OpEd

Të jetosh në Panopticon

Nëse Thaçi arrin ta kërcënojë Osmanin me gjithë pushtetin politik që ka ajo, çfarë mund të më bëjë mua? Këtu humbet besimi te pushteti i individit. Këtu fillon frika

Panopticon

Nëse njerëzit ngrihen në këmbë kur në dhomë hyn dikush që i vjen era e keqe, kjo bëhet për të shpëtuar hundën, por nëse personi që i vjen era e keqe hyn në dhomë me qëllim që njerëzit të ngrihen në këmbë, atëherë kemi ushtrim të pushtetit nga ky i fundit. Pushteti ushtrohet në forma nga më të ndryshmet, me veprime, imazhe, gjeste, paraqitje publike etj. Heqja e simboleve të shtetit të Kosovës nga zëvendëskryeministri Rakiq, për shembull, ishte ushtrim i pushtetit të tij.

Sa herë që flitet për pushtetin gjërat bëhen serioze, të komplikuara, çështje që s’mund e s’duhet t’u shmangesh. Por tri gjëra duhen pasur parasysh: kush vërtet e ka pushtetin, ndaj kujt e ushtron dhe çfarë kërkon të bëjë me të. Foucault flet edhe për një “bipushtet”, që do të thotë të kesh kontrollin mbi trupin e njerëzve nëpërmjet aplikimit të praktikave që e normalizojnë shoqërinë. Kështu burgjet, shkollat, prindërit, religjionet, spitalet etj. kanë për qëllim të prodhojnë një lloj normalizimi nëpërmjet të cilit krijohen njerëz të kontrollueshëm.

Ja shembulli i tij i preferuar. Panopticon është një koncept i themeluar nga Jeremy Bentham që projekton një burg në formë qarku në qendër të të cilit ndodhet një kullë vëzhgimi, ku qëndron vetëm një gardian. Gardiani mund t’i kontrollojë të gjithë të burgosurit, por ata nuk mund ta shikojnë atë. Edhe pse është e pamundur që gardiani t’i vëzhgojë të gjithë të burgosurit njëkohësisht, fakti se ata nuk mund ta shikojnë gardianin bën që të burgosurit të kontrollojnë sjelljet e tyre në çdo kohë. Në këtë mënyrë ata bëhen vetë gardianët e tyre. Për Foucault ky është modeli që tregon lidhjen mes dijes dhe pushtetit. Dija i jep gardianit pushtet të plotë.

Deri diku kështu funksionojnë sot mjaft institucione burokratike, të cilat instalojnë një rrjet të fshehtë spiunësh që shërbejnë si sytë e gardianit për 360 gradë. Ndjesia e të qenët i kontrolluar në çdo kohë të bënë t’i nënshtrohesh atij kontrolli edhe pse do të doje të bëje të kundërtën. Masa e vetëkontrollit varet nga masa e dijes e secilit. Vetëdijesimi se secili individ ka pushtet është zgjidhje.

Pushteti politik

Pushteti politik është shkalla më e lartë e pushtetit në një shoqëri, i cili ushtrohet nga mekanizmat përkatës institucionalë. Shtetet variojnë nga niveli i kontrollit mbi individin që shkon nga anarkia deri te shtetet totalitare. Edhe diktatorët që kishin pushtet të madh, si Stalini apo Hitleri ishin të obsesionuar me sigurinë, ndaj sistemin e mbanin mbi bazë te kompensimeve dhe dënimeve terrorizuese.

Demokracitë stabile bazohen mbi tolerancën e mospajtimit. Mrekullia e demokracive është se konfliktet politike janë nën kontroll të syrit të votuesve. Politikanët mund të urrehen mes vete, por është mirë që këtë ta fshehin, sepse do t’iu kushtojë me vota. Presidenti i Kosovës kërcënoi drejtpërdrejt nga një studio televizive kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani. Po të kishte qenë film, do të kishte humbur besueshmërinë e shikuesit. Është realitet dhe votuesi e personalizon kërcënimin. Nëse Thaçi arrin ta kërcënojë Osmanin me gjithë pushtetin politik që ka ajo, çfarë mund të më bëjë mua? Këtu humbet besimi te pushteti i individit. Këtu fillon frika.

Pak orë përpara deklaratës së Thaçit, Isa Mustafa postoi një status po ashtu kërcënues për Osmanin, por jo në mënyrë direkte. Orkestrimi i kësaj strategjie për ushtrim pushteti ndaj kujtdo që nuk i bindet vullnetit të të madhit tashmë është i qartë. Kur presidenti troket natën për vota në dyert e deputetëve jo të partisë së vet, presidenti ka një hall dhe halli është i madh. Loja është më e komplikuar seç duket, ku Thaçi e Veseli luajnë rolet “polici i mirë, polici i keq”, Mustafa vizionar bën hesapet e Hoti atë që i kërkohet.

Teatri i absurdit

Çështja e bisedimeve me Serbinë nuk është çështje jetike për Kosovën, sikurse deklaroi kryeministri Hoti, çështje jetike janë cilësia e jetës, ekonomia, hapja e Kosovës ndaj botës e Serbia nuk është bota, por vetëm një shtet problematik i Ballkanit që i ka kushtuar shumë dëme njerëzore, ekonomike e psikike vendit, një shtet që vështirë do ta zgjidhte dikush për të jetuar në mos nga halli. Ne jemi të detyruar të bisedojmë, por këtë do të duhej ta bënim me qeveri me legjitimitet në popull, qeveri të dalë nga vota e popullit, jo e Kushtetueses, jo e kësaj të sotmes që i shfuqizon njerëzit më të votuar e u jep pushtetin bishtave. Në këto kushte, LDK-ja ka detyrimin e madh qytetar të na sqarojë kush e drejton partinë, të rikonfirmojë veten në mënyrë demokratike, të dimë ku e ka vendin Vjosa e plot të tjerë, të cilët kanë marrë votat e anëtarëve të LDK-së.

Përndryshe jemi duke asistuar në një teatër të absurdit, ku gjuha duket ta ketë humbur logjikën, ku ngjarjet ndjekin njëra-tjetrën po ashtu pa ndonjë lidhje logjike vetëm në dukje, ku personazhet përsëritin të njëjtit dialogë që arrijnë të na bëjnë ndonjëherë edhe për të qeshur, pavarësisht tragjikes së dramës që mbajnë brenda. Ky është teatri që po na luhet me jetën tonë e që do të na kushtojë shumë nëse nuk e shohim.