Vështrime

Kosovës i kërkohet që të mos e bëjë atë që ka të drejtë ta bëjë

Kosova ka të drejtë që të mos i pranojë kërkesat që të mos veprojë si shtet. Sepse asnjë shtet në territorin e vet nuk do të toleronte funksionimin e institucioneve të një shteti tjetër, i cili, për më tepër, e bën këtë me pretendime territoriale. Prandaj nuk ka dyshim se Kosova ka të drejtë t’i mbyllë dhe komunat e Serbisë, (jo të serbëve, por të Serbisë) në territorin e saj. Por, po ashtu, edhe autoritetet e Kosovës duhet të kenë kujdes, sepse nuk është taktikë e mirë që me veprime të befasohen edhe partnerët ndërkombëtarë. Sepse ata janë partnerë e jo kundërshtarë, siç është Serbia

Mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të kishte aspak më shumë probleme të hapura sesa që ka mes vendeve të tjera të rajonit, sikur të kishte përgjigje në pyetjen e thjeshtë: A është apo nuk është Kosova shtet. Të gjitha problemet praktike për qytetarët e Kosovës, për qytetarët e Serbisë që vizitojnë Kosovën dhe për qytetarët e Kosovës me shtetësi të dyfishtë, janë pasojë e qëndrimeve të kundërta dhe dallimeve në kuptimin e përgjigjes se a është apo nuk është Kosova shtet.

Së shpejti do të bëhen 16 vjet prej kur Kosova ka shpallur pavarësinë. Së shpejti do të mbushen plot 25 vjet prej kur Serbia nuk e ka nën administrim territorin e Kosovës. Së pari në Kosovë u vendos një administratë ndërkombëtare, në të cilën pjesën civile e mori përsipër OKB-ja, ndërsa atë ushtarake NATO-ja. Pastaj, duke vepruar sipas vendimeve ndërkombëtare, jo të njëanshme të Kosovës, por ndërkombëtare, Kosova shpalli pavarësinë e saj dhe u bë shtet sovran e i pavarur, fillimisht nën një mbikëqyrje ndërkombëtare. Pra, nuk ishte një shpallje e njëanshme e pavarësisë, por një shpallje e koordinuar në hollësi me bashkësinë ndërkombëtare, bazuar në një propozim që doli nga procesi i udhëhequr nga bashkësia ndërkombëtare. Dhe, duke u përgjigjur në pyetjen e Serbisë rreh përputhjes së shpalljes së pavarësisë së Kosovës me të drejtën ndërkombëtare, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha mendimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare e as në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.