Marina franceze ka hipur në bordin e një tankeri nafte që ishte subjekt i sanksioneve ndërkombëtare dhe po lundronte nga Rusia, ka njoftuar presidenti francez, Emmanuel Macron.
“Ky operacion u zhvillua në Oqeanin Atlantik, në ujëra ndërkombëtare, me mbështetjen e disa partnerëve, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, dhe në përputhje të plotë me të drejtën detare. Është e papranueshme që anijet të anashkalojnë sanksionet ndërkombëtare, të shkelin të drejtën e detit dhe të financojnë luftën që Rusia po zhvillon kundër Ukrainës prej më shumë se katër vjetësh”, ka shkruar Macron në X.
Ai ka shtuar se tankeri quhej Tagor.
Prefektura Detare e Atlantikut deklaroi veçmas të hënën se marina franceze kishte ndërhyrë në një tanker nafte më shumë se 740 kilometra në perëndim të gadishullit të Brittany, i cili vinte nga Murmansk.
"Ky operacion kishte për qëllim verifikimin e kombësisë së një anijeje që dyshohej se po lundronte nën një flamur të rremë. Pasi ekipi i inspektimit hipi në bord, shqyrtimi i dokumenteve konfirmoi dyshimet për parregullsi lidhur me flamurin që mbante anija. Në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me kërkesë të prokurorit publik, anija u devijua nga kursi i saj,” thuhej në deklaratë.
Franca dhe Mbretëria e Bashkuar janë zotuar të pengojnë anijet e lidhura me të ashtuquajturën “flota në hije” e Rusisë, e cila është subjekt i sanksioneve, kur ato kalojnë nëpër ujërat e tyre.
Edhe
Kremlini dënon ndalimin nga Franca të një anijeje ruse me naftë
Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka njoftuar në mars se kishte autorizuar ushtrinë britanike të hipte në bord të anijeve që i përkasin kësaj “flote në hije”.
Megjithatë, të dhënat e lundrimit tregojnë se dhjetëra anije të lidhura me Rusinë dhe të sanksionuara vazhdojnë ende të kalojnë përmes ujërave britanike.
Kremlini dënon ndalimin nga Franca të një anijeje ruse me naftë
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar të hënën se Rusia e konsideron të paligjshëm ndalimin nga Franca të një tankeri rus nafte në Oqeanin Atlantik.
“Ne nuk pajtohemi aspak me pretendimin se po kryhen në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare”, ka thënë Peskov për veprimin, duke e quajtur atë pirateri.
Marina franceze, me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar, ka ndaluar një tanker nafte që ishte subjekt i sanksioneve ndërkombëtare dhe po udhëtonte nga Rusia.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka njoftuar operacionin në një postim në rrjetin X të hënën.
Postimi përfshinte një video ku shihej një person duke zbritur me litar nga një helikopter mbi anije.
Ky është rasti më i fundit në një seri ndërhyrjesh të marinës franceze ndaj tankerëve që dyshohen se kanë lidhje me Rusinë.
“Është e papranueshme që anijet të anashkalojnë sanksionet ndërkombëtare, të shkelin të drejtën e detit dhe të financojnë luftën që Rusia po zhvillon kundër Ukrainës prej më shumë se katër vitesh”, ka shkruar Macron.
“Këto anije, që nuk respektojnë rregullat më elementare të lundrimit detar, përbëjnë gjithashtu një kërcënim për mjedisin dhe sigurinë e të gjithëve”, ka shtuar ai.
Të ardhurat nga nafta janë një pjesë kyç e ekonomisë ruse, duke i mundësuar presidentit Vladimir Putin të financojë operacionet ushtarake në Ukrainë pa përkeqësuar ndjeshëm inflacionin për qytetarët e zakonshëm dhe pa shkaktuar kolaps të monedhës kombëtare.
Besohet se Rusia përdor qindra anije në një të ashtuquajtur “flotë në hije” për të shmangur sanksionet ndërkombëtare të vendosura për shkak të luftës në Ukrainë.
Franca dhe vende të tjera janë zotuar të godasin këtë rrjet anijesh që shmang sanksionet.
Autoritetet detare franceze kanë thënë se tankeri u ndalua më shumë se 700km në perëndim të Francës, në ujëra ndërkombëtare të Atlantikut. Sipas deklaratës zyrtare, ai kishte nisur udhëtimin nga porti rus Murmansk në veriperëndim të vendit.
Sipas autoriteteve, tankeri dyshohet se po operonte nën një flamur të rremë dhe marina franceze po e shoqëron aktualisht drejt një zone ankorimi për kontrolle të mëtejshme.
Ndër tankerët e ndaluar më parë nga Franca përfshihet edhe Deyna, i cili u kontrollua në Detin Mesdhe në mars.
Një tjetër tanker, Grinch, i ndaluar në Mesdhe në janar, u lirua në shkurt pasi pagoi një gjobë prej disa milionë eurosh.