OpEd

Propagandistët e tiranisë po fitojnë

Mbështetja për mediat që funksionojnë në interes të publikut nuk është nostalgji për njëfarë epoke qetësie. Mundësia për të pasur qasje në informata të sakta në kohë reale është thelbësore për një demokraci që funksionon mirë. Për t’u mbrojtur nga dallga në rritje e autoritarizmit, lajmet e bazuara në fakte duhet të jenë lehtësisht të qasshme për të gjithë. Ora e kiametit e demokracisë liberale po i afrohet mesnatës. Duhet të veprojmë tani – apo të pendohemi për pavendosmërinë tonë gjatë tiranisë së gjatë të errësirës që pason

Sikur demokracia ta kishte orën e saj të kiametit, atëherë ajo do të ishte në dy minuta para mesnatës. Bazuar në analizën më të fundit të “Varieties of Democracy” (njohur si V-Dem), 72 për qind e popullsisë së botës jetoi nën autokraci vitin e shkuar, krahasuar me 50 për qind një dekadë më parë. Për të parën herë në më shumë se dy dekada ekzistojnë më shumë regjime autoritare sesa demokraci liberale – dhe ne nuk po bëjmë sa duhet për ta adresuar këtë kërcënim.

Zmbrapsja ka qenë shtanguese. Në Filipine, Ferdinand “Bongbong” Marcos Jr., i fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit të shkuar, 36 vjet pasi që revolta popullore e rrëzoi diktaturën e babait të tij. Në Brazil, me miliona njerëz ende refuzojnë ta pranojnë disfatën e ish-presidentit, Jair Bolsonaro, kundruall Luiz Inacio Lula de Silvas. Pushtimi i Rusisë në Ukrainë ka detyruar qytetarët e saj që të ngrihen kundër një okupuesi gjenocidal. Dhe në Egjipt, gjurmët e fundit të rezistencës ndaj autokracisë janë shtrënguar të lihen në hije. Në akëcilin kontinent, politikanët joliberalë po e portretizojnë demokracinë si relikt jopraktik historik.

Ne duhet të bëjmë më tepër për ta ndalur këtë rrëshqitje të shpejtë demokratike. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur demokracia qe kërcënuar ngjashëm, bota e lirë u bashkuan për ta krijuar një rend botëror më paqësor. Me sistemin multilateral që u krijua më 1944 në Bretton Woods, New Hampshire, dhe qysh nga formimi i Kombeve të Bashkuara vitin pasues, u hapet rruga dekadave të stabilitetit relativ dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në rrafshin e të drejtave të njeriut.

Sot ndodhemi në një moment të ngjashëm – me një kthesë të rëndësishme. Konflikti aktual midis autokracisë dhe demokracisë po luftohet jo vetëm në fushëbetejë dhe në arenë politike, por edhe në media sociale dhe në televizione transmetuese. Nëse duam që demokracia të mbijetojë, atëherë mediat e besueshme dhe të pavarura janë element esencial. Pa media të besueshme dhe të paanshme ne nuk mund të kemi fakte të përbashkëta; pa fakte të përbashkëta nuk mund të kemi llogaridhënie politike apo zgjedhje të lira; dhe pa zgjedhje të lira, demokracia nuk mund të mbijetojë. Dhe, megjithëkëtë, në kohën kur nevojitet më së shumti, gazetaria e mbështetur në fakte dhe në interes të publikut është drejt vdekjes. Rënia e vazhdueshme e të ardhurave nga reklamat e ka kufizuar skajshmërisht mundësinë e redaksive të lajmeve për t’i informuar qytetarët, për t’i shtyrë të fortët të japin llogari dhe për t’i treguar rrëfimet e rëndësishme.

Dështimi i modelit të të bërit biznes i gazetarisë ka shpjerë drejt dy dekadave të kolapsit në të ardhura, në shkurtimin e shpenzimeve dhe në shkarkimet nga puna. Me qindra organizata të lajmeve përreth botës janë mbyllur, përderisa akterët politikë i kanë kapur të tjerat si mjet për përhapjen e propagandës. Vetëm Kina ka shpenzuar përafërsisht 6.6 miliardë dollarë që nga viti 2009 për fuqizimin e ndikimit të saj medial ndërkombëtar, ndërsa Rusia shpenzoi së paku 1.5 miliardë dollarë vitin e shkuar në përpjekje të ngjashme.

Përpjekjet ndërkombëtare për ta mbështetur gazetarinë e pavarur kanë qenë të zbehta në krahasim. Sipas një raporti të 2022-s nga Qendra për Asistencë Ndërkombëtare për Media, fondet për këtë qëllim më 2019 ishin 385 milionë dollarë – rreth 0.3 për qind e asistencës së jashtme për zhvillim – dhe që atëherë nuk janë rritur. Kjo shumë është mjerueshëm e pamjaftueshme.

Fondet publike dhe ato private duhet ta rrisin mbështetjen për organizatat mediale deri në të paktën 1 për qind të asistencës globale për zhvillim, duke ofruar në këtë mënyrë një shumë prej 1 miliard dollarësh shtesë në vit për mbështetjen e gazetarisë që funksionon në interes të publikut.

Sfida përcaktuese e kohës sonë, shpëtimi i demokracisë, duhet të jetë përpjekje kolektive.

Sot, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, e mban Samitin e Dytë të Demokracisë, i cili synon t’i bëjë demokracitë “më të përgjegjshme dhe elastike”. Samiti i parë u mbajt (virtualisht) në dhjetorin e 2021-s dhe përfundoi me zotimin e disa liderëve shtetërorë – përfshirë Bidenin, kryeministren e atëhershme të Zelandës së Re, Jucinda Ardern, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron – për t’i ofruar mbështetje Fondit Ndërkombëtar për Media të Interesit Publik (IFPIM).

IFPIM është institucioni i parë multimedial i llojit të vet që synon rritjen e qëndrueshmërisë ekonomike të redaksive të lajmeve dhe ngritjen e një paradigme të re për gazetarinë në interes të publikut gjatë dekadës së ardhshme. Sot do të shpallim se IFPIM-ja ka pranuar kontribute financiare prej pothuajse 60 milionë dollarësh nga 16 donatorët, përfshirë disa qeveri dhe nëntë kompani e filantropë. Shumica e këtyre fondeve po i kontribuojnë në mënyrë domethënëse mbështetjes së mediave globale, për të parën herë. Do t’i shpallim po ashtu përfituesit e parë të granteve: që nga samiti i fundit, IFPIM-ja u ka ndarë fonde 11 redaksive të lajmeve në dhjetë vende, përfshirë Brazilin, Ukrainën, Nigerin, Tunizinë dhe Kolumbinë. Dhe, megjithëkëtë, fondet tona janë ende vetëm një fraksion i miliardave që autokratët i shpenzojnë për fuqizimin e rrjeteve të tyre të përhapjes së dezinformatave.

Në samitin e sotëm dhe gjatë këtij viti, shtetet demokratike duhet të ngrihen dhe të ndajnë fonde domethënëse drejt ashpërimit të luftës për median e pavarur. Demokracitë e kamura që prej kohësh e kanë kuptuar rëndësinë e shtypit të lirë, përfshirë vendet e G7-s, duhet t’i mobilizojnë burimet e tyre të shumta drejt mbështetjes së krijimit të një ekosistemi global të informimit që është më i qëndrueshëm karshi dezinformimit. Kompanitë private, të cilat mbështeten në informimin e saktë për t’u ngritur e rritur, duhet të marrin rol prijës në këtë përpjekje, duke angazhuar kapital për rregullimin e dështimit të tregut që e ka dobësuar gazetarinë në funksion të interesit publik.

Mbështetja për mediat që funksionojnë në interes të publikut nuk është nostalgji për njëfarë epoke qetësie. Mundësia për të pasur qasje në informata të sakta në kohë reale është thelbësore për një demokraci që funksionon mirë. Për t’u mbrojtur nga dallga në rritje e autoritarizmit, lajmet e bazuara në fakte duhet të jenë lehtësisht të qasshme për të gjithë. Ora e kiametit e demokracisë liberale po i afrohet mesnatës. Duhet të veprojmë tani – apo të pendohemi për pavendosmërinë tonë gjatë tiranisë së gjatë të errësirës që pason.

(Maria Ressa, bashkëthemeluese dhe bashkëkryesuese e Fondit Ndërkombëtar për Media të Interesit Publik, ka fituar çmimin “Nobel” për paqe më 2021 për punën e saj si gazetare hulumtuese në Filipine. Nishant Lalwani është shef ekzekutiv i Fondit Ndërkombëtar për Media të Interesit Publik. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë botërore “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).