OpEd

Evropa të jetë më e ashpër ndaj mohuesve të gjenocidit në Srebrenicë

Relativizim është edhe kur thuhet se në Srebrenicë ka ndodhur “një masakër e tmerrshme”, por nuk përmendet termi gjenocid. Relativizim është kur thuhet se “ai ka qenë krim sikur edhe krimet e tjera nga të gjitha kombet kundër kombeve të tjera”. Relativizim ka bërë edhe Komisioni Evropian, i cili nga raporti për Serbinë ka hequr referencën e cila flet se në Serbi nga niveli më i lartë vazhdon të mohohet, pa pasoja, gjenocidi në Srebrenicë. Jo një, por disa gjykata ndërkombëtare, me verdikte përfundimtare, kanë konstatuar se vrasja e mbi 8000 burrave dhe djemve boshnjakë në rajonin e Srebrenicës ka qenë gjenocid

Përvjetori i 27-të i gjenocidit në Srebrenicë këtë vit ka qëlluar të jetë në kohën e festës më të madhe të besimtarëve myslimanë. Këtë vit ata kanë edhe gëzim, për festën e madhe, edhe pikëllim, se në ato ditë do të kishin dëshirë t’i kenë më të dashurit e tyre pranë, e nuk i kanë. Akoma 27 vjet më vonë, disa prej të mbijetuarve nuk e dinë se ku janë eshtrat e bijve, burrave, etërve apo vëllezërve të tyre të vrarë në mënyrën më brutale të mundshme nga forcat serbe në verën e vitit 1995. Secilin vit identifikohen dhjetëra viktima të këtij gjenocidi dhe bëhet varrimi i mbetjeve të tyre mortore. Këtë vit disa nga familjarët kanë pasur dilema a të pajtohen me varrimin simbolik të familjarëve të tyre të vrarë. Sepse pjesët e trupit që janë gjetur në varreza masive janë shumë të pakta. Dhe, siç kemi parë edhe në disa raste me zbulimin e eshtrave të të vrarëve në Kosovë, janë gjetur gjymtyrë të personit të njëjtë në disa varreza të ndryshme.

Kujtimi i gjenocidit në Srebrenicë nxit në javën e dytë të korrikut zakonisht edhe zgjimin e ndërgjegjes së Evropës. Nxit kujtimin sesi forcat e Ratko Mlladiqit kryen këtë krim para syve të paqeruajtësve ndërkombëtarë dhe Evropa nuk bëri asgjë. Prandaj, kur e kujtojnë këtë gjenocid, liderët evropianë e pranojnë se ai ka qenë edhe një dështim i Evropës për të siguruar zbatimin e premtimit që ishte dhënë pas gjenocidit në Luftën e Dytë Botërore që gjërat e tilla “kurrë më të mos ndodhin në tokën e Evropës”.

Kujtimi i krimeve të tilla, e gjenocidi është krim mbi krimet, bëhet shpesh edhe për të dërguar mesazhin se gjërat e tilla nuk bën të përsëriten. Lufta në Ukrainë dhe krimet ruse atje kanë sjellë edhe një herë në kujtesë edhe tragjeditë që ndodhën në territorin e ish-Jugosllavisë.

Por qasja e Evropës ndaj Srebrenicës ka edhe një mungesë të madhe. A ekziston sinqeriteti i institucioneve të BE-së dhe i liderëve që t’i dënojnë vërtet ata që mohojnë gjenocidin. Edhe këtë vit me siguri përfaqësuesit e BE-së do të përsëritin thirrjet që “të mos mohohet apo relativizohet gjenocidi dhe të mos shtrembërohen faktet historike”. Do të thonë se “nuk ka vend në Evropë për ata që mohojnë gjenocidin”. E kanë thënë secilin vit dhe do ta thonë përsëri.

Por, siç është dëshmuar nga e kaluara, asnjë pasojë nuk ka për ata që e mohojnë gjenocidin. Ata janë të mirëpritur në Bruksel, Paris, Berlin, Londër, Washington, Ankara, Romë, por edhe në Tiranë. Quhen partnerë, me të cilët ndërtohet e ardhmja e rajonit.

Mohimi i gjenocidit në Srebrenicë nuk bëhet nga “disa politikanë në rajon”. Ai mohim është qëndrim zyrtar i shtetit të Serbisë, i entitetit serb në Bosnjë-Hercegovinë, i partive proserbe në Mal të Zi dhe i politikanëve me përkatësi etnike serbe në Kosovë.

Reagimet e tyre shkojnë nga relativizimi deri te mohimi. Mediat në Serbi dhe ato që kontrollohen nga strukturat politike serbe në vendet e tjera, jo vetëm se e relativizojnë gjenocidin, por edhe e falënderojnë Rusinë pse në OKB me veto ka parandaluar miratimin e rezolutës e cila mohon gjenocidin. Thonë se “Rusia e ka shpëtuar popullin serb që të mos i vishet imazhi i popullit gjenocidial”.

Në rrugët e qyteteve të Serbisë dhe të vendeve të tjera të rajonit ku jetojnë serbët, mund të shihen edhe grafite që glorifikojnë përgjegjësit për gjenocid. Relativizimi që i bën Evropa gjenocidit, duke e përmendur një herë në vit sa për sy e faqe e duke mos ndërmarrë asgjë ndaj mohuesve, ka inkurajuar edhe strukturat politike serbe që të forcojnë qëndrimet e tyre se “gjenocidi nuk ka ndodhur”.

Relativizim është edhe kur thuhet se në Srebrenicë ka ndodhur “një masakër e tmerrshme”, por nuk përmendet termi gjenocid. Relativizim është kur thuhet se “ai ka qenë krim sikur edhe krimet e tjera nga të gjitha kombet kundër kombeve të tjera”. Relativizim ka bërë edhe Komisioni Evropian, i cili nga raporti për Serbinë ka hequr referencën e cila flet se në Serbi nga niveli më i lartë vazhdon të mohohet, pa pasoja, gjenocidi në Srebrenicë. Jo një, por disa gjykata ndërkombëtare, me verdikte përfundimtare, kanë konstatuar se vrasja e mbi 8000 burrave dhe djemve boshnjakë në rajonin e Srebrenicës ka qenë gjenocid

Është rasti i vetëm i gjenocidit në territorin e Evropës i konfirmuar me verdikte të tilla që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Kjo nuk do të thotë se nuk ka pasur gjenocid edhe në rastet e tjera, por ky ka qenë rasti i parë i konfirmuar edhe me vendime përfundimtare. E ka konfirmuar në disa raste Gjykata Ndërkombëtarë për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi në Hagë, por edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në rastin e Bosnjë-Hercegovinës kundër Serbisë.

pos dënimit moral të mohuesve të gjenocidit, ka edhe bazë ligjore që ndaj tyre të ndërmerren edhe masa ndëshkuese. BE-ja këtë mund ta bëjë edhe përmes refuzimit që me të tillë të ketë takime në nivel të lartë, ku pranohen me nderime të larta.

Me sjellje të tillë, BE-ja nuk e ndihmon as shoqërinë e Serbisë që të përballet me të kaluarën dhe me krimet që shpesh janë bërë edhe në emër të saj. Në Serbi janë në pushtet njerëzit që dikur ishin bashkëpunëtorë të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, i cili edhe i nisi luftërat kundër Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës. Dikur ata donin të distancoheshin nga e kaluara, por tash janë inkurajuar dhe nuk e bëjnë një gjë të tillë.

Pikërisht për shkak të narracionit që kanë mediat nën kontrollin e pushtetit në Serbi, shumica e madhe e qytetarëve nuk besojnë se ka ndodhur gjenocidi në Srebrenicë. Kur kjo të merret parasysh, mund të kuptohet se pse mbi 80 për qind e qytetarëve të Serbisë janë kundër sanksioneve që Perëndimi ka vendosur kundër Rusisë për shkak të agresionit dhe krimeve në Ukrainë. Qëndrimet e tilla mund të jenë e drejtë e serbëve, por kjo duhet të ketë edhe çmimin e vet. BE-ja nuk duhet të sillet sikur një shoqëri që refuzon të përballet me të kaluarën, që ralativizon apo mohon krimet e gjenocidit, që është kundër sanksioneve ndaj Rusisë, të konsiderohet si e denjë për t’u integruar në BE.

Në këtë mënyrë, duke qenë në mënyrë të patolerueshme tolerante ndaj Serbisë, BE-ja po godet edhe ato qarqe në Serbi që po luftojnë për t’u përballur me të kaluarën. Ndonëse të pakta, dhe vazhdimisht nën sulme për “tradhti”, ato vazhdojnë. Këto ditë kemi pasur thirrje nga organizatat qytetare në Serbi që të pranohet se në Serbi ka ndodhur gjenocidi. Një prej thirrjeve të tilla që u shpërnda, e që nuk pati jehonë në mediat serbe, ishte ajo e organizatave joqeveritare nga Vojvodina.

“Vitet kalojnë e turpi rritet, jo vetëm për shkak të rolit të Serbisë në këtë krim, por për faktin se ekziston një tendencë e qartë për disa dekada që të tentohet-përkundër fakteve të panumërta të konfirmuara nga gjykatat - të minimizohet, relativizohet, mohohet apo thjesht të harrohet ai”, thonë këto organizata.

“Për shkak se asnjëherë si shtet dhe si qytetarë nuk jemi përballur me politikën kriminale të të nëntëdhjetave, por, përkundrazi, i kemi rehabilituar, jetojmë në një shoqëri politikisht dhe moralisht të shkatërruar, e cila ngadalë, por sigurt, e humbë secilën shpresë për një të ardhme me dinjitet”, pohojnë ato. Konkludojnë se “është për keqardhje si kemi ardhur në situatë që në Serbi sot pushtetin e kanë, dhe atë pa kufi, ata politikanë dhe ato politika që në vitet nëntëdhjetë me meritë na vendosën në shtyllën e turpit, edhe shumë prej atyre që atëherë ishin kundër Millosheviqit dhe politikës së tij, madje edhe ata që dikur dinin të ngrinin zërin kundër luftës dhe krimeve të luftës”.

Ne kësaj do t’i shtonim se është për keqardhje që politikat dhe politikanët që dikur ishin pjesë e regjimit të Millosheviqit, e që edhe sot nuk e dënojnë atë politikë, kanë mbështetje të madhe edhe të BE-së, edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe të shumë e shumë vendeve të tjera.