Vështrime

1133 në Kosovë, 3372 në Bosnjë

Këto nuk janë shifra abstrakte. Pas këtyre shifrave gjenden emra fëmijësh. Kaq fëmijë u vranë nga agresorët serbë në Bosnjë dhe në Kosovë në vitet ‘90, por ky kapitull i errët nuk është temë në opinionin serb në Serbi dhe në Bosnjë. Rasti tragjik dhe i dënueshëm në një fshat në Shtërpcë, ku mbetën të lënduar dy të rinj serbë, është shembull tipik se si propaganda serbe keqpërdor një incident për nevoja të politikës ditore. Janë së paku tri raste të vrasjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës të cilat nuk janë ndriçuar kurrë nga autoritetet serbe. Për familjet e Nebi Nuhiut (i kidnapuar në vitin 2000), Dashnim Hajrullahut (i vrarë në vitin 2005) dhe Isuf Azizit (i vrarë në vitin 2009) nuk ka drejtësi

Le t’i mbetet drejtësisë ta gjejë të vërtetën se çfarë ndodhi këto ditë në një fshat të Komunës së Shtërpcës. Gjithsesi është tragjike që nga sjellja e papërgjegjshme e një pjesëtari të FSK-së mbetën të plagosur, fatmirësisht lehtë, dy të rinj të përkatësisë etnike serbe dhe shtetas të Kosovës. Përdorimi i armës nga një person zyrtar përherë duhet të jetë akti final dhe jo mjet për hapjen e rrugës kur ajo është e bllokuar. Po të përdoreshin armë për heqjen e kolonave me vetura në Veternik, atëherë kjo pjesë e Prishtinës qëmoti do të ishte fushëbetejë e kasaphane.

Reagimi i shpejtë i autoriteteve të Kosovës që çoi në arrestimin e të dyshuarit për plagosjen e dy të rinjve serbë meriton lëvdatë. Sipas nënës së njërit prej të plagosurve, i biri i saj është qëlluar nga një plumb qorr, i cili ka devijuar nga asfalti ku është shkrepur nga dorasi i dyshuar. Nëse është e vërtetë, kjo e relativizon ngjarjen, por nuk e shfajëson krejtësisht të dyshuarin. Por në deklaratën e dytë nëna e viktimës tani tregohet “e bindur” se bëhet fjalë për tentim vrasje.