Shënime nga një udhëtim - nga Ohri në Tepelenë, duke kujtuar Johann Georg von Hahnin, Edith Durhamin dhe të tjerë, mes letrave të formatit A4 me thirrjen: “Kërkojmë punëtorë” ose “Jepet me qira”
1.
“Përshëndetje të përzemërta nga Liqeni i Ohrit, ku kemi arritur pas një udhëtimi madhështor nëpër një vend interesant. Trevë e mrekullueshme në kufi me Greqinë”. 91 vjet më parë shkrimtari zviceran Max Frisch, pasi vizitoi pjesë të tjera të Ballkanit, me këto fjalë informonte familjen e tij në Zürich mbi ecurinë e udhëtimit të tij. Ohri e Struga ende janë treva të mrekullueshme, por ka diçka që i bashkon këto qytete me Pogradecin e Korçën: gjithkund dominon një kërkesë, në dyqane, në restorante, është kërkesë me shkrim, e formuluar në një letër A4. “Kërkojmë punëtorë”, “kërkojmë punëtore”. Ikja masive e njerëzve, sidomos e të rinjve, vërehet kudo. Shpopullimi i Ballkanit tashmë ka pasoja dramatike. Në hotele (p.sh. në Tiranë) pastrueset e dhomave vijnë nga Filipinet apo nga Bangladeshi, po ashtu edhe ndonjë kamerier. Pjesa e vjetër e Korçës në një të mërkure në fund të gushtit duket si muze pa vizitorë. Shumë dyqane kanë mbyllur portat përgjithmonë, letrat A4 me shënimin “Jepet me qira” dominojnë vitrinat në rrugica si afishe që bëjnë thirrje për demonstratë.
2.
Më 1863 Ohrin e vizitoi Johann Georg von Hahni, i cili konsiderohet si babai i albanologjisë. Hahni e krahasoi Liqenin e Ohrit me Laggo Maggioren, një liqen madhështor mes Italisë veriore dhe Zvicrës, ndërsa Max Frischi më shumë e vinte theksin te anët ekzotike të Liqenit të Ohrit, te kodrat e mbuluara me borë, te sipërfaqja e Liqenit ngjyrë argjendi dhe një barkë që luhatet nga era që fryn papritmas. Frisch vizitoi edhe Manastirin e Shën Naumit bashkë me disa turistë gjermanë. Frisch, mes të tjerash, tregon edhe këtë histori: një pop po i njoftonte turistët gjermanë se një vrimë në Manastir ishte pasojë e një bombe gjermane nga Lufta e Parë Botërore. Një turist gjerman ndërhyri duke thënë se gjatë Luftës së Parë Botërore kishte qenë ushtar në këtë rajon dhe ndoshta bomba e tij e kishte goditur Manastirin. Duke dëgjuar këto rrëfime Max Frisch, atëbotë vetëm 22-vjeçar, mes rreshtave dhe me talentin e madh për formulime nënkuptuese, shkroi se me gjasë edhe popi ortodoks i Shën Naumit, edhe gjermani po tregonin përralla me bomba.
3.
Bashkë me Johann Georg von Hahnin në Ohër erdhi edhe fotografi vjenez, Josef Székely (1838-1901). Supozohet se me fotografitë që i shkrepi në viset shqiptare, Székely fitoi medaljen e bronztë në Ekspozitën Botërore në Paris më 1867. Fotografitë e tij nga Liqeni i Ohrit, nga Kalishta e Shën Naumi janë dokumente të rëndësishme të kohës. Nuk e di nëse në Strugë ndonjë rrugë bart emrin e Johann Georg von Hahnit apo të Josef Székely-it: nëse jo, do të ishte mirë që trashëgimia e tyre të përkujtohej e lartësohej në këtë qytet të bekuar me aq shumë bukuri.
4.
Më 1904 në Korçë arriti Edith Durham, antropologe britanike dhe dashamirësja më e madhe e shqiptarëve e asaj kohe. Ajo shkruante: “‘Këtu çdo gjë është shqiptare’, më tha shoku im, dhe e kuptova se kisha hyrë në atë pjesë të gadishullit ku ndihesha si në shtëpinë time. Korça është një qytet që të habit. Është i pastër, shumë i pastër, madje qyteti më i pastër që kam parë në Perandorinë Turke, me rrugë të drejta të shtruara mirë, pa qen e plehra nëpër këmbë”.
Klimë të shëndetshme kishte Korça, edhe ujë të bollshëm, krenohej me mullirin me avull, po të lidhej me hekurudhë me bregdetin, Korça do të zhvillohej më shpejt, nënvizonte Durham. 120 vjet më vonë - hekurudha moderne s’është askund.
5.
Është ndërtuar, më në fund, rruga Korçë - Ersekë - Leskovik. Është një rrugë e ngushtë, panoramike, atraktive sidomos për motoçiklistët nga viset e ndryshme të Evropës, të cilët pothuaj pas çdo kthese ndalen dhe shkrepin fotografi. Mediat shqiptare janë ankuar se aty-këtu cilësia e punimeve lë për të dëshiruar, një segment është shembur para se të inaugurohet rruga, një avokat nga Korça ka dorëzuar kallëzim penal, pronari i kompanisë që ndërtoi segmentin (e shembur) thuhet të jetë vëllai i një ish-deputeti të partisë-shtet. Kështu shkojnë punët - jo vetëm në Shqipëri.
Kur kaloi nëpër Grykën e Këlcyrës drejt Tepelenës, Edith Durhami konstatoi me dhimbje e mllef se si Perandoria Osmane nuk kishte bërë asgjë për infrastrukturën e zonës. “Mora vesh se shumë njerëz ishin treguar të gatshëm të jepnin para për rindërtimin e urës (mbi Vjosë, v.j.), por më kot i kishin dërguar Stambollit lutje pas lutjeje. Për vit mbyteshin 40 deri 50 veta që, për të kursyer paratë e lundrës, përpiqeshin ta kalonin lumin në va. Kur vendësit kishin dashur të ndërtonin një urë prej druri të përkohshme mbi këmbët e urës së vjetër, autoritetet i kishin ndaluar, duke u thënë se kjo punë i përkiste qeverisë. Të gjithë ishin vërtet në hall prej kësaj.
Një mysliman m’u betua se mjaftonte t’i shkruaja Sulltanit e t’i thosha se urën do ta ndërtoja unë. Por ia ktheva, duke i thënë se s’kisha para për këtë punë.
- Vetëm një pullë poste ka për të kushtuar, - ma ktheu. - Shkruaji se mjerimi i nënshtetasve të tij myslimanë të detyroi ty, një grua të krishterë t’i ndihmosh. Edhe grua, edhe e krishterë! Padishahu do të fyhet aq shumë nga oferta e një gruaje kaure, sa menjëherë do të japë urdhër të rindërtohet ura! Veçse letrën shkruaje nga Anglia. Se letrat e të huajve ai i pranon të gjitha, kurse lutjeve tona s’ua hedh as sytë!”
6.
Fatmirësisht, shumë gjëra kanë ndryshuar. Infrastruktura është përmirësuar dukshëm. Në fshatra po hapen bujtina për turistë. Qindra turistë vërshojnë restorantet që ofrojnë ushqime të shijshme dhe të paspërkatura me helm. Ka njerëz nga e ashtuquajtura “botë e civilizuar” që këtu hanë për herë të parë një domate që meriton të quhet domate. Por ekziston një rrezik jo vetëm në këtë zonë të Shqipërisë: etja për fitim të shpejtë mund të shkatërrojë ambientin. Ndërtimet vend e pavend, shpesh pa leje, janë po ashtu pjesë e problemit. Sistemi i kanalizimit dhe i ujësjellësit ende nuk është në nivelin e duhur, aq më pak menaxhimi i bërllokut (ose plehrave, siç thonë në ato vise). Fuqizimi i lekut ka ndikuar në rënien e eksportit të mallrave për 5 për qind në vitin 2023. Kuota e papunësisë, përkundër “boomit” në turizëm, pothuaj nuk ka ndryshuar. Sidomos për të rinjtë shanset për një vend të qëndrueshëm pune dhe me perspektivë janë të vogla. Shqipëria, si shumë vende të Ballkanit, vazhdon të humbë pjesën më vitale dhe më produktive të shoqërisë. Ndarja e resurseve është jotransparente dhe shpesh fitohet përshtypja sikur Qeveria është servis i oligarkëve.