OpEd

Të anulohet (?)

Kur Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) e anuloi sezonin e basketbollit, për shkak të pandemisë Covid-19, u mendua se kjo do të kishte efekt dominoje dhe të gjitha sportet në Kosovë do ta përcillnin këtë trend.

Koronavirusi ka paralizuar botën e sportit, njësoj siç ka bërë edhe me jetën sociale për gati dy muaj në tërë botën.

Garat e mëdha sportive ndërkombëtare të vitit 2020, kampionati evropian “Euro 2020” dhe lojërat olimpike verore “Tokyo ‘2020” janë shtyrë për verën e vitit të ardhshëm. Por virusi fatal që ka prekur mbi një milion njerëz anembanë botës ka shtuar pasigurinë, nëse edhe garat e tjera sportive, kampionatet vendore dhe garat evropiane të lëna në gjysmë mund të zhvillohen këtë vit.

Drejtuesit e basketbollit të Kosovës nuk pritën më shumë se 18 ditë, pasi u lajmëruan rastet e para anë Kosovë me koronavirus, që të anulonin tërë sezonin e basketbollit në Superligë (meshkujt dhe femrat), pa shpallur fituesit.

Kur më 31 mars kjo ishte vlerësuar si një vendim i drejtë i një federate të madhe sportive në vend, sot gati dy muaj pas izolimit dhe kur kanë filluar masat lehtësuese të lëvizjes, kjo shihet me skepticizëm e dilemë, nëse janë ngutur ata të basketbollit. Arsyetimi i drejtuesve dhe klubeve ishin shpenzimet e larta, e natyrshme kjo kur shikohen përbërjet e nëntë ekipeve të Superligës së meshkujve, që kishin së paku nga tre basketbollistë të huaj, e që shpenzonin mijëra euro për ta.

***

Përjashto basketbollin, të gjitha federatat e tjera sportive dhe aktive në vend, ishin dhe janë për vazhdimin e kampionatit.

Nga një takim i krerëve të federatave sportive me ministren në detyrë të Kulturës, Rinisë e Sportit, Vlora Dumoshi, të prirë edhe nga Komiteti Olimpik i Kosovës, njëzëri janë pajtuar për vazhdimin e garave. Dhe, përveç Federatës së xhudos së Kosovës, që përmes Toni Kukës ka dalë me planprogram të detajuar se si të vazhdojnë përgatitjet e aktivitetet, me gjithë synimin për të vazhduar aktivitetet, asnjë federatë nuk ka propozuar planin konkret si mund ta bëjnë një gjë të tillë.

Në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) ka një plan për rinisjen e përgatitjeve, por që nuk përkon me planin dhe masat e Ministrisë së Shëndetësisë, që aktivitetet sportive i parasheh në fazën e tretë, nga 1 qershori. FFK-ja kishte dalë me një plan për të rifilluar nga gjysma e muajit maj, pasi këtë ua kërkon edhe UEFA federatave kombëtare, në mënyrë që kampionatet vendore të përfundojnë më së largu deri më 20 korrik. Por lajmet e fundit nuk janë në favor të futbollistëve.

Njëri nga mikrobiologët më të njohur në vend, Lul Raka, paralajmëroi federatat e klubet që të mos marrin vendime pa miratimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

“Prioritet është shëndeti i njeriut, prioritet është shëndeti i sportistit, i futbollistit të Kosovës”, tha Raka në “Interaktiv” të KTV-së, kur u pyet nëse sportistët mund të nisnin përgatitjet në grupe.

“Për shkak të përgatitjes së tyre fizike, mushkëritë e tyre janë si thithëse, thithin viruset më lehtë dhe i dërgojnë direkt e në mushkëri”, ka paralajmëruar Raka për rrezikun që u kanoset sportistëve në këtë fazë, duke shtuar se përgjegjësia do të jetë e atyre që nuk zbatojnë vendimet.

Dhe kur sheh këtë paralajmërim nga ata që janë në vijën e parë të luftës kundër virusit fatal, shtrohet pyetja se kujt i konvenojnë rinisja dhe vazhdimi i garave në këtë fazë?

Një pjesë e madhe e klubeve të futbollit janë për të vazhduar garat, pasi kanë bërë shpenzime enorme si asnjëherë më parë, në vitin kur futbolli kosovar do të dërgonte tri skuadra në garat evropiane dhe do të ndryshonte sistemi i garave, duke rënë nga liga madje katër ekipe.

Por me paratë nga të drejtat televizive, që janë modeste e qesharake, humbja e të ardhurave nga biletat për shkak se ndeshjet do të luhen pa shikues, nuk ka asnjë arsye tjetër pse insistohet nga klubet që të rinisë kampionati.

***

Edhe pse në periudhë karantinimi, FFK-ja dhe klubet këtë kohë e kanë shfrytëzuar për armiqësitë ndërmjet vete, me secilën palë duke e ndihmuar edhe më shumë një gjë të tillë.

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, vazhdon të ushtrojë detyrën e kryetarit, pavarësisht se Gjykata e Apelit ia ka vërtetuar dënimin e Themelores prej nëntë muajsh me burg efektiv. Ademi me ekipin e tij mbrojtës ka thënë se po e mbron ligjshmërinë e tij, por në kohën e izolimit ai ka vizituar klubet përkrahëse, në kulmin e pandemisë në vend.

Nga kundërshtarët e tij, e që janë së paku gjysma e klubeve të Superligës, Ademi u akuzua edhe se po investon pa kritere në klubet që e përkrahin atë.

Opozita e Federatës, që për synim ka të marrë kreun e FFK-së, me ish-zëvendëssekretarin dhe dy udhëheqësit e klubeve të Llapit e Trepçës ’89 si më të zëshmit, akuzojnë kreun e FFK-së se po e mban paligjshëm postin e kryetarit, por akuza kanë edhe për Komitetin Ekzekutiv.

Së fundi, kërkuan hise në fondin prej 4.3 milionë eurosh të FFK-së, të ndarë nga UEFA për nevoja të Federatës dhe futbollit më vend. Nuk është edhe që nuk kanë të drejtë, pasi UEFA i ka rekomanduar federatat që t’i shfrytëzojnë mjetet për nevojat dhe prioritetet e futbollit dhe në këtë kohë të vështirë, janë klubet si palë e tretë dhe që kanë nevojë për to.

Por më tepër se nevojë, gjysma e klubeve të Superligës, që për arsyetim kanë investimet e shumta në futboll, këtë e shohin si mundësinë e mirë për ta rrëzuar nga froni Ademin dhe këtë nuk e kanë fshehur asnjëherë. Andaj edhe kërcënimi i fundit me tërheqje nga garat në kohën e pandemisë, megjithëse jokorrekt, i zbulon aspiratat e klubeve që më pak e kanë problemin e financave dhe vështirësive ekonomike, apo edhe dilemën nëse do të vazhdojë apo do të anulohet kampionati.

Dhe përderisa vazhdojnë këto dilema, problemet e mëdha, koronavirusi po e fiton një tjetër betejë dhe qysh tani mund të konkludojmë që ka fituar ndaj sportit me rezultat zyrtar, 3:0.