OpEd

Bac, u kthynë!

Edhe pse në diplomaci aspak nuk preferohet një qasje e tillë, unë do t'ia lejoj vetes një zhytje të thellë në ujërat konspirativë dhe të them se kjo po që ishte e lansuar mu tash në këtë moment nga Evropa dhe nga vetë "deep state-i” amerikan. Nuk mund të lejonin që të ndodhte një fiasko e tillë me këto bisedime dhe marrëveshje ku do të mund të lëkundeshin themelet e qetësisë dhe paqes në Ballkan, pasi që çdo gjë thuajse doli në shesh, se edhe ndarja e Kosovës do të mund të ishte si pjesë e bisedimeve në tryezë dhe mënyra sesi Grenelli e kishte organizuar të tërën dhe kërkesat e tij ndaj palëve, e vendosën palën kosovare në një pozitë të lënduar dhe të disfavorshme në tavolinën negociuese. Investimi amerikan dhe ai evropian 20-vjeçar mund të viheshin në rrezik dhe në shërbim të interesave ruse dhe kineze në rajon

"Ballkani prodhon më shumë histori se që mund të konsumojë", këto fjalë të thëna nga Winston Churchill mbesin aktuale gjithnjë dhe janë vetë ngjarjet të cilat e mbështesin atë.

Brenda vetëm 1 jave patëm aq shumë zhvillime dhe kabllogramet diplomatike nuk kishin të ndalur.

Sigurisht se gjatë dy vjetëve të fundit nëpër rrugëtimin dhe memoaret e mia diplomatike kemi ndarë shumë ngjarje të rëndësishme së bashku. Unë jam munduar që me gjithë qenien time t’i ndaj, t’i shpjegoj ngjarjet, situatat dhe ndodhitë duke e vënë në funksion gjithë "përvojën dhe kredibilitetin tim diplomatik", në mënyrën që lexuesit të Ditarit tim t'ia sqaroj në mënyrën sa më të thjeshtë dhe të kapshme të gjitha situatat e koklavitura politike dhe diplomatike të mbështjella nga zhargoni i tyre gjithashtu i koklavitur dhe aspak i thjeshtë.

Ditët e javës të cilën e lamë pas do t’i kujtojmë edhe për zgjedhjet e mbajtura në Serbi, të cilat opozita serbe i bojkotoi. Aleksandar Vuçiq doli fitues nga to, me më se 63% të votave, i pasuar nga Ivica Daçiqi, me 10% të tyre. Presidenti Vuçiq e konsolidoi edhe njëherë pozitën e tij të "pakontestueshme" politike në vend. Para se të nisej për në takimin e "marrëveshjes historike" me Kosovën në Washington DC ai do të udhëtonte për në Moskë për t’i marrë udhëzimet e fundit drejtpërdrejt nga Putini. Të vetmin urim nga Bashkësia Evropiane për fitoren e tij me një përqindje kaq të madhe votash (përkundër faktit se vetëm 30% e votuesve kishin dalë në votim) ai e mori nga presidenti i Hungarisë, Orban, i cili në fakt është i vetmi prototip tjetër i një presidenti, i cili me demokracinë dhe zgjedhjet luan në ndesh me rregullat e Bashkësisë Evropiane, edhe pse Hungaria është njëra nga anëtaret e saj.

Më duhet që ta bëj një digresion të vogël dhe t'ua përkujtoj kabllogramet e mia të mëhershme diplomatike nga Ditari im, ku kisha sqaruar se BREXIT-i do ta linte Bashkësinë Evropiane mjaft të lënduar me largimin e një prej anëtarëve më të fortë të saj dhe më të rendësishëm në skenën politike globale, largimin e Mbretërisë së Bashkuar nga gjiri i Unionit Evropian. Ky dobësim në muajt e fundit do të pasohej edhe me mënyrën se si u menaxhua pandemia e COVID-19 në nivelin e Bashkësisë Evropiane. Ajo mbeti e akuzuar nga Spanja, e sidomos nga Italia, për neglizhencën e saj ndaj këtyre dy shteteve të Unionit, të cilat u prekën dhe e pësuan nga pandemia mjaft keq. Muajve të fundit jemi gjithashtu dëshmitarë të asaj se në arenën ndërkombëtare politike, heshtat politike kishin filluar të thyheshin edhe ndërmjet partnerëve tradicionalë transatlantikë, Amerikës dhe Evropës. Administrata amerikane, në krye me presidentin Donlad Trump, u tregua shumë e ngathët në politikëbërjen e jashtme të shtetit, aq sa që arriti t’i acarojë marrëdhëniet me aleatin e saj më të vjetër dhe më të natyrshëm politik, Evropën Perëndimore.

Javën që e lamë pas, po ashtu ishim dëshmitarë se si LDK-ja e përjashtoi nga radhët e saj udhëheqëse personin që ata e nominuan për kryeministre në zgjedhjet e fundit të 6 tetorit 2019, zonjën Vjosa Osmani, kryetaren e Parlamentit të Kosovës. Pas një morie sulmesh nga më të ulëtat, të bëra dhe orkestruara ndaj saj edhe nga vetë presidenti Hashim Thaçi, e edhe mediat sejmene të tija, ajo tash edhe u diferencua politikisht edhe nga vetë bashkëpartiakët e saj. Ideja e tyre ishte që pas eliminimit dhe lëndimit politik të cilin ia shkaktuan Albin Kurtit, kësaj radhe fatura për pagesën e mosdëgjueshmërisë politike kishte arritur te zonja Vjosa Osmani. Këto dy figurat më të votuara në Kosovë do të duhej të diskreditoheshin sa më shumë që të ishte e mundur para syve të opinionit publik. Në një proces tejet të dyshimtë dhe aspak demokratik ata, përfaqësuesit e Këshillit Drejtues së LDK-së, dërguan e-maila në Inbox-in e-mail-it të kryetarit të partisë së tyre, Isa Mustafa. I njëjti, në orën 19:00, do të tregonte se me një shumicë votash dhe me kërkesë të anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, zonja Vjosa Osmani do të shkarkohej nga pozita e nënkryetares së LDK-së dhe pozitave të tjera brenda partisë. Kaq sa i përket partisë më të vjetër institucionaliste kosovare të shndërruar në një klub privat pervers politik.

Data 27 qershor ishte caktuar si dita kur do të mbahej "takimi dhe marrëveshja historike" në Washington DC, ndërmjetësuar nga emisari i presidentit të SHBA-së, Richard Grenell, dhe dy palëve negociuese, Kosova dhe Serbia. Delegacionin kosovar do ta përfaqësonin presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Avdullah Hoti, ndërsa atë të Serbisë presidenti Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrja Ana Brnabiq. Ashtu siç e ceka më lart në Ditarin tim, heshtat politike ndërmjet administratës amerikane dhe bashkësisë evropiane po thyheshin edhe mbi raportet e shteteve ballkanike dhe përjashtimin indirekt të bashkësisë evropiane nga këto biseda nga administrata e Donald Trump, e etur për një storie "suksesi" ndërkombëtar, të cilën do t’ua shiste votuesve të saj si një tendencë për përmirësimin e saj të nëpërkëmbur, e mos të flasim për apetitet politike për rizgjedhje në pozitë të kryetarit të shtetit nga ana e Donald Trumpit dhe ambicieve të Richard Grenellit, që në administratën e radhës të emërohej sekretar i shtetit, si njeri i dëgjueshëm i Trumpit, çfarë edhe është.

Por, dje krisi bomba më e madhe e kabllogrameve të mundshme diplomatike në këtë situatë. Zyra për marrëdhëniet me publik e Dhomave të Specializuara të Gjykatës në Hagë i bëri publike aktakuzat për krime lufte ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit. Kjo do të ishte goditja e madhe ndaj këtyre bisedimeve dhe normalisht ndaj vetë presidentit Thaçi, i cili gjithashtu rishtazi filloi që Evropën ta nënçmonte publikisht me deklaratat edhe sjelljet e tij.

Edhe pse në diplomaci aspak nuk preferohet një qasje e tillë, unë do t'ia lejoj vetes një zhytje të thellë në ujërat konspirativë dhe të them se kjo po që ishte e lansuar mu tash në këtë moment nga Evropa dhe nga vetë "deep state-i" amerikan. Nuk mund të lejonin që të ndodhte një fiasko e tillë me këto bisedime dhe marrëveshje ku do të mund të lëkundeshin themelet e qetësisë dhe paqes në Ballkan, pasi që çdo gjë thuajse doli në shesh, se edhe ndarja e Kosovës do të mund të ishte si pjesë e bisedimeve në tryezë dhe mënyra se si Grenelli e kishte organizuar të tërën dhe kërkesat e tij ndaj palëve, e vendosën palën kosovare në një pozitë të lënduar dhe të disfavorshme në tavolinën negociuese. Investimi amerikan dhe ai evropian 20-vjeçar mund të viheshin në rrezik dhe në shërbim të interesave ruse dhe kineze në rajon. Kjo nuk mund të lejohej, sipas mendimit tim, dhe në skenarin e Quentin Tarantinos për vitin 2020, aktorët vendosën që t’i tërhiqnin penjtë e tyre të fundit për ndalimin e kësaj iniciative dhe fiaskoje diplomatike.

Siç edhe u prit pas ngritjes së kësaj aktakuze, por edhe jo të konfirmuar nga ana e gjykatësit të Hagës, Hashim Thaçi u detyrua që fluturimin e tij rrugës për në Washington DC ta anulojë dhe të kthehet për në Prishtinë. Sot në mëngjes e pashë edhe kabllogramin diplomatik zyrtar se edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, për shkak të situatës së krijuar nuk do të merrte pjesë në takimin e caktuar në Washington me datën 27 qershor.

Ashtu siç edhe e kam thënë më parë në Ditarin tim, e gjithë kjo nguti të rrëzohej Qeveria në kohë pandemie, të hiqeshin masat e reciprocitetit, të pranoheshin edhe kushte që Kosova të hiqte dorë edhe nga aplikimi në organizmat ndërkombëtare vetëm që të ulej e pabarabartë në këto bisedime për teke të Grenellit, nuk ishin aspak gjë të mençura se si ka vepruar kasta jonë politike. Vendimi i kryeministrit për mos të shkuar në Washington ishte i drejtë, mirëpo për hir të korrektësisë më duhet t'ua bëj këtë pyetje hipokritëve. A është tash ky antiamerikan që nikoqirëve ua la ushqimin në fyt me mosshkuarjen e tij në këto bisedime? Unë mendoj që nuk është njëjtë, si nuk ka qenë as Albin Kurti, mirëpo bisedimet me Serbinë në këto rrethana aspak nuk do të duhej të ishin prioritet i politikës kosovare. E mësuam këtë mësim në mënyrën më të rëndë të mundshme.

Ajo që do të duhej të ndodhte tash do të ishte që Hashim Thaçi të jepte dorëheqjen e tij, mandati i tij është në përfundim e sipër, gjykatësit mund t’i shkojnë 6 muaj derisa ai t’i vërtetojë akuzat ndaj tij dhe Kadri Veselit, mirëpo Kosova nuk mund të mbetet peng e asnjërit nga ta, ajo duhet të vazhdojë tutje. Qeveria do të duhej që gjithashtu te rrëzonte veten, pasi që edhe ashtu nuk përfaqëson kurrfarë kredibiliteti, duke qenë partner koalicioni me Aleksandar Vuçiqin, Vjosa Osmani ta marrë rolin e ushtrueses së presidentes së Kosovës, të formohet një qeveri mbipartiake e pashantazhueshme e Republikës së Kosovës deri në një palë zgjedhje të reja. Edhe LDK-ja do të duhej që të merrej me veten e saj, një reformim i saj i brendshëm është më se i nevojshëm për të mirën e saj e edhe të Kosovës. PDK-së i imponohet një gjë e tillë, deshën apo nuk deshën. VV-së i mbetet që ta menaxhojë rritjen e saj të radhës, e për partitë e tjera nuk ia vlen të shpenzoj hapësirë në Ditarin tim.

Për fund të përmbylljes së këtij Ditari, më lejoni të shtoj një pjesë të huazuar nga statusi i një mikeshe në Facebook, se është fakt se nuk po akuzohet Kosova, nuk po akuzohet as UÇK-ja, por individë të caktuar. Kosova nuk ka sulmuar shtet tjetër, aparati shtetëror i Kosovës nuk ka kryer GJENOCID mbi etni të tjera dhe krimet nuk janë pjesë e ndonjë platforme INSTITUCIONALE. Për këtë arsye, NUK KA SHANSE që të barazohet Kosova me Serbinë. E pse dikush nga banorët e Kosovës mund të ketë kryer krime, ajo është punë për gjykatat dhe problem ekskluzivisht I TYRE! As i imi, as i yti, as i Kosovës. Fjala është për FAJËSI INDIVIDUALE. Të pandehurit kanë emër e mbiemër. Çka ka lidhje dënimi i me shtetësinë e vendit? Asgjë… mbetet të shihet se po qe se akuzat vërtetohen nga gjykatësi dhe u shkohet deri në fund, a do të mbrohen në heshtje ashtu siç janë mbrojtur gjatë intervistimeve të tyre.