Në tetor të vitit 2022 kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhje të Qeverisë paraqiti vendimin 3-fazësh për heqjen dhe zëvendësimin e targave ilegale në tërë territorin e Kosovës. Kjo marrëveshje datonte që nga 2016-a, por që po shtyhej në zbatueshmëri, tashmë ajo po vihej më në theks mbi parimet e reciprocitetit që kryeministri Kurti po tentonte t’i jetësonte gjatë qeverisjes së tij. Ky vendim prodhoi reagime të shumta si nga bashkësia ndërkombëtare, e cila në atë kohë vlerësonte se ky vendim duhej shtyrë në kohë, ashtu edhe nga zyrtarët e lartë të Serbisë, të cilët paralajmëruan vendosjen e barrikadave. Kjo mund të cilësohej si lëvizja e parë e “gurëve të dialogut”, të cilët nuk po lëviznin tash e sa kohë.
Gati një vit më vonë fundi po e kuptimsonte fillimin. Më 25 shtator 2023 një grup terroristësh serbë sulmoi policinë e Kosovës nga Manastiri i Banjskës. Në diskutimet publike të asaj mbrëmjeje, më bëri përshtypje opinioni i profesor Nexhmedin Spahiut, i cili tha se qasja dhe fuqia në dialog nuk ndërrojnë, sepse Albin Kurti e ka lexuar Hegelin, porse veprimet në terren e ndërrojnë qasjen në dialog dhe krahas kësaj e forcojnë ose e dobësojnë pozicionin tonë dialogues, por a është e mundur të ndërrohet situata në terren pa e lexuar Hegelin? Të paktën në mënyrën si e ka bërë kryeministri Kurti.
Në dialektikën hegeliane lufta mes tezës dhe antitezës është e vazhdueshme deri në prodhimin e një sinteze, e cila në një kohë tjetër do të shndërrohej në tezë, e kështu me radhë. Sipas Hegelit, arsyeja pse qeniet njerëzore janë të përfshira në një proces të ndryshimit të përhershëm është se çdo situatë komplekse përmban më vete elemente konfliktuoze, të cilat e destabilizojnë vetë atë situatë. Pyetja themelore është, nga e kemi garancinë që kundërvënia jonë do të lërë gjurmë në sintezën e ardhshme?
Targat ishin nxitja e parë e elementeve konfliktuoze të një situate që ishte zhytur thellë në status qou. Natyrisht, kjo kishte nxitur elemente të tjera konfliktuoze nga pala tjetër, si rrjedhojë në fillim të nëntorit 2022 kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës kishin dhënë dorëheqje. Fërkimet e këtyre elementëve po vazhdonin kur pas dorëheqjes së kryetarëve dhe paralajmërimit të KM Kurti se zgjedhjet do të mbaheshin sipas afateve ligjore, një kundërvënie tjetër ndodhi. Në fillim të dhjetorit 2022, grupe të organizuara të serbëve në veri nisën vendosjen e barrikadave në veri të vendit, me qëllim bllokimin e qarkullimit të lirshëm në ato zona. Në pamundësi që të respektoheshin afatet ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve më 18 dhjetor 2022, siç ishin të parapara, presidentja Vjosa Osmani më 10 dhjetor 2022 shtyu zgjedhjet për vitin tjetër, data e re ishte caktuar më 23 prill 2023. Ndërmjetësit po e drejtonin gishtin nga pala kosovare si nxitëse e përshkallëzimeve; shpërthimi i një vatre të re konflikti në Ballkan po rëndonte mbi supet e tyre tash e sa kohë.
Në janar, ndonëse fillimvit, gjërat po qendërzoheshin, me to edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe, një pilulë që e kishim gëlltitur që nga 2013-a, por nuk po na e duronte assesi organizmi shtetëror e kushtetues. Emisarët amerikanë e ndërmjetësit evropianë i shtuan vizitat e tyre në Kosovë dhe Serbi, ndërsa deklaratat me shije më të hidhura i linin vetëm në Kosovë, esspressot e mëngjesit e makiatot e gatuara me dashuri në lokalet e Prishtinës nuk po i ëmbëlsonin dot këta emisarë. Në një pikë ata thanë se Asociacionin nuk mund ta ndalë një njeri i vetëm, duke iu referuar z. Kurti. Një marrëveshje ligjërisht e obligueshme me njohjen në qendër tashmë nuk po dukej fare në horizont, kjo po i ngjante lojës së “curling” në lojëra olimpike dimërore. Kryeministri Kurti e kishte shtyrë “gurin e njohjes” për në qendër, Aleksandër Vuçiq po e shtynte Asociacionin, ndërmjetësit po ia pastronin akullin më shumë Vuçiqit sesa Kurtit, andaj edhe “guri i Asociacionit” po lëvizte më afër qendrës.
Gurët po fillonin të zinin vend më 27 shkurt 2023, kur në Bruksel u takuan të gjitha palët për arritjen e një marrëveshjeje që tashmë kishte filluar të njihej si Plani franko-gjerman. Guri i Asociacionit kishte lëvizur para, ky entitet po përmendej në nenin 7 dhe nenin 10 të Marrëveshjes, brenda lojës dhe në pamundësi për t’u tërhequr, kryeministri Kurti kishte nxjerrë një gurë rezervë nga depoja e tij. Ai futi parimet mbi marrëdhëniet e mira fqinjësore, njohjen e simboleve shtetërore etj. Kjo më vonë do të portretizohej nga vetë z.Kurti si “kali” (Ndryshimi i gjendjes në terren) që e tërheq “qerren”(Asociacioni). Marrëveshjes do t’i bashkohej aneksi i zbatimit si pjesë integrale e saj, dokument ky i dakorduar për zbatim nga palët në Ohër më 15 mars 2023.
Çuditërisht, palëve nuk iu ishte kujtuar të diskutonin mbi zgjedhjet në 4 komunat e veriut të vendit. Rezultati doli i përçudnuar si vetë procesi, 4 shqiptarë ishin zgjedhur kryetarë të katër komunave të veriut të Kosovës me 2.4 % të votave të qytetarëve të atyre komunave. Për vendosjen e tyre në zyrat përkatëse do të duhej shoqërimi përmes njësive speciale policore, siç edhe ndodhi. Kjo lëvizje kishte irrituar një masë që asnjëherë nuk kishte ditur të lëvizte gurë, por gjithmonë i kishte shembur ata në përmasa që shkaktuan edhe luftëra e masakra të përgjakshme. Në fund të majit 2023, grupe bandash serbe në veri të vendit ua kishin mësyrë përleshjeve me misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR-in, duke plagosur 30 ushtarë të këtyre trupave.
Shembja e gurëve kishte filluar dhe kishte marrë inercionin e vet. Ndërmjetësit nuk po e vërenin akoma. Më 28 qershor 2023, për qasjen jokonstruktive në dialog u ndëshkua Kosova përmes masave të vendosura nga Bashkimi Evropian. Ironia e këtyre masave qëndronte në faktin se afro dy javë më parë 3 pjesëtarë të Policisë së Kosovës ishin kidnapuar nga forcat elitare serbe, ndërkombëtarët po e dënonin verbalisht Beogradin, ndërsa po e ndëshkonin konkretisht Prishtinën.
Një valë e re konfliktoze e elementeve që po përplaseshin në këtë terren filloi të ndodhte më 14 shtator, kur dështoi plani i sekuencimit të Marrëveshjes së Brukselit, respektivisht Ohrit. Këtu dukej se antiteza po e kryente punën e saj duke e luftuar tezën e status qou-së së dialogut. Sinteza kishte filluar të marrë formë. Kryeministri Kurti doli në konferencë dhe akuzoi ndërmjetësit që po ia mbanin anën Serbisë, ndërmjetësit dhe Vuçiqi thanë se Kurti nuk po pranonte asgjë, edhe qerrja, edhe kali po zhdukeshin në mjegull.
Dita e diel u dedikohet kishave dhe manastireve për lutje dhe pastrime shpirtërore, por kjo nuk do të vlente për një grup të armatosur rëndë të terroristëve që do t’ia mësynte Manastirit të Banjskës në orët e hershme të 24 shtatorit 2023. Policia e Kosovës në patrullimet e zakonshme hasi në grupin e armatosur, si pasojë mbeti i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku. Shembja e gurëve kishte filluar, elementet konfliktuoze kishin marrë flakë tashmë. Kryeministri Kurti doli në konferencë për shtyp në mesditë dhe tregoi në detaje aktin e pashembullt të cenimit territorial të një vendi nga grupet kriminale. Vuçiqi në anën tjetër po e shtynte konferencën e tij, tatëpjeta e këtij rrëzëmali po ia merrte të gjithë gurët poshtë, Perëndimi nuk po e vërente rrëshqitjen, Rusisë po i kërkohej të vendoste një digë që ta ndalte atë, Vuçiqi u kthye te streha e vjetër duke thënë se ambasadori rus në Beograd i dëgjoi kërkesat e tij. Christopher Hill, ambasadori amerikan në Beograd, nuk po dëgjohej asgjëkund; jehonat qortuese të tij ishin të rezervuar vetëm për Prishtinën.
Dialektika hegeliane kishte filluar fërkimin, katalizimi po ndodhte brenda mureve të tezës, sinteza që do ta prodhojë dialogu do të definohet së shpejti. Një gjë është e sigurt: gurët kanë lëvizur.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.