplomatik të SHBA-së dhe do të siguronte që të gjithë delegatët të mund të marrin pjesë në sesionin vjetor. Kjo do të nënvizonte njashtu se, për dallim nga Trumpi, i cili e shprehur përbuzjen e tij për “globalizmin”, shumica e qeverive botërore ende besojnë në rregulla që e kufizojnë sovranitetin kombëtar në shërbim të një përgjigjeje kolektive kundër kërcënimeve ekzistenciale.

Si financuesja e dytë më e madhe e OKB-së, Kina mund të përpiqet ta organizojë Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Pekin. Por një skenar më i mundshëm do të jetë zhvillimi i takimeve në mënyrë rotative mes qyteteve ku ndodhen selitë e ndryshme të OKB-së dhe të organizatave rajonale: Gjeneva (selia evropiane e OKB-së), Brukseli (e Bashkimit Evropian), Xhakarta (e ASEAN-it), Addis Ababa (e Unionit Afrikan), Riad (Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit) dhe Montevideo (Mercosur).

Liderët e G20-tës, pa Kinën, Rusinë dhe SHBA-në, duhet të takohen gjithashtu. Ky grup i fuqive të mesme – Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia, Kanadaja, Japonia, Koreja e Jugut, Australia, Indonezia, India, Arabia Saudite, Turqia, Afrika e Jugut, Brazili, Meksika, Argjentina, BE-ja dhe Unioni Afrikan – mund të ndërmarrë hapa, siç nënvizuan Daniel D. Bradlowi dhe Robert H. Wade, për ta bërë G20-tën më përfaqësuese. Rreth 170 vendet që nuk janë anëtare të G20-tës mund të mos jenë të vullnetshme ta miratojnë zgjerimin e fushëveprimit të tyre, por grupi mund ta rrisë llogaridhënien e tij karshi komunitetit global.

Siç shkroi së fundmi Stewart Patricku i “Carnegie Endowment for International Peace”, “bota që Amerika e krijoi do të marrë fund”. Megjithëkëtë, qeverisja multilaterale do të vazhdojë. Patricku e përshkruan një sistem global dhe rajonal të qeverisjes të përbërë prej “mijëra organizatave ndërqeveritare, traktateve, aranzhimeve konsultative, organizatave rajonale dhe nën-rajonale, grupimeve shumëpalëshe, gjykatave e tribunaleve ndërkombëtare, organeve globale për përcaktimin e standardeve dhe rrjeteve transnacionale të korporatave, organizatave joqeveritare, ekspertëve dhe autoriteteve nën-shtetërore”. 

Nëse, si dhe nën udhëheqjen e kujt të gjithë këta aktorë do të mund të prodhojnë vendime të qarta dhe veprime efektive globale, kjo mbetet të shihet. Ama loja ka filluar.

(Anne-Marie Slaughter, ish-drejtore për planifikim politikash në Departamentin amerikan të Shtetit, është drejtore ekzekutive në organizatën e matjes së opinionit publik “New America”, është profesoreshë emeritus në lëndën e Politikës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Princeton dhe autore e librit “Renewal: From Crisis to Transformation in Our Lives, Work, and Politics”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).