Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vela: Diskutimet e ish-opozitës për reflektim të brendshëm, në momentin më të keq të mundshëm

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Blerim Vela, ka thënë se diskutimet e partive, që në legjislaturën e fundit kanë qenë në opozitë, për reflektim të brendshëm po ndodhin në momentin më të papërshtatshëm.

Sipas tij, partitë nuk po mund të krijojnë hapësirë të re për lidership të ri.  

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Diskutimet e partive opozitare për reflektim të brendshëm, qoftë nga PDK-ja, është në momentin më të keq të mundshëm sepse nëse i futemi një cikli zgjedhor ata thjesht nuk do ta kenë mundësinë që ta bëjnë këtë reflektim, të bëjnë ndryshimet e nevojshme dhe të krijojnë hapësirë të re për lidershipin e ri”, ka thënë ai në Interaktiv.

Vela ka përmendur dy partitë më të mëdha që kanë qenë në opozitë, PDK e LDK, duke theksuar se PDK-ja nuk po arrin të tërheqë votues të rinj e se LDK-ja ka nevojë për reformë të re.

“Sa i përket PDK-së, me përqindje janë aty me konstante, si përqindje mund të jenë të kënaqur 22 apo 23 deputetë. Për ta është problem se nuk po arrijnë të tërheqin votues të rinj. PDK-ja në proceset zgjedhore nga 2007 deri 2017 ka qenë partia e parë dhe ka udhëhequr me institucionet. Nga 2021 ka qenë partia e dytë. Pra qartazi janë pozicionuar si poli politik më stabil përballë qeverisë aktuale VV. Në anën tjetër LDK-ja është duke jetuar nën iluzionin e madhështisë së kaluar, ata nuk kanë fituar zgjedhje nga viti 2004”, u shpreh ai.

Vela ka thënë se për të mos shkuar në një cikël të ri zgjedhor është e domosdoshme një marrëveshje politike mes partive.

Ai ka vlerësuar se për LDK-në “pozicioni i kryeparlamentarit do të jetë shumë atraktiv” tek foli për një marrëveshje të mundshme mes kësaj partie me Vetëvendosjen. Mes këtyre dy partive, Vela ka thënë se mund të arrihet konsensusi për një president apartiak, nëse LDK-ja e kërkon kryeparlamentarin fillimisht.