Vështrime

Përfundimi i kobshëm!

Më mirë është të zhgënjehemi me HTH në fund, sesa të zhgënjehemi me pasojat e përpjekjes së tij për të mbijetuar pa fund!

Duke e njohur kontekstin e rrethanave, gjatë dhe pas luftës së fundit, motivet, synimet, qëllimet, veprimet dhe karakterin e HTH, kam deklaruar publikisht më herët se fundi i tij do të jetë i kobshëm! Kuptova me vonesë të vogël se ai harron shumë shpejt krimet që duhet mbajtur në mend. Ndërsa, vazhdimisht e ka në mend pushtetin! Në luftë e ka fshehur emrin publik, pas luftës është munduar t’i fshehë edhe veprimet gjarpërore. Ndjenja se vetëm bindjet e tij personale janë të sakta dhe të vërteta në krahasim me mendimet e të tjerëve, vendosmërisht ndikoi në rrugën e formimit dhe veprimit politik të “gjarprit”.

Mjerisht, me veprimet që i ka ndërmarrë gjatë dhe pas luftës, kurrë nuk e kalkuloi edhe fundin! Deklaratën e tillë nuk e kam dhënë nga dëshira, por nga pasojat e kobshme që mund t’i ketë edhe imazhi kombit dhe shtetit të Kosovës, duke i marrë parasysh faktet se shumë procese vendimtare të krijimit të shtetit të Kosovës janë të lidhura me veprimtarinë e HTH. Meqenëse asnjë fund nuk përfundon në fillim, ja, erdhi çasti i ballafaqimit me të vërtetën dhe drejtësinë. Sinqerisht, më dhimbset HTH, por vetëm për shkak të pasojave që do t’ia shkaktojë imazhit të luftës së drejtë çlirimtare të popullit të Kosovës, të prirë nga UÇK-ja, në shtabin e së cilës kam përfunduar edhe unë në Tiranë!