Vështrime

Tu pa, tu bo!

Anglosaksonët e kanë maksimën "learning by doing" (të mësuarit duke bërë). Kjo i referohet një teorie të arsimit të shpjeguar nga ana e filozofit amerikan, John Dewey. Është një qasje praktike për mësimin ku studentët duhet të bashkëveprojnë me rrethinën/ambientin, në mënyrë që të adaptohen dhe të mësojnë. Dewey e implementoi këtë ide duke e ngritur laboratorin shkollor në kuadër të Universitetit të Chicagos. Për dallim nga qasja e Deweyt, e cila në vete e ngërthen mësimin gjatë punës, qasja e teorisë sime diplomatike tu pa, tu bo jo medoemos të vendosë në pozitën ku ti duhesh të mësosh diçka. Ajo më shumë ka të bëjë me aftësinë e vrojtimit, evoluimit të një situate të caktuar para ndërmarrjes së një veprimi vetjak

Është ky numri jubilar i 100-të i Ditarit tim. Njëqind javë përshkrime ngjarjesh, kabllogramesh, situatash dhe një rrugëtim i përbashkët diplomatik. Isha në kërkim të ndonjë teme të caktuar për të shënuar këtë numër jubilar, ndonjë temë sadopak më të hareshme dhe mundësisht jashtë ngjarjeve politike të përditshmërisë sonë. Jo, nuk mund ta gjeja një të tillë, në fakt ende nuk e kam të qartë se çfarë teme do të trajtoj në Ditarin tim jubilar. Do të jetë në atë stilin e dëshmuar pellazg, tu pa, tu bo. Janë ca gjëra ndaj të cilave edhe të qenët diplomat nuk të bënë imun ndaj tyre. Tu pa, tu bo, është njëra nga to. Në fakt, derisa po i shkruaj këta rreshta ashtu më kaploi edhe ajo ideja që unë si diplomat i regjur të marr iniciativën për publikimin e një doracaku diplomatik kosovar/shqiptar me temën, tu pa, tu bo, mendoj se do të ishte një shtjellim i hatashëm filozofik i kësaj qasjeje jetike pellazge me një dozë shakespeariane, e cila do të linte gjurmë të thella në diplomacinë moderne botërore.