Filani në ushtri, në kohën e ish-Jugosllavisë, dhe kur erdhi koha e drekës e kuptoi që ka pasul. Fort u gëzua! Kur mori lugën me hangër, lyp kokrrat, s’ka... edhe po pyet “Ku janë kokrrat more vëlla?”. Po ia kthen shoku: “Se ku janë kokrrat e di vetëm partia!”. Sa herë i dëgjoj ankesat e institucioneve lidhur me kualitetin e dobët në prokurim publik si rezultat i çmimit më të ulët, më kujtohen ato kokrrat e fasules. Ku është kualiteti e di partia, apo vërtet kriteri i çmimit më të ulët qenka arsyeja se në vend të fasules po pimë supë?
Ka kaluar një dekadë që nga aprovimi i ligjit të parë për prokurim publik në Kosovë, dhe tetë iniciativave për ndryshim dhe plotësim të tij, problemet e humbjes së parasë së qytetarëve përmes procedurave të prokurimit vazhdojnë të mbesin të mëdha. A thua pse? Vallë, përmes këtyre tetë iniciativave për ndryshim dhe plotësim a nuk ishim të aftë të rregullojmë politikat e blerjeve publike? Fatkeqësisht, përgjigjja është - Jo. Në Ligjin për prokurim publik ekzistojnë zbrazëtira sa u përket strategjive për prokurim inovativ, të gjelbër dhe social (që ndryshe njihet si prokurim i qëndrueshëm), si dhe mekanizmave të kontrollit. Në anën tjetër ligji krijon mekanizma të mjaftueshëm për të siguruar kualitet të blerjes.
Muajin e fundit flitet se Ligji për prokurim publik duhet të ndryshohet sërish, me qëllim të largimit të kriterit të çmimit më të ulët dhe shfrytëzimin e kriterit të çmimit ekonomikisht më të favorshëm, meqë kriteri i parë është vlerësuar si “fajtor”për blerjet e kualitetit të ulët.
Fatkeqësisht, ky arsyetim “banal”, ndoshta për shkak të përdorimit të shpeshtë në diskursin tonë publik, ka arritur t’i bindë qytetarët se kjo qenka arsyeja e humbjes së parasë publike. Përgjigjja është përsëri - Jo! Moszbatimi i ligjit është rrënja e problemit.
T’i kthehemi për një moment idesë së shfrytëzimit të kriterit “të vetëm”, atij ekonomikisht më të favorshëm. Ky kriter nënkupton blerjen e një produkti, malli, shërbimi apo investimi, me një çmim më të lartë sot, por që kostoja afatgjatë do të jetë më e ulët se sikur ta kishim blerë sot atë më të lirin.
Mirëpo i njëjti kriter nuk mund të vlejë për institucionet si arsyetim i përfitimeve afatgjata në furnizimin me ujë të pijshëm me ambalazh 0.33ml, apo furnizimin me lapsa, apo me buqetë lulesh, fletore pune, letër, etj? Ligji për prokurim publik ka probleme të kategorizimit të prokurimeve dhe ndarjen ndërmjet furnizimeve, shërbimeve dhe investimeve kapitale, por problemet me kualitet nuk lidhen me çmimin më të ulët.
Ajo që nuk e dëgjojmë është se ky kriter ka edhe një komponent, që barazon peshën e çmimit, e ajo është përgjegjshmëria. Çfarë do të thotë çmimi më i lirë i ofertës së përgjegjshme? Ky kriter na thotë se institucionet do të shpërblejnë me kontratë ofertën më të lirë pasi të jetë përcaktuar përgjegjshmëria e biznesit në përmbushjen e një kërkese të tillë. Andaj nuk është problem çmimi, por parregullsitë që bëhen në shpallje të përgjegjshmërisë, gjatë së cilës shpeshherë edhe diskualifikohet oferta me çmimin më të ulët.
Kur një thirrje për tender përmban specifikat teknike dhe kushtet e përgjithshme dhe të veçanta, të gjitha këto të definuara mirë, ata operatorë ekonomikë (kompani apo konsorciume) që dëshmojnë se kanë kapacitete për t’i përmbushur këto kërkesa, shpallen të përgjegjshëm. Dhe nga këta operatorë ekonomikë përzgjidhet ai me çmim më të lirë. Kur, për shembull, një tender parasheh furnizimin me karrige të një standardi specifik, apo një produkt të mbajë një certifikatë cilësie; kur një investim kapital ka plan të mirëfilltë të realizimit; kur një kontratë për mirëmbajtje ka të detajuara kërkesat e punës, atëherë nuk ka arsye që ky kriter të dështojë.
Për të parandaluar keqpërdorimet gjatë vlerësimit të ofertave nuk do të duhej të ndryshohej kriteri, por vetë procesi i vlerësimit. Së pari, të shpallet përgjegjshmëria e ofertës (pa i ditur çmimet) dhe vetëm pastaj të përzgjidhet automatikisht oferta më e lirë. Kështu do të zvogëlohej mundësia e eliminimit të operatorëve për qëllime favorizuese. Në momentin kur një ofertë dhe një ofertues klasifikohen të përgjegjshëm, nuk ka më arsye të lëshimeve të kualitetit, dhe nëse një ofertë është e tillë, atëherë pse të paguhet një çmim më i lartë, sidomos duke pasur parasysh buxhetin e limituar me të cilin operojnë institucionet tona (qendrore e lokale). Nëse paguajmë një çmim më të lartë për ofertë të përgjegjshme, do të thotë po i bëjmë favore një kompanie në kurriz të qytetarëve, të cilët do të përfitojnë më pak investime dhe shërbime.
Sipas rregulloreve federale për blerje të SHBA-së, që konsiderohet si rregullorja më e avancuar lidhur me blerjet publike: sa më pak që është e definuar kërkesa, aq më shumë punë kërkohet gjatë zbatimit, ose sa më i madh rreziku i performancës, aq më shumë kanë peshë aftësitë teknike apo referencat e punëve paraprake (që dëshmojnë përgjegjshmërinë). Por vlera më e mirë në blerjet publike prapë mund të arrihet duke përdorur kriterin e çmimit më të ulët të ofertës së përgjegjshme.
Kur lidhet një kontratë, bëhet një zotim, dhe kjo kontratë bëhet ligj për palët. Shkelja e kontratës nga cilado palë në marrëveshje është shkelje e këtij ligji, e Ligjit për prokurim publik.
Andaj Qeveria e Kosovës duhet të fokusohet në krijimin dhe forcimin e mekanizmave menaxhues dhe kontrollues të prokurimeve publike, e jo në luftën kundër kriterit të çmimit më të lirë të ofertës së përgjegjshme.
(Autorja është menaxhere e projektit në Institutin Demokratik të Kosovës - KDI)