OpEd

Rrëfime të shkurtra e kalimtare të gjashtë ditëlindjeve jubilare e kalimtare

Një kalim i shpejtë nëpër moshë

1.

Ditën që mbusha dhjetë vjet kuptova se duhej të ishte diçka e veçantë, sepse quhej jubilare.

Kremtja u bë në rezidencën e ambasadorit të RSF të Jugosllavisë në Bolivi. Ambasador ishte qe katër muaj babai im; kishim ardhur nga Prishtina në një vend që ishte krejtësisht ndryshe prej jetës që kishim bërë dhe vendit ku ishim të lindur dhe kishim jetuar.

Hapa dhuratën, disa vetura të vogla të koleksionit “Matchbox” , kopje perfekte miniaturale - të madhësisë së një kutie të mesme shkrepësesh - të veturave të njohura botërore.

Në kodrën përballë bahçes së rezidencës rrinte një ushtar. Një muaj më vonë në kodër do të ishin më shumë ushtarë. Kishte ndodhur grusht shteti, nga bahçja shihnim se si avionët fluturonin drejt një pike ku bombardonin minatorët e ardhur nga qytetet e tjera për të mbrojtur presidentin e deridjeshëm kushtetues.

Në rezidencë u fsheh rektori i deridjeshëm i Universitetit, i biri i një emigranti kroat, profesor i sociologjisë, aktivist i majtë dhe njeri që mund të shndërrohej në kufomë po të dilte nga shtëpia haptazi.

2.

Ditën që mbusha njëzet isha në Meksikë.

Dola gjatë ditës me miq, shokë të studimeve dhe shokë të futbollit amerikan.

Vajza me të cilën kaloja ma solli një kokërr fiku të gjelbër e të madh,- gjë e rrallë për të gjetur në qytetin e Meksikës - sepse kishte mbajtur mend sesi më ishin zmadhuar sytë në një rrëfim timin, tashmë të harruar nga unë, mbi fiqtë dhe plazhet dhe ujin e detit në pushimoren Kamenovë të Kosovës.

Në fakultetin tim, të Filozofisë dhe Letërsisë, atë vit kishte posterë gjithandej për shtypjen brutale ndaj demonstratave të Kosovës.

Posterët ishin të vizatuar me të kuqe, figurat e viktimave dhe viktimizuesve ishin dukshëm socrealiste. Viktimizuesi, regjimi i ish-Jugosllavisë, quhej “revizionist”, ndërsa viktimat, studentët shqiptarë, “forcë e vërtetë revolucionare marksiste”.

Shpërndarësit e posterëve ishin pjesëtarë të një grupi maoist në universitetin tim, UNAM.

3.

Ditëlindjen e 30-të e prita me flokë shumë të shkurtër.

Tri javë më parë kisha qenë në burg. Më futën në burg sepse, mes të tjerash, “ofendova ndjenjat e qytetarëve serbë dhe malazez” me organizimin e “Varrimit të dhunës”, demonstratave më të mëdha kundër luftës kudo në ish-Jugosllavi.

Nga fundi i vitit 1989, kur dola si njëra prej figurave të “Alternativës kosovare” , na ishte thënë mua dhe shumë shokëve të mi se do të përfundonim në burg, e nëse nuk jemi me fat, edhe të vdekur.

Që në momentin e parë kur më futën në burg, më çuan te berberi, i cili m’i hoqi flokët me makinën e rrojës. Drejtori i burgut do t’i thoshte avokatit tim, Bajram Kelmendi, se punën e qethjes e kishte porositur vetë Slobodan Milosheviqi- një kërcënim që pastaj ua përsëriste opozitarëve serbë.

Njëra vajzë imja kishte 3, ndërsa tjetra një vit moshe, të mbrojtura mjaftueshëm nga njohuritë e një jete nën kërcënim të përditshëm për jetë a vdekje.

4.

I mbusha dyzet, pa i treguar kujt, në Shkup, në zyrën e ambasadorit James Pardew dhe ish-ministrit francez Leotard.

Që të dy kishin sytë e buzëqeshur dhe më thanë se e pranonin draftin e fundit të parimeve që do të shndërroheshin në Marrëveshjen e Ohrit. Më lutën që t’ia përcillja këtë porosi Ali Ahmetit, komandant i UÇK-së në Maqedoni. Nëse ai pranon do të kemi paqe, më thanë. Nga maji i atij viti kisha ndërmjetësuar Marrëveshjen e Prizrenit, që bashkoi faktorin politik dhe ushtarak shqiptar në Maqedoni, dhe pastaj kisha ndihmuar për sajimin e parimeve që do të bëheshin Marrëveshja e Ohrit.

Rrugës për në Kosovë, nëpër Tetovë e Jazhincë, mora lajmin se lufta në Maqedoni do të përfundonte e do të fillonte një proces paqeje që do ta ndryshonte atë që pastaj do të quhej Republika e Maqedonisë Veriore drejt integrimit të shqiptarëve si popull i barabartë në të.

Tre muaj më parë mora kërcënim të hapur prej diplomatëve se do të shpallesha terrorist së bashku me kryengritësit në Maqedoni.

Ndërsa kaloja kufirin e Kosovës mora thirrje nga një diplomate amerikane. Në epokën para Facebookut i kishte rënë në mend, ndër njerëzit e rrallë jashtë familjes sime, se e kisha ditëlindjen.

5.

Disa ditë para se t’i mbushja pesëdhjetë, ambasadori Chris Dell lansoi një intervistë të paprecedencë sulmi kundër meje, personalisht. Qe vështirë e paramendueshme kudo që një ambasador amerikan t’i sulej një qytetari të rëndomtë, si puna ime, pa funksione publike, e aq më pak dikujt që deri para pak kohësh konsiderohej si mik.

Megjithatë, përjetova ditëlindje gëzimi mes familjarësh miqsh e dashamirësh.

Blerta solli praninë e vet si dhuratën më të mirë. Brenda pranisë së saj fizike ishte një jetë që po zhvillohej e që pas tre muajsh do të ishte fëmija ynë i parë.

Ambasadori Dell do të largohej. Pas ca kohësh revista prestigjioze “Foreign Policy” botoi një artikull investigativ lidhur me ndërtimin korruptues të autostradave në Kosovë, për të cilat qe angazhuar drejtpërsëdrejti Ch. Dell. Sipas artikullit, Kosova mund të ketë humbur deri në 300 milionë dollarë.

6.

I mbusha 60 në Qerret me Blertën, dy vajzat, njërin dhëndër, dy djemtë dhe mbesën.

Nuk kisha lexuar lajme e as shikuar TV.

Kur erdhi koha për të fryrë qirinjtë e tortës, që të gjithë u përbashkuam; era e pasdites bëri punën e vet.

Dy ditë më vonë Blerta ma bëri një foto në plazh. Dukesha i gëzuar dhe i gatshëm për not në kohë dhe hapësirë.

Kur ta botoj fotografinë, do t’i vë këtë sigël:

Mosha shënon rrëfimet që do treguar ende.

Age marks still stories to be told.

La edad marca historias aún para contar.

Dob označava priče koje tek treba ispričati

Gjashtëdhjetë-Sixty-Sesenta-Šezdeset