Sikur Kosova të mos kishte aplikuar për anëtarësim në BE para tre vjetësh, atëherë “perspektiva evropiane” do të mbetej vetëm në teori. Dhe në BE sa herë që do të pyesnim për mundësitë që edhe Kosova ta marrë statusin e vendit kandidat për integrim në BE, do të hasnim në përgjigje, siç edhe kemi hasur para aplikimit, se “nuk përgjigjemi në pyetjet hipotetike” dhe se “Kosova as nuk ka aplikuar për anëtarësim”.
Kosova nuk është i vetmi vend i rajonit të Ballkanit Perëndimor i cili për vite balancon mes ambicieve dhe realitetit. Ambiciet janë që edhe Kosova të bëhet një ditë anëtare e Bashkimit Evropian, realiteti është se Kosova akoma nuk e ka as statusin e vendit kandidat dhe gjasat që ajo ta marrë një status të tillë janë shumë të vogla. Në mes të këtyre dy skajshmërive, Kosova dhe qytetarët e saj po përfitojnë aq sa janë mundësitë nga përfshirja në proceset e përafrimit me BE-në. Kosova ka një Marrëveshje Stabilizim Asociimi me BE-në. Kosova përfiton edhe nga mjetet e paraanëtarësimit, ani pse qindra miliona i janë bllokuar me masat ndëshkuese që edhe në Bruksel e pranojnë se kanë qenë gabim. Qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë edhe pa viza në vendet e BE-së. Po ashtu, Kosova është e përfshirë në disa programe të Bashkimit Evropian dhe së fundi është bërë pjesë e barabartë me vendet kandidate në përfshirjen e përfaqësuesve të Kosovës në punët e Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian.
Nuk ka dyshim se Kosova është përfituese e madhe e ndihmës nga ana e BE-së dhe do të ishte shumë jofalënderuese sikur Kosova të mos e ketë këtë gjithmonë në mend. Dhe kjo asistencë do të jetë edhe më shumë e nevojshme në të ardhmen për shkak të deangazhimit amerikan nëpër botë, e me këtë edhe në Kosovë. Pasojat nga tërheqja amerikane, të shfaqura përmes shuarjes së USAID-it dhe tërheqjes nga disa agjenci ndërkombëtare, janë shumë të mëdha, sepse përmes këtyre angazhimeve vetëm në Kosovë janë investuar disa miliarda dollarë. BE-ja nuk mund të kompensojë këtë, por së paku mund të mbajë nivelin e asistencës që e ka dhënë në të kaluarën.
Nga ana tjetër, Kosova në raportet me BE-në ka probleme serioze politike. Për disa përgjegjësinë mund ta ketë vetë Kosova, por për disa jo. Problemi për Kosovën është se BE-ja nuk e ndien nevojën që dikujt t’i arsyetohet, prandaj zyrtarët e saj të inatosur me Kosovën mund të vazhdojnë pa ndonjë problem ose të injorojnë Kosovën ose ta mbajnë atë përgjegjëse për të gjitha problemet dhe ta sanksionojnë.
Kosovarët pa dyshim mendojnë se BE-ja ka qenë e padrejtë në trajtimin e vendit të tyre krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Por ky frustrim nuk është shndërruar në kundërshtim ndaj BE-së. Krahas qytetarëve të Shqipërisë, kosovarët janë mbështetësit më të mëdhenj në rajon të anëtarësimit në BE. Këtë e tregoi edhe një herë rezultati i anketave të kryera nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) në “Ballkan barometer“. Sipas këtyre të dhënave, mbështetja për anëtarësim në BE në Shqipëri është 86 për qind, në Kosovë 78 për qind ndërsa në Serbi është vetëm 42 për qind.
Kosovarët, siç tregojnë këto rezultate, kanë edhe iluzione sa i përket integrimit në BE, sepse 39 për qind e tyre besojnë se Kosova do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030. Përqindje të njëjtë ka edhe Mali i Zi. Por Mali i Zi është në prag të mbylljes së negociatave të anëtarësimit, ndërkohë që Kosova akoma nuk ka nisur as procesin për ta marrë statusin e vendit kandidat.
E kur qytetarët e një vendi kanë aq shumë mbështetje për BE-në atëherë qeveria e atij vendi nuk ka si të mos aplikojë për anëtarësim në BE. Sepse vetëm pas aplikimit mund të nisin procedurat për t’i realizuar synimet e qytetarëve. BE-ja gjithmonë përshëndet përkushtimin e Kosovës dhe qytetarëve të saj për integrim në Bashkimin Evropian. Por në anën tjetër, BE-ja e ka vënë në harresë dhe nuk e përmend fare se Kosova ka aplikuar edhe formalisht për t’u bërë vend anëtar.
Tash në Kosovë dëgjohen zërat se si “nuk ka qenë koha për të aplikuar“. Një qëndrim i tillë është shumë i gabueshëm. Sepse në atë kohë Kosova kishte mbetur i vetmi shtet jo vetëm në rajon por edhe në gjithë kontinentin e Evropës që nuk kishte kërkuar formalisht anëtarësim në BE edhe pse këtë e kishte synim. Vendet si Zvicra e Norvegjia nuk duan të bëhet pjesë të BE-së dhe një gjë të tillë për momentin nuk e mbështesin qytetarët e tyre, prandaj me to Kosova nuk mund të krahasohet.
Sikur Kosova të mos kishte aplikuar për anëtarësim në BE para tre vjetësh, atëherë “perspektiva evropiane“ do të mbetej vetëm në teori. Dhe në BE sa herë që do të pyesnim për mundësitë që edhe Kosova ta marrë statusin e vendit kandidat për integrim në BE, do të hasnin në përgjigje, siç edhe kemi hasur para aplikimit, se “nuk përgjigjemi në pyetjet hipotetike“ dhe se “Kosova as nuk ka aplikuar për anëtarësim“. Kështu, Kosova për këtë topin e ka hedhur në fushën e BE-së. Edhe pse BE-ja mund të gjejë arsye që Kosovës t’ia kushtëzojë statusin e vendit kandidat, ajo është dashur ta ketë nisur procesin. E kur ta nisë, atëherë mund ta vlerësojë se a i përmbush apo jo Kosova kushtet. Në këtë moment nuk ka asnjë pengesë tjetër pos faktit se Kosova nuk është njohur nga 5 vendet anëtare. Dhe ato po e pengojnë edhe vendosjen në rend dite të aplikimit të Kosovës dhe dhënien e mandatit Komisionit Evropian për ta nisur procedurën e nxjerrjes së opinionit për Kosovën. Vendet që e kanë njohur Kosovën janë më pak aktive në BE, prandaj edhe Kosova është duke pritur për tre vjet pa bërë asnjë lëvizje. Kur të tejkalohen një ditë këto pengesa politike, Kosova ka kapacitete, sidomos njerëzore, për të lëvizur shpejt në proces.