OpEd

Peshku që të bën të ndihesh keq

Një shok i imi nuk e han peshkun nëse në pjatë servohet me kokë. Nuk mund ta shohë në sy. I vjen keq për të. Kur e pata dëgjuar, nuk e pata marrë seriozisht. I pata thënë “hajt se peshku s’mban mend gjatë”. Nuk pati qeshur.

Sa herë që në kuzhinë përgatis peshk, që përndryshe i kam shumë për qejf, më shkon mendja tek ai. Më qeshet. Që një ditë do të ndiej edhe unë keqardhje, kur shoh sytë e një peshku, nuk e kisha menduar.

***

Sikur një fëmijë i vogël që shkon te parku i lodrave, qesh e entuziazmuar javën e kaluar, kur u nisëm në terren me ekipin e KOHËS. Do të takonim njerëz të zakonshëm. Ta përjetonim realitetin e tyre përmes zemërgjerësisë që megjithatë diku ka mbijetuar. Një terapi fjalësh të sinqerta, në detin e deklaratave egoiste politike që u nënshtrohemi përditë.

Nuk është se dëgjon diçka të mirë. Dhe s’ke si kur vendimmarrësit, edhe pse zgjidhen nga njerëzit e zakonshëm, nuk mendojnë për ta. Por, të jep vullnet shpresa që buron nga ta kur flasin me plot emocion për të të bindur se për telashet e tyre duhet të raportohet.

“Qe kqyre çka o bo... si mos me pas qenë e Kosovës”. Me vetulla përpjetë, më zë të lartë thoshte një fshatar duke bërë me dorë kah një lokacion që para luftës jepte jetë e sot sjell vdekje. Përpiqej të prekte damarin patriotik të politikanëve e zyrtarëve shtetërorë që për 20 vjet kanë lejuar, por edhe mundësuar që ai vend të katandisej. Nëpër rajone të Kosovës njerëzit ende mendojnë se mund të preket ndërgjegjja e pushtetarëve.

***

Njeriu është qenie e natyrës dhe, edhe pse ka bërë shkëputje nga ajo, krahasuar për shembull me kafshët, megjithatë gjelbërimi, drunjtë, uji, ajri i pastër e bëjnë të ndihet mirë. Bota nuk e sheh më veç si vend që të kënaqë, por si kusht për mbijetesën e njerëzimit. Por, kur mbrojtja e mjedisit nuk është kulturë, nuk mund të jetë as politikë. Në Kosovë nuk është kulturë, e politikë është shkatërrimi i tij. Parqet nacionale, monumentet e natyrës, resurset ujore, malet e kodrinat janë në hall nga shteti.

Bjeshkët e parqeve zhvishen nga drunjtë, shtrohen rrugë, ngrihen vila milionëshe nga njerëz që sot udhëheqin popullin e dje dhitë. Toka e shtetit shndërrohet në pronë të njerëzve të pushtetit.

Lumenjtë futen në gypa, flora e fauna e egër mbeten pa ujë, prodhohet një grimcë rrymë, i garantohet shitja me çmim preferencial, fshihen kontratat, kundërligjshëm fitohen miliona nga njerëz që drejtësia nuk i ndjek. Përkundrazi, me shkopin e drejtësisë ndiqen ata që i kundërshtojnë. Parja e bën të veten.

Shtretërit e lumenjve shtrembërohen për të zbukuruar pronat luksoze, zhavorri nxirret në lokacionet ku dëmtimi i shtretërve mund të vërshojë veç pronat e qytetarëve të zakonshëm, pa licenca apo me licenca të kontestueshme. Pak aty, pak këtu, bëhen milionat. Natyrisht drejtësia as me këtë nuk merret. Ngjashëm sikurse as me gurëthyesit që gërryejnë si krimba kodrinat e gjelbëruara. Nuk merret as me ngritjen e pendëve pa kurrfarë lejesh as planifikimi që bllokojnë rrjedhën e natyrshme të ujit.

Nga ana tjetër, njëzet vjet pas luftës fshatra të tëra nuk kanë ujësjellës e as rrjete kanalizimi. Ofrimi i ujit ligjërisht është shërbim bazik për qytetarët e Kosovës, e praktikisht shërben për lojëra politike, për përfitime votash nëpër rajone. Ngjashëm edhe me kanalizimin. E në mungesë të shtrirjes së dorës së shtetit, banorët obligohen të ndajnë një pjesë të lumit aty e një pjesë këtu. Obligohen të derdhin kanalizimin në rrjedhat më të afërta të ujit. Dhe meqë shteti nuk e ka kulturë pastërtinë, kjo nuk i pengon.

Kur institucionet nuk u përgjigjen nevojave, e largqoftë të ndëshkojë veten a dikë tjetër për ndotje, papastërtia bëhet përditshmëri. Bërlloku vërshon qoshet e rrugëve, lëndinat e bukura, malet, lumenjtë... këta bile shërbejnë si kontejnerë të vetëlëvizshëm të shisheve plastike, ambalazheve të padegradueshme, vajrave industrialë, mbetjeve të thertoreve e fermave të pulave, e çkamos tjetër që është e gjuajtshme. Duhet përmendur patjetër edhe dështimin e shtetit për të siguruar lokacionin për një deponi ku do të trajtoheshin mbetjet radioaktive e që do të paguhej nga milionat e Bashkimit Evropian. Milionat u tërhoqën e mbetjet mbetën të shkapërderdhura.

***

Fshatari me vetulla përpjetë fliste me zë të lartë pranë një liqeni. Njëri nga 16 të mëdhenj e të vegjël që në lashtësi i ka krijuar natyra e ia ka falur Kosovës. Uji nëpër ta ka qarkulluar. U ka dhënë jetë gjallesave të llojllojshme, e njerëzve kënaqësi. Liqeni nga i cili bënte me dorë fshatari është më i madhi dhe ai që pret i pari vizitorët e Ujëvarave të Mirushës. Lokacioni është shpallur Monumentit i Natyrës para tetë vjetësh, por kjo nuk ka kurrfarë rëndësie për të. Madje këto kanë qenë vitet e degradimit më të madh të tij. E dëgjon dhe bashkëndien dëshpërimin e fshatarit derisa pas tij sheh “ujëvarën”, por nuk e sheh ujin. Ndërkohë ndien kundërmim derisa rrezet e diellit të përcëllojnë lirshëm pa freskinë e pikëzave që dikur me bollëk i sillte përplasja e ujëvarës me liqenin.

Ekspertët e ujit ndër vite kanë paralajmëruar se Kosova konsiderohet shtet me stres ujor, që do të thotë se ka sasi të vogël të ujit për kokë banori. Kanë alarmuar për degradimin e resurseve ujore, jo veç përmes moszbatimit të Strategjisë për ujërat, por edhe përmes dhënies së lejeve të kundërligjshme ujore.

Lumi Mirusha nuk është futur në gyp, por vëllimin e tij e pakëson një digë e ngritur pa leje nga Komuna e Malishevës dhe marrja e ujit të lumit nga fshatrat që i përshkon ai, duke lënë sasi të vogël dhe të ndotur nga kanalizimet të arrijë te caku, që janë ujëvarat. Kur kjo ndodh në fund të verës dhe në periudhë reshjesh të pakta, vjen deri tek ajo që nuk ka ndodhur asnjëherë – tharja e plotë e ujëvarave për një muaj rresht.

***

Kur afrohesh te liqeni më i madh, tek ai që i pari pret vizitorët, asnjëri nga ta nuk mund të mos ndihet si shoku im, kur sheh sytë e një peshku. Të një peshku që lundron qetësisht nëpër sipërfaqen e ujit të ndotur të Mirushës, i ngordhur.

brikenda@koha.net