OpEd

Globalizimi në shënjestër

Kur Kina teshtin, botën e kaplon gripi – thotë një fjalë e urtë. Një teshtitje e tillë, që u dëgjua në mbarë globin në dhjetor 2019 e që solli pandeminë virusale COVID-19, ka rihapur, mes të tjerash, edhe debatin e moçëm mbi globalizimin, të mirat e të këqijat që sjell një botë me tregje të hapura dhe kapital e ide që qarkullojnë lirshëm. Kjo dukuri, që vazhdon së dominuari ekonominë globale, është trajtuar me intensitet sa herë që krizat kanë kapluar botën. Vetëm në shekullin aktual globalizimi ishte bërë temë kryesore pas 11 shtatorit, pas krizës së vitit 2008 dhe tani gjatë kësaj pandemie. Paradoksalisht, globalizimi ka qenë gjithnjë në thumb të kritikës si nga e majta ashtu edhe nga e djathta. Përderisa e majta kritikon mendësinë e “përbindëshave kapitalistë që ngarendin vetëm pas profitit”, ajo sheh edhe rreziqe nga konkurrenca ndërkombëtare në formë të importeve, të fuqisë së lirë punëtore dhe të ndikimit negativ në ambient. Edhe e djathta proteksioniste mendon njëjtë. Veçanërisht nga ardhja në pushtet e presidentit Trump ajo ka fuqizuar qasjen e saj të njohur për të vendosur kufij e dogana, që “mbrojnë” mirëqenien dhe pasurinë nacionale nga ndikimet e tregjeve ndërkombëtare. Në kontekst të pandemisë, emërues i përbashkët i qëndrimeve të të dy krahëve politikë është synimi për të shkëputur zinxhirët globalë e për t’u fokusuar në rajonalizim dhe në nacionalizim të prodhimit dhe shërbimeve. Nga përvojat e mëhershme dihet se qasjet deglobalizuese nuk janë produktive, sepse çojnë në rritje të çmimeve, në zvogëlim të zgjedhjeve për konsumatorët, ngadalësim të inovacionit, por edhe në rritje të varfërisë në vendet në zhvillim dhe në përkeqësim të raporteve politike ndërkombëtare.

Pandemia si faktor deglobalizues?

Një shije se si do të mund të dukej një botë e deglobalizuar e kemi sot. Shfaqja e pandemisë ndaloi gati gjithë qarkun e tregtisë ndërkombëtare. Për shkak se fuqia punëtore u detyrua të mbyllej, u shfaq një rënie e menjëhershme e ofertës, sepse nuk kishte kush të prodhojë. Kjo në anën tjetër shkaktoi një shok të kërkesës, sepse nuk kishte kush të konsumojë. Me ndërhyrjen e shtetit u ndalua qarku ekonomik, si në anën e ofertës ashtu edhe të kërkesës. Zinxhirë të tërë prodhues me karakter lokal e global u shkëputën. Prodhimi i shumë produkteve, që varen nga lëndët e para dhe nga gjysmëproduktet që blihen kryesisht në tregjet ndërkombëtare, u ndërpre. Pasi që shumë kompani prodhuese për të mbajtur koston e prodhimit të ulët dhe për të qenë më konkurruese aplikojnë metoda furnizimi si “just in time” dhe nuk mbajnë stoqe, efektet ishin të menjëhershme. Ndikimi u vërejt thuajse në mbarë industritë, posaçërisht në ato automobilistike dhe prodhuese. Por efekti më negativ në kontekst të menaxhimit të pandemisë u vërejt tek produktet mjekësore si maskat, mjetet mbrojtëse dhe dezinfektuesit. Brenda pak ditësh në mbarë tregun global u shfaq mungesë e madhe e tyre. Shtetet aplikuan masa restriktive tregtare për të mbrojtur tregjet e veta e për të siguruar sa më shumë furnizime, shpesh duke përdorur edhe metoda jokonvencionale. U harruan marrëveshjet e tregtisë së lirë, dhe kufijtë nacionalë zëvendësuan ata rajonalë, sikurse pamë që ndodhi në tërë Bashkimin Evropian. Shtetet zgjodhën këtë rrugë, sepse nuk ishin kujdesur me kohë për një nga detyrat që në vazhdimësi dëshirojnë t’ia atribuojnë vetes: garantimin e një sistemi shëndetësor, që ofron mjaftueshëm kapacitete, shtretër, pajisje, kujdes e mjete mbrojtëse për qytetarët. Në pamundësi për të përmbushur këtë detyrë, institucionet shtetërore në shumicën dërrmuese të vendeve të botës zgjodhën karantinimin, një model mesjetar dhe aspak i përshtatshëm për ekonominë e sotme globale dhe për botën moderne në të cilën jetojmë. Kjo shpërfaqi rrënjësisht të metat e shtetit si institucion rregullativ shoqëror. Krahas kësaj, qeveritë aplikuan masa ekstreme, që kufizuan masivisht të drejtat dhe liritë e qytetarëve dhe po synojnë t’i vazhdojnë ato edhe në të ardhmen, për shembull përmes aplikimit të mbikëqyrjes elektronike.

Fundi i outsourcing?

Të gjetur nën këto presione, shumë ndërmarrje multinacionale kanë filluar hartimin a planeve për t’i zhvendosur linjat e veta prodhuese nga tregjet e mëdha e të lira, drejt atyre kombëtare apo më të afërta gjeografikisht. Ky proces, i njohur si re-shoring (e kundërta e near-shoring apo outsourcing), nëse realizohet, mund të ketë efekte tektonike si në aspektin e prodhimit, të zinxhirëve globalë furnizues, ashtu edhe në zhvillimin e mëtejmë të vendeve si Kina e India. Në anën tjetër, një zhvillim i tillë mund të jetë një shans për vendet më pak të zhvilluara, për shembull për ato të Evropës Juglindore, të cilat mund të përfitojnë nga kjo zhvendosje. Shumë prej tyre ofrojnë fuqi të lirë punëtore, taksa të ulëta e lehtësime për investitorët e huaj dhe ndodhen në një zonë gjeografike, që falë investimeve të shumta në infrastrukturë gjatë dy decenieve të fundit kanë zvogëluar edhe më shumë distancën me vendet e Evropës Perëndimore dhe asaj Qendrore. Ky mund të jetë një shans i jashtëzakonshëm edhe për Kosovën, nëse për këtë ekziston vetëm pak rezon politik dhe gatishmëri për të mënjanuar barrierat për investime të huaja, si për shembull krimin e korrupsionin.

Digjitalizimi dhe globotika

Pavarësisht zhvillimeve në të ardhmen, kjo krizë nuk do të shënojë fundin e globalizimit. Përkundrazi, ai pritet të fitojë një dimension të ri, duke u zhvilluar tutje në rrafshin digjital. Edhe para COVID-19 bota ndodhej në vigjilje të një epoke të re, që pritet ta ndryshojë atë, po aq sa Revolucioni Industrial në shekullin XIX. Fjala është për automatizimin dhe inteligjencën artificiale, në kombinim me globalizimin dhe robotikën, që sot njihen me nocionin e “globotikës”, të cilat po ndryshojnë shpejt jetën tonë. Në qendër të këtij ndryshimi janë ata që studiuesi amerikan Robert Baldwin i quan “telemigrantë”. Falë zhvillimeve të teknologjisë, posaçërisht të rritjes së saktësisë mahnitëse të makinave të përkthimit si Google, Deepl e Bing, profesionistë nga mbarë bota, përfshirë miliona absolventë universitarë me përgatitje solide nga bota e tretë, posaçërisht nga vendet e pasura me popullsi si Kina, India, Indonezia etj., janë sot në gjendje të ofrojnë shërbimet e tyre nga largësia, pa pasur nevojë për ndihmën e përkthyesve klasikë. Kështu ata po hapin një fazë të re të globalizimit, e cila do t’u krijojë konkurrencë e kokëçarje qindra miliona profesionistëve jakëbardhë në Evropë e Amerikë. Pra, përderisa dje ishte sektori i prodhimit në qendër të zhvillimit të globalizimit, nga tani e tutje do të jetë ai i shërbimeve. Ajo që në këtë sektor kishte nisur me zhvillimin e uebfaqeve dhe me ofrimin e disa shërbimeve bazike të “back office” nga distanca e për të cilat nuk kërkoheshin shumë njohuri të gjuhëve të huaja, tani po kalon në një dimension tjetër, shumë më të paparashikueshëm.

Për shkak se ndryshimi që do të sjellin revolucioni digjital dhe globotika duket i pashmangshëm dhe rrënjësor, lind pyetja se si mund të përshtatemi në këtë botë të re dhe si mund të zhvillojmë aftësitë e duhura që do të na ndihmojnë të merremi me atë që Schumpeter e quajti "shkatërrim krijues". Historia na mëson se për ta bërë Revolucionin Industrial dhe industrializimin të funksionojë për shumicën e njerëzimit, shoqëria duhej të kalonte nëpër dy luftëra botërore dhe nëpër Depresionin e Madh të viteve 1930. Në këtë proces mësimi, individët, shoqëritë dhe vendet e botës u desh të kalonin edhe nëpër periudhat e hidhura të nazifashizmit dhe komunizmit. Është e ditur se në rrethana të pasigurisë, që shoqërojnë çdoherë ndryshimet e tilla rrënjësore, njerëzit preferojnë të zgjedhin populistët që premtojnë autoritet, "drejtësi" dhe “siguri” ekonomike. Prandaj rreziku nga ringjallja e sistemeve autokratike nuk ka qenë kurrë më i madh. Ai vjen nga ata që ofrojnë zgjidhje të thjeshta e të shpejta për probleme komplekse. Qasjet e tilla dogmatike e absolutiste mund të shkatërrojnë gjithë sistemin e vlerave demokratike e liberale. Këto janë çështje për të cilat secila shoqëri moderne duhet të mendojë detajisht. Për të nisur këtë proces, posaçërisht në hapësirën mbarshqiptare, esenciale do të ishte pajtimi për një reformim të tërësishëm të sistemeve arsimore, për të mundësuar dhe lehtësuar edukimin në përputhje me nevojat e kohës, të cilat shpërfaqen në rrafshin e digjitalizimit, automatizimit, inteligjencës artificiale e robotikës, por edhe të stimulimit të mendimit kritik e inovativ. Kjo mund të jetë pikënisja e rrugës sonë për t’u imunizuar nga teshtitjet globale të së ardhmes.

(Autori është ekonomist dhe themelues i www.eciks.com)