Vështrime

Përgjegjësia e madhe e Dritan Abazoviqit

Deputeti me origjinë shqiptare Dritan Abazoviq ka të drejtë të kundërshtojë Millo Gjukanoviqin. Por, refuzimi i Gjukanoviqit nuk domethënë që Abazoviq të bashkohet verbërisht me partitë proserbe dhe proruse dhe të luajë me zjarr. Nacionalistët serbë me ton triumfues po thonë se po të shkonte Abazoviqi në Beograd, rinia serbe do ta bartte në duar. Po, do e bartte, por deri te varrezat masive të Batajnicës, siç nënvizon një publicist proeuropian serb. Abazoviq duhet të vë kushte të qarta për të hyrë në qeveri. Ndryshe do të mbetet në kujtesë vetëm si një kalë Troje i një projekti ruso-serb për destabilizimin e rajonit.

Dritan Abazoviqi e ka ndërtuar karrierën politike si kundërshtar gjuhëbrisk i Millo Gjukanoviqit dhe pushtetit të tij. Gjukanoviq ka merita historike për pavarësimin e Malit të Zi dhe largimin e këtij vendi nga përqafimi mbytës i Beogradit. Por e vërtetë është po ashtu se Gjukanoviq për 30 vjet në pushtet e shndërroi Malin e Zi në ndërmarrje familjare dhe klanore, shoqëruar me krejt fenomenet negative si korrupsioni, krimi i organizuar dhe presioni ndaj mediave.