OpEd

Asimetria e BE-së në raport me Kosovën

Kosova përballet me disa sfida kritike në vitin e saponisur. Ajo duhet të vendosë strategji për forcimin e pozicionit të saj në Bruksel dhe Uashington përballë agresionit të vazhdueshëm diplomatik dhe pretendimeve hegjemoniste të Serbisë. Paralelisht, është e domosdoshme të diversifikojë politikën e saj të jashtme dhe të artikulojë qartë se mosnjohja nga pesë shtetet e BE-së është një pengesë më e madhe sesa mosnjohja nga Serbia

Në pranverë të vitit 2025 do të mbushen plot 14 vjet nga fillimi i dialogut Kosovë-Serbi, një proces i dizajnuar sipas rezolutës së miratuar më 9 shtator 2010 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Pritjet ishin të mëdha, të paktën në mënyrë deklarative, ashtu siç paraqiteshin nga zyrtarët ndërkombëtarë. Në pikën 2 të kësaj rezolute, të sponsorizuar nga Serbia dhe 27 vendet e Bashkimit Evropian, konstatohej se OKB-ja: "Mirëpret gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të lehtësuar një proces dialogu mes palëve; vetë procesi i dialogut do të shërbente si një faktor për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon, ndërsa dialogu do të kishte për qëllim nxitjen e bashkëpunimit, arritjen e përparimit në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe përmirësimin e jetës së njerëzve". 

"Jam i kënaqur që teksti i rezolutës së miratuar u bazua në një marrëveshje mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian, duke krijuar kështu kushtet që ky proces të ecë përpara në kontekstin e perspektivës evropiane për rajonin", shkruante Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, në raportin e tij më të fundit për Kosovën, në nëntor të vitit 2010. 

Pavarësisht pritjeve të mëdha se ky dialog do të hapte një fazë të re, do të ndihmonte në ndërtimin e besimit mes palëve dhe do të çonte në zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme për konsolidimin e paqes, stabilitetit dhe pajtimit në Kosovë dhe në rajon, kjo rezolutë e AP të OKB-së edhe pse formalisht e njihte opinionin e GJND-së, paraqet një fitore të madhe diplomatike për Beogradin ose thënë më saktë, neutralizonte fitoren e Kosovës në GJND. Në një formë me këtë rezolutë dhe me mënyrën si BE u soll me dialogun dhe karshi shtetësisë së Kosovës, pastaj me një prezencë pa afat të EULEX-it dhe imponimin e themelimit të Gjykatës Speciale si një Tribunal i burokratëve të Brukselit, në fakt BE-ja e vendosi Kosovë në një lloj “trusteeshep,” që dikur OKB-ja e aplikonte për transformimin e disa ish-kolonive në shtete të pavarura dhe sovrane. “Shpërblimi” i vetëm për Kosovën ishte një gjest folklorik, që nuk kishte asnjë ndikim të vërtetë në përmbajtjen e kësaj rezolute, por vetëm për kënaqjen e egos sonë provinciale: prania e zyrtarëve më të lartë të Kosovës në sallën e OKB-së. 

Tre muaj pas miratimit të rezolutës, ndodhi një ngjarje tjetër që dëmtoi pozicionin e Kosovës përballë Serbisë në këtë dialog. Ishte raporti i senatorit zviceran Dick Marty, i cili pretendonte se UÇK-ja kishte kryer "trajtim johuman të njerëzve dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore".  Ky raport e gjeti klasën politike kosovare të papërgatitur. Ndërkohë, Serbia dhe aleatët e saj në Perëndim kishin zhvilluar një fushatë të gjatë për të përmbysur të vërtetën e ngjarjeve të vitit 1999. Kosova humbi fokusin, ndërsa Serbia, duke përfituar nga situata, hyri në procesin e Brukselit me synimin për të çmontuar hap pas hapi statusin e Kosovës, të dizajnuar në dokumentin e Ahtisaarit. Kjo përfshinte edhe përpjekjet e Serbisë për të ndryshuar balancën brenda BE-së mes 22 shteteve që e kanë njohur Kosovën dhe pesë shteteve që nuk e kanë njohur ende. Mosnjohja e Kosovës nga pesë shtetet e BE-së i ka dhënë fuqi dhe avantazh Serbisë në tavolinën e bisedimeve të Brukselit, duke forcuar në të njëjtën kohë pretendimet e Beogradit për të vazhduar fushatën agresive të çnjohjes dhe pengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Për më tepër, BE-ja ka heshtur për vite të tëra edhe ndaj abuzimit të procesit të dialogut nga ana e Serbisë, e cila këtë proces e ka paraqitur nëpër gjeografi të ndryshme të botës si proces për adresimin e statusit dhe si argument për ngrirjen e njohjeve të shtetësisë së Kosovës. Në këtë kuadër, Kosova duhej të ishte më e zëshme dhe më e vendosur, duke i kundërpërgjigjur BE-së se vazhdimi i dialogut në një klimë kaq armiqësore dhe agresive ishte i pakuptimtë. Si pasojë, Qeveria e Kosovës nuk arriti ta ndalojë trendin negativ në raport me Kosovën në qendrat ndërkombëtare të vendimmarrjes.

Madje, pas agresionit rus kundër Ukrainës (2022), kur Perëndimi transatlantik u përqendrua në ndihmën ushtarake dhe politike për ukrainasit, edhe aleatët e Kosovës gradualisht e humbën dëshirën dhe interesimin e tyre për Kosovën. Madje, filloi të përmbysej narracionin i Kosovës dhe të fitonte ai i serbëve, edhe pse shumë i deformuar. Në këtë linjë, serbët institucionalizuan vetëviktimizimin, një nga armët më të forta dhe tradicionale të elitës politike serbe. Ndërsa Perëndimi, ra në kurthin e Beogradit, nëpër asgjë nuk kishte hequr dorë nga politika serbe e fillimshekullit të 20-të. Në këtë mënyrë, Serbia e Vuçiqit përbën rrezik jo thjesht për Kosovën, por për të gjithë fqinjët e drejtpërdrejtë. 

Por, edhe pas ngjarjeve të shtatorit 2023, kur Serbia u infiltrua ushtarakisht në Kosovë, ky moment nuk shënoi një Zeitwende, përkundrazi, Kosova mori goditjen radhës nga BE-ja me masa ndëshkuese, për shkak të veprimeve policore në veri nga Qeveria e Kosovë. Kjo situatë u pasua me dështimin për anëtarësimin e Kosovës në KiE për shkak të kushtëzimit që kësaj çështje me dërgimin e statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese. Dështimi i Kosovës për t'u anëtarësuar në Këshillin e Evropës ishte një fitore e madhe për Serbinë, sepse BE-ja i njohu një lloj "pronësie" mbi të drejtën për të kontestuar anëtarësimin e Kosovës në organizatat e tjera ndërkombëtare. 

Në anën tjetër, pranimi eventual i Kosovës në këtë organizatë panevropiane do të kishte tri efekte të rëndësishme: e para, do të ndikonte në zgjerimin e njohjeve ndërkombëtare të shtetësisë së Kosovës, e dyta, do të stabilizonte përpjekjet për anëtarësim në organizata të tjera ndërkombëtare dhe e treta, do të përbënte një hap të rëndësishëm për të frenuar fushatën serbe për çnjohjen e shtetit të Kosovës. Ky zhvillim tregon qartë se konsensusi në Evropë për përkrahjen e Kosovës është dobësuar.

Por, Evropa, e përballur me sfida të brendshme, si populizmi nacionalist i Viktor Orbán-it në Hungari, radikalizmi i djathtë i Le Pen-it në Francë dhe Alternativa për Gjermaninë (AfD), një parti e ekstremit të djathtë, dështoi të menaxhojë me sukses situatën në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor. Ndërkohë, Serbia, e përkrahur nga Rusia dhe Kina, arriti të pozicionohej më mirë duke imponuar çështjen e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe si prioritet që nga shtatori i vitit 2021.
Në këtë situatë, si BE-ja ashtu edhe SHBA-ja, hoqën dorë nga kërkimi i një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese, ku sipas kryeministrit Kurti, "njohja në qendër" duhej të ishte pjesë e marrëveshjes finale. Për pasojë, nga ky moment, Kosova, dhe jo Serbia, u perceptua si pala që po bllokonte procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë. Prej këtij çasti e tutje Kosova, e jo Serbia, dukej se po e bllokonte procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë. 

Kjo situatë tregon se edhe viti 2025 do të jetë i vështirë për Kosovën, nëse ajo nuk ndërmerr një qasje më të fuqishme dhe proaktive. Në këtë kontekst, Kosova kërkohet të ketë unitet për çështjet me karakter nacional, që nënkupton se elita politike në Prishtinë duhet t’ua bëjë të qartë ndërkombëtarëve se Asociacioni është një zgjatje e Serbisë brenda e Kosovës, për aq kohë sa Kosova nuk është as BE-së, as e NATO-s, as e OKB-së, as e KiE-së dhe as e OSBE-së dhe për aq kohë sa Beogradi shpreh hapur pretendimet territoriale ndaj Kosovës. 

Përveç kësaj, mënyra si ka ecur keq puna me Gjykatën Speciale, është shembulli më i qartë dhe më i fuqishëm përse nuk duhet lejuar krijimi i Asociacionit. Po ashtu, duhet pasur parasysh se pika 7 e Aneksit të Marrëveshjes së Ohrit nënkupton se, pas mbylljes së çështjes së Asociacionit, radha do t’i vinte statusit të ri të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Në këtë pikë, Beogradi do të synonte dekonstruktimin e Planit të Ahtisaarit, i cili, edhe ashtu, përfaqëson një bazament të brishtë të shtetësisë së Kosovës.

Në këtë klimë armiqësore ndaj shqiptarëve, për 14 vite më parë dialogu Kosovë–Serbi u zhvillua edhe nën hijen e “ekzaminimit” të gjetjeve të raportit të senatorit zviceran Dick Marty dhe të Dhomave të Specializuara në Hagë (Gjykata Speciale), të cilat formalisht janë pjesë e sistemit juridik të Kosovës, por ato krijuan si rezultat i presionit të madh ndërkombëtar, të ngjashëm me atë që po bëhej edhe për Asociacionin. Krijimi i Dhomave të Specializuara ka qenë kundërthënës, gjykimet po kryhen nga ngadalësi të madhe dhe pa kontrollin institucional kosovar. Serbia, në anën tjetër, autorja e mizorive të mëdha, që rezultuan me afro 12.000 të vrarë, dhe afro një milion të dëbuar, është lejuar që ta shpërfillë përgjegjësinë që ka për spastrimin etnik dhe për përndjekjen e shqiptarëve në vitet 1989-1999.  Është pikërisht ajo që e pohon Pascal Bruckner “torturuesi e shfaqte veten si martir dhe Evropa, në pajtim me torturuesin, i paraqiste ata që sulmoheshin (kroatët, boshnjakët, shqiptarët e Kosovës) si përgjegjës për tragjeditë që u kishin rënë mbi kokë”. Kur krimi ndërthuret me pafajësinë, atëherë është pafajësia ajo që duhet ta justifikojë veten. 

Që ky trend negativ të ndryshohet, qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të gjejë mënyrat e duhura për të shmangur këtë trend izolues dhe ndëshkues ndaj vendit, si dhe skemat që fajësojnë apriori Kosovën në çdo situatë, madje edhe kur lëmshi i krizave politike dhe tensioneve shkaktohet nga lidershipi serb në Beograd. Në këtë kontekst, kundërpërgjigjet e Kosovës ndaj ndërhyrjeve të Beogradit në veri të vendit duhet të jenë më të mirëdizajnuara, si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm, në mënyrë që aksioneve për vendosjen e rendit dhe ligjit t’i paraprijnë veprimet paraprake dhe sistematike diplomatike. Kosova të krijojë avantazh dhe të bindë qendrat kryesore ndërkombëtare të vendimmarrjes për domosdoshmërinë e veprimeve konkrete në veri të vendit, aty prej përfundimit të luftës operojnë struktura kriminale të mbështetura financiarisht dhe politikisht nga Beogradi. Pra, duhet të shmanget qasje reaktive, një herë aksionet në terren të strukturave të sigurisë, e më pas veprimet diplomatike, të cilat do të konsumoheshin kryesisht për të ndërtuar në pozicion mbrojtës.  

Pra, Kosova përballet me disa sfida kritike në vitin e saponisur. Për këtë, ajo duhet po ashtu të vendosë strategji për forcimin e pozicionit të saj në Bruksel dhe Uashington përballë agresionit të vazhdueshëm diplomatik dhe pretendimeve hegjemoniste të Serbisë. Paralelisht, është e domosdoshme të diversifikojë politikën e saj të jashtme dhe të artikulojë qartë se mosnjohja nga pesë shtetet e BE-së është një pengesë më e madhe sesa mosnjohja nga Serbia. Paralelisht me këtë është koha që afro dy dekada pa pavarësi t’ i kërkohet BE-së që Kosova, si një shtet i ri evropian, të ketë ambasadorin e saj pranë BE-së në Bruksel, duke ndjekur shembullin e një vendi të Lindjes së Mesme, si Palestina, të cilën deri më tani e kanë njohur vetëm 10 vende të BE-së, madje më të parëndësishme se ato që e kanë njohur Kosovën.  (vijon)