Vështrime

Republika e fabulave

Mbi arrestimin për “nacionalizëm dhe irredentizëm” në vitin 2020. Ose: kur gjuha përdoret për të fshehur diçka, ajo vetvetiu zbulon se çka synon të fshehë.

Edhe Sokrati ka thënë: e di që nuk di gjë. Edhe kryetari i partisë së themeluar më 23 dhjetor 1989 po thotë: ndoshta filan fisteku është arrestuar për “nacionalizëm dhe irredentizëm”. Fantastike kjo gjuhë politike. Thua se po lexon revistën “Duga” në vitin 1987. Ose “Intervju”. Njeriu s’di gjë. Dhe nuk ka të bëjë kjo vetëm me kryetarin asgjëditës. Edhe njeriut të rëndomtë i prishet gjumi pas mesnate, por nuk e di pse. Të jetë, vallë, nga halli që u arrestua ai që u arrestua?

Por ka përjetuar ky vend e ky milet momente edhe më të rënda. Njëherë qe arrestuar prokurori që ishte ngarkuar për të luftuar korrupsionin. E dini pse e arrestuan? Për korrupsion! Në dreq të mallkuar. Nëse kryetari nuk e di për çka është arrestuar zëvendësi i tij, duhet pasur mirëkuptim. Nuk e di as bota nëse Aleksej Navalnin e ka helmuar Vladimir Putini apo jo. E dimë që nuk e dimë. Vlen kjo si për halle lokale, ashtu edhe për probleme globale. Nuk e dimë nëse kampin e refugjatëve Moria në një ishull grek e kanë djegur refugjatët, është vetëdjegur apo e ka djegur Sokrati. Nuk e dimë pse Donald Trumpi në Twitter shkruan me shkronja të mëdha. (Nganjëherë). Nuk e dimë a janë djemtë e Donald Trumpit më të pasur apo djemtë e oligarkisë politike të Prishtinës.