OpEd

Me gjithë pengesat, e vetmja zgjidhje për Ballkanin është BE-ja

Duhet rikujtuar se BE-ja, me gjithë të metat që ka dhe gabimet që shpesh i bën në rajon, është e vetmja rrugë që vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor duhet ta ndjekin. Fundi i fundit, ndonëse edhe Turqia, në disa raste edhe Kina e Rusia, apo Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari, kanë ndihmuar - ndihma më e madhe, megjithatë, ka ardhur nga BE-ja. Por duket sikur politikanët e rajonit e konsiderojnë si të garantuar ndihmën që vjen nga BE-ja dhe Perëndimi dhe nuk e shohin të rëndësishme t’u falënderohen sikur iu falënderohen liderëve të vendeve të tjera

Është bërë tashmë e zakonshme që liderët e rëndësishëm botërorë në vendet e Ballkanit Perëndimor të priten me pompozitet dhe nderime, të cilat rrallëherë u bëhen kolegëve të tyre nga Perëndimi. Javën e shkuar pritje madhështore në Beograd, Sarajevë dhe Zagreb iu bë presidentit të Turqisë, Recep Tayp Erdogan. Nuk ka dyshim se ai është një prej liderëve më të rëndësishëm në këtë moment në botë. Është në krye të një shteti të madh, i cili ka rëndësi të veçantë edhe tash në kohën kur po shënon një tkurrje të madhe ekonomike. Turqia në secilin kuptim të fjalës po e ruan edhe sot rolin e lidhjes mes Lindjes dhe Perëndimit, duke qenë partner i pazëvendësueshëm edhe për Lindjen, edhe për Perëndimin. Dhe, edhe Lindja edhe Perëndimi, edhe kur janë të pakënaqur me qëndrimet e Turqisë, e mbajnë atë si partnere të pazëvendësueshme.

Kështu Turqia sot është mike e Perëndimit, por edhe e Rusisë. Ajo i shet armë Ukrainës dhe nuk i mbështet sanksionet ndaj Rusisë. Presidenti Erdogan, që e përsëriti edhe gjatë qëndrimit të tij treditësh në tri vendet e Ballkanit Perëndimor, nuk flet për “agresionin rus ndaj Ukrainës” siç thonë në NATO dhe në BE, por për “luftën mes Rusisë dhe Ukrainës”. Ai ndërmjetësoi dhe në arritjen e disa marrëveshjeve, siç ishte ajo për shitjen e drithit nga Ukraina që mori lejen e Rusisë për të kaluar përmes Detit të Zi.

Pritjen më madhështore, Erdogani e pati në Serbi. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u thuri lavde atij dhe Turqisë. Tha se tash jemi duke jetuar në një “periudhë të artë të raporteve të Turqisë me Serbinë”. Foli për miliarda investime të Turqisë, për rrugët që po ndërton Turqia në Serbi. E, Erdogani bëri thirrje që kjo situatë e raporteve të shkëlqyeshme të shfrytëzohet për të rritur edhe më shumë shkëmbimin tregtar. Bëri thirrje që nga 2 miliardë euro sa është tash shkëmbimi mes Serbisë dhe Turqisë të rritet në 5 miliardë euro në vit.

Në Beograd, Vuçiqi nuk e tha asnjë fjalë të keqe për Turqinë. Nuk tha se “do të ishte më e logjikshme t’i shpallim sanksione Turqisë sesa Rusisë, sepse Turqia e ka shkelur integritetin territorial të Serbisë duke e njohur Kosovën”. Ai këtë e tha para presidentit të Sllovenisë, por jo edhe para Edroganit.

Erdogani u mirëprit edhe në Sarajevë dhe atë nga të tre pjesëtarët e Presidencës së këtij shteti. Për habi, ai është i mirëpritur edhe nga lideri i serbëve të Bosnjës, MiIorad Dodik, një person që është nën sanksione të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe.

Pritje madhështore iu bë edhe në Zagreb dhe në qytetin Sisak në Kroaci. Presidenti i Kroacisë, Zoan Milanoviq, foli për raportet tradicionalisht të shkëlqyera mes Turqisë dhe Kroacisë, e këtë vit shënohet 30-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Zagrebit dhe Ankarasë. Milanoviq nuk harroi të përmendë se ish-presidenti i Turqisë, Demirel, ishte i vetmi burrështetas i huaj, i cili mori pjesë në funeralin e presidentit të parë të Kroacisë, Franjo Tugjman. Falënderoi Turqinë edhe për faktin se ishte ndër shtetet e para që u doli në ndihmë viktimave të tërmetit që goditi Kroacinë. E Erdogani, pasi hapi një qendër kulturore islamike në qytetin Sisak, e shpalli Kroacinë si “shtetin me tolerancën më të madhe në Evropë për islamin” dhe shtet ku “nuk ka islamofobi” si në disa vende të Evropës Perëndimore.

Kështu presidenti i Turqisë dëshmoi se ka aftësi të jetë miku më i mirë edhe i Serbisë, edhe i Kroacisë, të mbështesë Kosovën si shtet e këtë të mos ia merr për të keq Serbia.

Por ajo që u vërejt në paraqitjet e Erdoganit në Beograd, Sarajevë dhe Zagreb ishte një retorikë antiperëndimore. Qortoi qëndrimet e Perëndimit kundër Rusisë. Për problemet në Bosnjë-Hercegovinë fajësoi Marrëveshjen e Daytonit, një prodhim po ashtu perëndimor.

Dhe mikpritësit e tij ishin të gatshëm të përqafonin këto kritika.

Pa dyshim se Turqia është një vend që ka ndikim të madh në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ka raporte të mira, madje të shkëlqyeshme me të gjitha vendet e rajonit. Ka investime në të gjitha këto vende. Dhe si anëtare e NATO-s ka luajtur rol të rëndësishëm edhe në operacionet e kësaj aleance në rajon.

Por mirëkuptimi që Turqia shfaq për Rusinë, kundërshtimi dhe kritikat ndaj sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë, krahas retorikës antiperëndimore, është diçka që e shqetëson Brukselin. Brukseli nuk e krahason rolin e Turqisë në rajonin e Ballkanit me atë të Rusisë. Sepse Turqia është aleate në NATO dhe nuk ka qëllime ta destabilizojë rajonin e Ballkanit. Rusia e ka këtë qëllim. Turqia ka raporte të mira me të gjitha shtetet, ndërsa Rusia rolin e saj destruktiv e kryen vetëm përmes Serbisë dhe elementeve që i kontrollon Beogradi si serbët në Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë dhe Mali të Zi.

Problemi për BE-në është se Turqia është larguar nga rruga e saj drejt integrimit. Pa dyshim se faj të madh për këtë ka BE-ja, sepse ka dëshmuar se ndaj Turqisë nuk është e sinqertë. Por edhe Turqia ka bërë shumë hapa që të largohet nga Bashkimi Evropian. BE-ja nuk ka problem me rolin e Turqisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por tërheq vërejtjen se Turqia nuk është shembull i mirë sa i përket respektimit të vlerave evropiane, lirisë së mediave, pavarësisë së gjyqësorit dhe shumë gjërave të tjera.

Ndoshta për liderët e rajonit të Ballkanit është më e këndshme kur si mysafir u vjen Erdogani sesa kur u vijnë liderët nga Perëndimi. Sepse Erdogani nuk kërkon atë që kërkojnë liderët perëndimorë. Ai nuk i bën presion Serbisë të mbështesë sanksionet ndaj Rusisë, as që të lejojë mbajtjen e paradës së krenarisë, as për kontrollin dhe presionin ndaj mediave. Këtë e bëjnë liderët e Perëndimit.

Duhet rikujtuar se BE-ja, me gjithë të metat që ka dhe gabimet që shpesh i bën në rajon, është e vetmja rrugë që vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor duhet ta ndjekin. Fundi i fundit, ndonëse edhe Turqia, në disa raste edhe Kina e Rusia, apo Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari, kanë ndihmuar - ndihma më e madhe megjithatë ka ardhur nga BE-ja. Por duket sikur politikanët e rajonit e konsiderojnë si të garantuar ndihmën që vjen nga BE-ja dhe Perëndimi dhe nuk e shohin të rëndësishme t’u falënderohen sikur iu falënderohen liderëve të vendeve të tjera.

Prandaj përshtypja në shumë vende të rajonit është sikur të gjithë u kanë ndihmuar më shumë sesa BE-ja. Por realiteti është se askush as për së afërmi nuk u ka ndihmuar më shumë sesa BE-ja dhe vendet e saj anëtare.