OpEd

Testi Evropian i Kurtit

Vizita e Kurtit në Bruksel, përveçqë ka vendosur standard të ri për liderët e Ballkanit, ofroi një mundësi që të prezantohet një model i liderit të ri nga rajoni në skenën ndërkombëtare. Një kryeministër i ri, i pakorruptuar, i arsimuar e i sjellshëm, që flet rrjedhshëm gjuhën angleze. Një kryeministër i cili flet me pasion për sundimin e ligjit, bujqësinë, mjedisin dhe madje edhe për “oktapodët rusë”. Kjo ishte diçka e paprecedentë për përfaqësimin e rajonit në Bruksel. Por, tani fillon pjesa e vështirë – është në gjendje ta kalojë “testin evropian” një lideri i ri i Ballkanit?

“Hajde bacë hajde"

“Hajde bacë hajde”, ishin fjalët drejtuar Behgjet Pacollit për t’iu bashkuar delegacionit gjashtëanëtarësh të burrave nga Kosova, që kishin shkuar ta përfaqësonin Kosovën në Bruksel në vitin 2018. Ky vizualizim mbetet një nga memoriet e përfaqësimit më të dobët të Kosovës në skenën ndërkombëtare ndonjëherë.

Po ashtu, ky vizualizim ndoshta me sukses përmbledh krejt çfarë ishte e gabueshme në Kosovë që nga paslufta. Këta persona jo vetëm që nuk gëzonin legjitimitetin e nevojshëm politik për ta përfaqësuar Kosovën, por ata nuk ishin në gjendje as ta përmbushnin nivelin minimal të mirësjelljes civile, siç shihet në video nga mungesa e rahatisë së përfaqësueses së lartë të BE-së, znj.Mogherini, në prezencën e këtyre gjashtë burrave të cilët në vazhdimësi janë duke folur në mes vete në gjuhë shqipe dhe njëkohësisht janë duke shqiptuar disa fjalë të pakuptueshme në gjuhën angleze, që e bënin gjithë skenën shume të sikletshme.

Pesë burra më pak

Tre vjet më vonë – dhe pesë burra më pak – këtë javë ishim dëshmitarë të një vizite në Bruksel, radikalisht ndryshe nga ana e kryeministrit të ri të Kosovës, Albin Kurti. Dhe kjo nuk ishte vetëm sepse përfaqësuesi i Kosovës kishe manire civilizuese dhe dinte rrjedhshëm gjuhën angleze, por sepse gjatë 48 orëve kryeministri Kurti u prit nga presidenti i Komisionit Evropian, presidenti i Parlamentit Evropian, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, përfaqësuesi i lartë i BE-së, 6 komisionerë evropianë, eurodeputetë të Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe... lista vazhdon. Pak a shumë, kushdo që ishte në Bruksel e ka takuar Kurtin. Kjo nuk kishte ndodhur në rastin e asnjë lideri të rajonit. Kjo vizitë ishte e paprecedentë në dy kuptime: atë të formës dhe atë të thelbit.

Fillojmë me formën.

Kurti zgjodhi BE-në dhe NATO-n për vizitën e parë ndërkombëtare. Kjo dërgoi mesazh të qartë për përkushtimin e qeverisë së re të Kosovës për integrim në strukturat euro-atlantike. Kjo ishte e pritshme, pasi NATO vazhdon të jetë garantues i sigurisë së Kosovës, ndërsa BE-ja e ardhmja e shoqërisë sonë. Pjesa e paprecedentë fillon me mënyrën se si Kurti perceptoi rëndësinë dhe qëllimin e vizitës.

Sa herë që liderët e Ballkanit Perëndimor vizitojnë Brukselin, ata zakonisht takojnë vetëm përfaqësuesin e jashtëm apo komisionerin për zgjerim. Në disa raste atyre u mundësohet edhe takimi me krerët e institucioneve të BE-së, siç është presidenti i Këshillit, presidenti i Komisionit Evropian, apo presidenti i Parlamentit Evropian. Kurti gjatë vizitës së tij i takoi pak a shumë gjithë këta – shumëzuar me dy.

Por, nuk ishte vetëm numri i takimeve, ishte edhe natyra e tyre. Pra, Kurti filloi vizitën me diçka të paprecedentë – takoi 5 komisione të ndryshme të Komisionit Evropian: komisionerin për Drejtësi, komisionerin për Ekonomi, komisionerin për Tregti, komisionerin për Energji dhe komisionerin për Bujqësi. Kjo përbërje reflekton edhe zotimin e Kurtit për “punë dhe drejtësi”. Dhe kjo është pjesa e paprecedentë. Asnjëherë, asnjë lider i Ballkanit nuk i ka takuar këta komisionerë, pasi në këndvështrimin e tyre Brukseli është për diskutimin e “punëve të jashtme”. Me këtë akt, Kurti ka vendosur një standard të ri në procesin integrues të Ballkanit, duke parë procesin integrues për atë çfarë është – proces i reformave të brendshme që duhen diskutuar, dakorduar dhe zbatuar në partneritet me Komisionin Evropian dhe jo si një proces i punëve të jashtme në domenin e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikën e Jashtme.

Tani duke kaluar nga thelbi.

Kurti, në pjesën dërrmuese të vizitës, nuk foli për dialogun. Kjo ishte përsëri e paprecedentë. Kosova asnjëherë nuk ka pasur kryeministër i cili shkon në Bruksel për të folur për reformat në drejtësi, bujqësi, mjedis, energji, ekonomi, etj. Kjo dërgoi mesazh të qartë që gjërat kanë ndryshuar në Kosovë. Patjetër se tani duhet pritur për rezultatin e kësaj vizite, por së paku hapat fillestarë janë inkurajues.

Por, patjetër se, përveç pandemisë, liberalizimit të vizave dhe reformave, Kurti diskutoi edhe për dialogun. Në këtë kontekst, cilat ishin mesazhet kyçe që mund t’i marrim nga vizita e Kurtit përkitazi me dialogun?

E para, BE-ja sqaroi prerazi që dialogu është çelësi i vetëm për avancimin e rrugës integruese të Kosovës. Pa vazhdimin e dialogut, rruga integruese e Kosovës do të pezullohet. E dyta, BE-ja risqaroi se puna e arritur deri më sot nuk mund spostohet dhe të hiqet nga tavolina – duhet të vazhdohet nga këtu ku jemi. E treta, Kurti konfirmoi se më 18 maj do takohet në një darkë joformale me të gjithë liderët e rajonit, me prezencën edhe të presidentit Vuçiq, po ashtu Kurti dhe Borrelli konfirmuan se takimi i parë bilateral në mes të Kosovës dhe Serbisë do të mbahet gjatë muajit qershor. Ky është indikacion se gjërat do të vendosen në lëvizje shumë shpejt nga ana e BE-së dhe SHBA-së. E katërta, Kurti paraqiti katër parimet mbi të cilat duhet të zhvillohet dialogu: pranimi i realitetit (Kosova është e pavarur), pranimi i të vërtetave (krimet e Serbisë), palët duhet të janë të barabarta dhe, e fundit, dialogu duhet të sjellë përfitime konkrete për qytetarët. E pesta, Kurti dha edhe një indikacion për temat që ai dëshiron t’i diskutojë: fati i pagjeturve, borxhi i Serbisë ndaj Kosovës dhe riparimet e luftës. Çfarë mbetet e paqartë është se si do të arrijë Kurti t’i imponojë këto parime dhe këto tema, kur takimi i ardhshëm do të ndodhë shumë shpejt – në muajin qershor... Këtë vetëm koha do ta tregojë.

Testi evropian i Kurtit

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë zgjedhur procesin integrues si model të ndërtimit të një shoqërie më të drejtë dhe më të mirë. Këto vende janë dakorduar se e ardhmja e tyre i përket Bashkimit Evropian dhe për arritjen e këtij qëllimi do të bëjnë çdo reformë të mundshme: nga rrënimi i regjimit të Millosheviqit, arrestimet e gjeneralëve të luftës në Kroaci, ndryshimi i emrit të Maqedonisë, procesi i “vettingut” në Shqipëri, e deri te gjërat e rëndësisë jetike për qytetarët, sikur që është kualiteti i ajrit që frymojnë. Të gjitha këto reforma ishin dhe janë një lloj “testi evropian” për të parë nëse këto vende janë në gjendje të sillen çdo ditë e më shumë sikur Austria, e çdo ditë më pak sikur vetvetja.

Që nga shpallja e pavarësisë, qeveritë në Kosovë kanë rënë dhe janë ngritur për shkak se kanë rënë në “testin evropian” të qeverisjes. Pra, pothuajse çdo qeveri është rrëzuar sepse nuk arrinte ta kalonte provimin e kërkesave që buronin nga procesi integrues – qoftë ato të ndërlidhura me dialogun, qoftë ato të ndërlidhura me Gjykatën Speciale, qoftë ato të ndërlidhura me qeverisjen e mirë apo sundimin e ligjit – qoftë të gjitha këto së bashku.

“Testi evropian” i Kurtit do të përbëhet nga të dyja anët e medaljes. Me një anë ai duhet ta përfundojë këtë kapitull të dialogut dhe ta finalizojë marrëveshjen gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në anën tjetër, ai duhet të ndërtojë me rezultate të prekshme një imazh të ri të Kosovës në fushën e sundimit të ligjit.

Vizita e Kurtit në Bruksel, përveçqë ka vendosur standard të ri për liderët e Ballkanit, ajo ofroi një mundësi që të prezantohet një model i liderit të ri nga rajoni në skenën ndërkombëtare. Një kryeministër i ri, i pakorruptuar, i arsimuar e i sjellshëm, që flet rrjedhshëm gjuhën angleze. Një kryeministër i cili flet me pasion për sundimin e ligjit, bujqësinë, mjedisin dhe madje edhe për “oktapodët rusë”. Kjo ishte diçka e paprecedentë për përfaqësimin e rajonit në Bruksel. Prandaj, të gjithë dëshiruan ta takojnë Kurtin. Prandaj, edhe mediat ndërkombëtare shkruajnë për të. Është storie unike. Me fjalë të tjera, Kurti tani ka potencialin që të vendosë një standard të ri në rajon – një lider i modelit evropian që përfaqëson më të mirën që mund ta ofrojë rajoni. Një model që teorikisht lehtësisht do ta kalojë “testin evropian”. Këtë javë, Kurti na tregoi që ka potencialin ta kalojë “testin evropian”. Javët dhe muajt në vijim do të na tregojë përgjigjen përfundimtare.

(Autori është drejtor ekzekutiv i Institutit EPIK)