OpEd

Çmimi i karbonit tani

Nuk është nevoja të thuhet se një iniciativë e përbashkët për çmimin e karbonit mes tre emetuesve kryesorë botërorë – Evropa, SHBA-ja dhe Kina – do të mund ta fuqizonte në mënyrë dramatike përpjekjen globale për t’i luftuar ndryshimet klimatike. Ne tanimë e dimë se vendosja e çmimit të karbonit është domosdoshmëri për përkrahjen e zotimeve të tanishme për neutralitetin e karbonit. Me anë të një kornize të qëndrueshme globale, që do ta mbushte boshllëkun në Marrëveshjen e Parisit, të gjitha copëzat do të mund të viheshin më në fund në vend për ta adresuar sfidën më të frikshme të njerëzimit

Inaugurimi i presidentit të zgjedhur amerikan Joe Biden rastis vetëm një muaj pas përvjetorit të pestë të Marrëveshjes klimatike të Parisit, duke e profetizuar disi procesin e anashkaluar prej kohësh të luftës globale kundër ndryshimeve klimatike. Me gjithë përkushtimet e fundit politike nga emetuesit më të mëdhenj botërorë për jetësimin e neutralitetit të karbonit deri në këtë messhekull, bota ende nuk është vënë në shtegun e parandalimit të ngrohjes globale përtej pragut prej 2 gradësh Celsius – një cak ky që duhet të arrihet për t’i shmangur telashet masive për shoqëritë njerëzore.

Fatmirësisht, mundemi të paktën që t’ia përcaktojmë madhësinë sfidës përpara nesh. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, emetimet globale të dyoksidit të karbonit për synime energjie më 2019 kanë kapur totalin prej rreth 33 milionë tonësh – një shifër kjo që përfundimisht duhet të reduktohet në shkallën zero.

Kapja dhe ruajtja e karbonit (CCS) mund ta largojë karbonin nga ajri, por kjo dallon thelbësisht në kosto. Duke supozuar se kjo teknologji mund të vendoset me një kosto mesatare prej 100 dollarësh për ton, mund të kalkulojmë se eliminimi i CO2-shit të emetuar më 2019 do të kushtojë 3.3 trilionë dollarë. Dhe, duke e pasur në konsideratë jo paarsyeshëm faktin se kostoja e pakësimit (100 dollarë për një ton) përkon me koston sociale të shkartuar nga ngrohja globale, mund pastaj ta krahasojmë këtë shifër me pasurinë e krijuar nga një ekonomi si Gjermania, ku GDP-ja gjatë 2019-s ka arritur shumën prej 3.861 trilionë dollarësh. Kjo llogaritje e nxjerr në pah çmimin e frikshëm që duhet paguar në bazë vjetore për të shmangur çdo përkeqësim të mëtutjeshëm të ndryshimeve klimatike.

Për ekonomistët, zgjidhja e duhur është që të ndiqet parimi “i pagesave për ndotësit”. Akëcili vend duhet tatuar apo t’i caktohet një çmim prej 100 dollarësh për çdo ton të dyoksid karbonit të emetuar në territorin e tij, me të ardhurat që do të kanalizoheshin në blerjen e karbonit që është eliminuar prej kompanive të përfshira në CCS. Problemi me këtë opsion është se i mungon edhe gjasa më e vogël që të aprovohet dikur rishtas. Jo të paktë janë ata që do të kundërshtonin se kjo qasje i imponon një kosto joproporcionalisht të madhe shumicës së qytetarëve më të brishtë ekonomikisht. Por, le të mos harrojmë se këta persona vuajnë më së tepërmi nga ndryshimet klimatike.

Detyrë më urgjente do duhej të ishte që të mobilizoheshin fondet e nevojshme për ta vendosur CCS-në në shkallë globale.

Një prej të metave parësore të Marrëveshjes së Parisit, pos asaj se “kontributet e vendosura nga kombet” janë jodetyruese, është se e adreson vëllimin e emetimeve, duke i dhënë kësisoj një rol më të pavërejtshëm çmimit të karbonit. Me anë të vendosjes së një çmimi më eksplicit dhe universalisht të zbatueshëm për karbonin, do të mund të dekurajonim njëkohësisht emetimet, të trimëronim inovacionin dhe investimin në teknologjitë e dekarbonizimit si CCS, dhe të fillonim me përdorimin e tij në përthithjen e karbonit nga ajri.

Tani kijeni parasysh Bashkimin Evropian, i cili ka premtuar që ta përmbushë cakun e neutralitetit të karbonit deri më 2050 dhe ta jetësojë reduktimin prej 55 për qind deri më 2030. Shumë shtete anëtare veçse kanë adoptuar ligjërisht caqet detyruese (përfshirë Danimarkën, Francën, Gjermaninë, Hungarinë dhe Suedinë). Për t’i çuar gjërat përpara bashkërisht, BE-ja mund ta përdorë tregun e emetimeve që kishte krijuar 15 vjet më parë. Ky mjet i fuqishëm tashmë mbulon 45 për qind të emetimeve të bllokut, por mund të përmirësohet.

Shkaku se tregu i karbonit në Evropë fillimisht vuri në shënjestër vetëm vëllimin e emetimeve të karboni, çmimi i karbonit ishte tejet i brishtë. Kësisoj, pas krizës globale financiare, ka humbur më shumë se 80 për qind të vlerës së saj, dhe ka mbetur në agoni për shumë vjet. Vetëm gjatë kohëve të fundit, Komisioni Evropian ka kuptuar se duhet që të përqendrohet më shumë në çmimin e karbonit, i cili tani është në nivelin prej 30 eurosh për ton.

Vendosja e çmimit për karbon deri më tani është mënyra më efikase për kufizimin e emetimeve, për shkak se e transformon vendimmarrjen e emetuesve me kalimin e kohës. Sa më i lartë të jetë çmimi i karbonit, aq më e fuqishme do të jetë shtysa për të kaluar në energji më nivel të ulët apo zero karboni, dhe për ndjekjen e shtegut të projekteve afatgjate të energjisë së pastër. Avantazhet krahasimtare të këtyre projekteve potenciale kërkojnë vëmendje më të madhe.

Por, çmimi më i lartë i karbonit nuk mund të vendoset brenda natës. Në vend të kësaj, çmimi duhet të rritet gradualisht me kalimin e kohës, duke e ndjekur një trajektore që është e krahasueshme me synimin e caktuar të neutralitetit të karbonit. Komisioni Evropian ka të drejtë që e merr parasysh ngritjen e çmimit. Por, efikasiteti i strategjisë së saj mund të zmadhohet dukshëm nëpërmjet njoftimit të një caku për çmimin e karbonit para kohe. Për ta promovuar këtë ide, unë kam krijuar një Task-Forcë të vendosjes së Çmimit të Karbonit në Evropë, e cila i bashkon jo vetëm ekonomistët dhe njohësit e politikave, por edhe udhëheqësit e rrafshit të biznesit, të cilët e kuptojnë se u duhet një sinjal i qartë tregu për t’i bërë investimet e duhura në kohën e duhur.

Përreth botës, përherë e më shumë qeveri – prej Japonisë në Kore të Jugut dhe nga Zelanda e Re në Mbretërinë e Bashkuar – kanë bërë zotime për cakun e zero emetimeve. Zotimi i kohëmëparshëm i Kinës për të arritur neutralitet të karbonit deri më 2060 është veçanërisht i rëndësishëm, duke e pasur parasysh madhësinë e popullatës dhe ekonomisë së saj, e cila numëron më shumë emetime agregate (ndonëse jo për kokë banori) se Shtetet e Bashkuara të Amerika dhe Evropa bashkërisht. Për më tepër, Kina tanimë ka krijuar një treg për karbonin; por, sikurse në rastin e Evropës, ky mekanizëm mund të përdoret më me efikasitet po qe se ekziston një çmim më eksplicit i karbonit.

Për shkak se ndryshimet klimatike përbëjnë një çështje globale që kërkon bashkëpunim midis vendeve, Task-Forca e vendosjes së Çmimit të Karbonit në Evropë ka lansuar një iniciativë të përbashkët me Forumin Ndërkombëtar të Financave, një qendër kjo e matjes së opinionit në Kinë, për të promovuar një çmim konvergjent të karbonit. SHBA-ja, ku qasja e qeverive federale kundruall politikave të klimës së shpejti do t’i nënshtrohet një ndryshimi dramatik, mund të luajë rol madhor në këtë aspekt. Përpos riafrimimit të përkushtimit të Amerikës për Marrëveshjen e Parisit, Bideni po i plotëson pozitat kyç me politikëbërësit e regjur të klimës, si ish-sekretari amerikan i Shtetit John Kerry dhe ish-shefja e Rezervave Federale Janet Yellen, e cila kishte udhëhequr grupin e 30 grupeve punuese për ndryshimet klimatike dhe financa.

Kur i prezantoi gjetjet e grupit para shtypit, Yellen ka bërë të qartë se e kupton sfidën, duke cekur se “çmimet e karbonit duhet të rriten gradualisht me kalimin e kohës, me qëllim të krijimit të shtysave për firmat dhe përshpejtimin e kalimit në zero emetime”.

Nuk është nevoja të thuhet se një iniciativë e përbashkët për çmimin e karbonit mes tre emetuesve kryesorë botërorë – Evropa, SHBA-ja dhe Kina – do të mund ta fuqizonte në mënyrë dramatike përpjekjen globale për t’i luftuar ndryshimet klimatike. Ne tanimë e dimë se vendosja e çmimit të karbonit është domosdoshmëri për përkrahjen e zotimeve të tanishme për neutralitetin e karbonit. Me anë të një kornize të qëndrueshme globale që do ta mbushte boshllëkun në Marrëveshjen e Parisit, të gjitha copëzat do të mund të viheshin më në fund në vend për ta adresuar sfidën më të frikshme të njerëzimit.

(Edmond Alphandéry, ish-ministër i Financave në Francë, është udhëheqës i Taks-Forcës për vendosjen e Çmimit të Karbonit në Evropë. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).