Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kandidati pro-Trump kryeson garën në zgjedhjet presidenciale në Kolumbi

Aberaldo de la Espriella

Juristi me qëndrim të ashpër ndaj krimit, Aberaldo de la Espriella, ka dalë në krye të garës presidenciale në Kolumbi në rundin e parë të votimit të dielën në mbrëmje, duke siguruar një balotazh me Ivan Cepeda, aleat i presidentit në largim të Kolumbisë, Gustavo Petro, i cili vuri në dyshim rezultatet e zgjedhjeve.

Meqenëse asnjë kandidat nuk ka arritur shumicën absolute të votave, zgjedhjet do të shkojnë në një rund të dytë në qershor.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Por Cepeda dhe Petro kanë hedhur dyshime mbi rezultatet e rundit të parë, duke pretenduar pa paraqitur prova se qindra mijëra vota ishin manipuluar dhe se aktorë të huaj kishin ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.

Cepeda ka thënë se po priste që autoritetet zgjedhore të shqyrtonin rezultatet përpara se t’i pranonte ato.

“Vetëm kur komisionet e numërimit të votave të kenë sqaruar plotësisht atë që ka ndodhur, ne do të komentojmë rezultatet e kësaj mbrëmjeje”, ka thënë Cepeda, megjithëse ka pranuar se zgjedhjet me shumë gjasa do të shkojnë në rundin e dytë.

Cepeda ka fituar 41% të votave, ndërsa de la Espriella ka fituar 44%, sipas 99.98% të votave të numëruara nga autoritetet zgjedhore.

Cepeda është një senator progresist që ka premtuar të vazhdojë një plan të vështirë për arritjen e “paqes totale”, përmes negociimit të marrëveshjeve të paqes me grupet guerile dhe bandat kriminale.

Ai kishte kryesuar vazhdimisht sondazhet para votimit të së dielës, por në javët e fundit para zgjedhjeve de la Espriella fitoi me shpejtësi mbështetje duke premtuar se do të godiste ashpër grupet e armatosura.

Rezultati shumë i ngushtë mes kandidatëve ka të ngjarë të paraqesë vështirësi për Cepedan në balotazh, pasi pritet që de la Espriella të tërheqë mbështetjen e votuesve që në raundin e parë votuan për një kandidat tjetër konservator.

De la Espriella, një figurë e re në politikë, i njohur si “El Tigre” (Tigri), është përpjekur të paraqitet si mbështetës i presidentit amerikan, Donald Trump.

“Le të monitorojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partitë demokratike këtë balotazh. Unë do ta udhëheq këtë betejë, do të jem luftëtari më i mirë i Kolumbisë”, ka thënë de la Espriella në një fjalim dielën në mbrëmje.

Votuesit në mbarë Amerikën Latine po largohen gjithnjë e më shumë nga liderët që promovuan politika progresiste për të adresuar shkaqet themelore të konflikteve, si mungesa e mundësive për të rinjtë dhe korrupsioni. Në vend të kësaj, ata po i drejtohen kandidatëve që premtojnë masa të rrepta sigurie dhe goditje të forta ndaj krimit.

Ky votim i polarizuar zhvillohet në një kohë kur administrata Trump po luan një rol më agresiv në Amerikën Latine se çdo qeveri amerikane në dekada, duke ushtruar presion në rritje mbi vende si Kolumbia, Meksika dhe Ekuadori për të luftuar më ashpër krimin.