OpEd

Ç’akorr ke mbjellë

Më në fund ra borë. Kaq e shumëpritur prej të gjithëve, mezi ia doli ta zbardhë tërë vendin për disa ditë, sa për të mos thënë se edhe ajo na harroi si gjithë bota. Megjithatë, paraprakisht është parashikuar që do të zgjasë shkurt, si çdo temë e përditshme kosovare, që zgjon kërshëri e debate ditën e parë, sharje e përçarje në të dytën dhe indiferencë e harresë në të tretën.

Dikur të mësuar me dimra të gjatë e të ftohtë dhe me borë, që nuk shkrihej nga dy muaj rresht, sot na kaplon paniku për tri ditë borë e acar, ndërpritet mësimi për disa ditë, njerëzit frikësohen e deprimohen, bile disa blejnë edhe rezerva ushqimore. Fillojnë reduktimet e rrymës, jo ra Blloku A, jo ra Blloku B, thua se këto blloqe po qëndrojnë varur në gozhda a farë çengeli.

Bile, kjo bardhësi gati që po na duket e panatyrshme tani. Neve që jemi mësuar me të zezat e Kosovës, bardhësia na i vret sytë dhe na jep ndjesi të sikletshme. Tash e pas edhe dordolecët do t’i ndërtojmë me thëngjill, sepse kemi boll. Dua të them se pas këtij dimri pa shije, krejt çka kemi nevojë është një pranverë e vërtetë kosovare.

Telenovela rreth demarkacionit

Sa e sa herë ju ka ndodhur që kur ta hapni televizorin, ju del ajo protagonistja e mërzitshme e telenovelës së quajtur “Nuk kryhem kurrë” dhe sërish ia kris vajit për të njëqindtën herë për dashnorin e tretë, që në fakt del se është burri i vdekur e i ringjallur, i dashnores së tashme të dashnorit të parë. Habiteni se si ndodhi që edhe pas një viti seriali nuk ka përfunduar ende. Por ju pret një befasi akoma më e madhe: jo vetëm që nuk ka përfunduar, por ngjarja nuk ka lëvizur as dy milimetra. Vetëm dashnorët e dashnoret kanë ndryshuar vendet bashkë me intrigat, mënyrat dhe pajisjet për veprim, ndërsa ngjarja dhe lëmshi i krijuar nga vetë protagonistët kanë mbetur po aty ku i keni lënë vite më parë.

Natyrisht, tamam kur mendoni se e keni ndërruar kanalin dhe keni shpëtuar nga kjo katrahurë, ju del përpara seanca e kushedisatë e Parlamentit kosovar dhe tema e demarkacionit. Tani në vend të lotëve të dashnores, ju keni parë seanca me tym lotsjellës, ndërsa nëpër karrige janë ndërruar dashnorët dhe dashnoret me aleancat e tyre të interesit. Tre vjet rrumbullak e shohim këtë telenovelë të bastarduar duke u rreshtuar si popull herë në një anë, e herë në tjetrën, të izoluar në kafazet tona të përditshme.

Fort bukur. Qeveritë tona të lavdishme që kanë ardhur në fron përmes tymit e flakës, asnjëherë nuk po na lënë të mërzitemi. Edhe deputetët po ua mbajnë “zhagun” me të njëjtën muzikë. Seanca ka kuorum, por Qeveria nuk i ka votat. Qeveria i ka votat, por seanca nuk ka kuorum. Seanca përsëri nuk arrin t’i mbledhë deputetët dhe dështon (sepse ardhja e tyre nuk është obligative). Hyjnë e dalin kur kanë qejf. Përsëri caktohet seancë por nuk votohet filan ligji, sepse nuk janë mbledhur votat pro. Herifi dëshiron të shkojë në të sigurt. Të tjerët e kundërshtojnë. Nuk japim tokë dhe pikë! Gjysma e Mitrovicës shkoi, njësoj edhe Graçanica, Liqeni i Ujmanit, Zveçani, Shtërpca e plot të tjera. Por këtë nuk e japim dhe pikë.

Çakorri është i yni. Çakorr, Çakorr, Çakorr! Po pra. Ç’akorr, e ke mbjellë vetë z. president!

Dhe sërish: episod pas episodi telenovela trevjeçare nuk ka të sosur bashkë me durimin e popullit letargjik, ndërsa qeveritarëve nuk u ndalet goja, edhe pse kaherë u ka dalë boja.

U kënaqën duke lozur në kartën e popullit. A thua se po na duan çdo ditë e më shumë. Veç dëgjoni papagallizmat e tyre të përditshëm: “për popullin”, “vullneti i popullit është...”, “...jemi të zgjedhur nga populli...”, “ për këtë popull...”, “më nuk duam që ky popull të vuajë…”.

Au, au, au, sa dhimbshëm, m’u ngjeth mishi në tërësi. Vetëm që s’po marr vesh gjë, për cilin popull po flitet o njerëz, a keni haber gjë? Mos e keni fjalën për popullatën e krijuar rishtas nga zëvendësministrat? Ose popullatën e krijuar nga të punësuarit nëpër institucionet qeveritare? Se për popullin kosovar jo qe besa. Ky popull as po flet gjë, as bën gjë. Rrihe, vidhe, vrite, there...nuk reagon. Është si të thuash si monument durimi diçka, i topitur nga dhimbja, mbase fenomen tipik i viktimës së dashuruar në torturuesin.

Por ama, populli ynë, mos qoftë asgjë tjetër, është shumë bujar. Ua hap dyert hajdutëve brenda e jashtë shtëpisë. U uron mirëseardhje e i vendos në krye të vendit, sepse beson ne mrekulli dhe mirësi aty ku buron e keqja e vazhdueshme.

Megjithatë, me gjithë këtë mrekulli si nëpër përralla, ne ankohemi. Vetëm lajmet e këqija na kënaqin. Thuajse nuk kemi veshë të dëgjojmë çdo ditë deklarata si: “populli i Kosovës e di se ne jemi“... “për Kosovën kemi bërë në luftë e po bëjmë në paqe….“,“ia duan dhe ia duam të mirën Kosovës“ , “ne e kemi sjellë Kosovën afër Evropës“, “Kosova, vend sovran, demokratik dhe i pavarur“, “miqtë tanë po na shpërblejnë për detyrat e suksesshme të shtëpisë”, “ne po e lulëzojmë Kosovën”, “ qytetari i Kosovës është numër një për ne”, “populli e din, na mbështet dhe na do”…

Gjithë këto fjalë në emër të popullit, sa bukur o Zot! Definitivisht Mesia ka zbritur në Tokë dhe për aeroport e ka zgjedhur Kosovën e mjerë. Për ta shpëtuar nga dashakëqijtë e saj.

Parada

E sa jemi popull i lumtur brenda kafazit tonë natyror, u pa gjatë festës së Pavarësisë. Nuk kemi viza të shkojmë nëpër botë? - Punë e madhe! Bota vjen te ne.

U shty edhe seanca solemne në pritje të burrështetasve botërorë, të cilët, prit e prit, prit e prit… më lini t’ia qëlloj: Ups! Nuk erdhën!

E ata që erdhën ishin ca ish-liderë nga rajoni, që u ulën kush ku arriti, meqë vërtet ishte shumë e pakuptimtë, që këta filan njerëz të përmenden e respektohen, para grave, hallave e dajave të liderëve tanë, që veç sa nuk kishin ardhur me tabakë plot llokume e reçel, thua se po mbahej ndonjë syneti shtetërore.

Tutje, parada ishte mesele në vete. Shumë më mbeti pikë që nuk u kishin shtruar tepih të kuq politikanëve tanë, të cilët parakaluan si yje (të shuar) Hollywoodi e ua bënin me dorë atyre pak qytetarëve që u dhuronin ndonjë duartrokitje koti. U rreshtuan duke u shtyrë kush do të dalë në rend të parë, duke i injoruar në tërësi rregullat e protokollit dhe mysafirët e huaj. Pas vonesës së presidentit, ja ku na vjen edhe parada dhjetëminutëshe dhe fjalimi i tij blla-blla plot gabime, për t’u shpërndarë të gjithë nëpër dreka e darka. Kaq ishte.

Po të mos ishte Rita Ora, vështirë se u mor vesh që patëm festë shtetërore jubilare.

E populli sërish si diti, festoi. U kënaq, sepse ishte ditë pushimi. Kush ia mësyu maleve, kush restoranteve, kush nën jastëkët e butë të shtëpisë. Asnjë protestë kundër papunësisë ekstreme (gjersa qeveritarët ia rrisin vetes çdo ditë rrogat e privilegjet), asnjë protestë kundër izolimit para ambasadave ose ndërtesës së Qeverisë, asnjë protestë për mungesën e ligjit, mungesën e kushteve nëpër fakultete, shkolla e spitale.

Për festë nuk protestohet se s’ka lezet! Vetëm hahet, pihet e vallëzohet, derisa secili të nesërmen kthehet në mjerimin e vet.