Arbëri

Andoni: S’ka pasur vend më të mirë se Tirana për takim ballë për ballë Kosovë-Serbi

Analisti e historiani Ben Andoni ka vlerësuar se Samiti i Komunitetit Politik Evropian, që u mbajt në Tiranë, ka qenë rast i duhur që të ketë takim ballë për ballë midis përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë.

Në këtë samit, Kosova u përfaqësua nga presidentja Vjosa Osmani e Serbia nga presidenti Aleksandar Vuçiq.

“Këto samite mundësojnë nga ana burokratike që vendet që kanë probleme të komunikojnë direkt, ballë për ballë. E keni parë, Armenia dhe Azerbajxhani gjetën një moment që të flisnin dy kryetarët e shteteve. Ishte mundësia që burokratët e Kosovës dhe ata të Serbisë të merreshin vesh dhe të flisnin direkt fytyrë më fytyrë në Tiranë. Nuk kishte vend më të mirë për Kosovën sesa të flitej në Tiranë, por një gjë e tillë për fatin e keq nuk ka ndodhur”, ka thënë Andoni në një intervistë për “Interaktiv” të KTV-së.

Andoni megjithatë ka thënë se presidentja Osmani bëri kërkesë të duhur që Kosovës t’i hiqen masat. Ai ka thënë se është absurde që Kosova të përballet me masa të tilla e që presidentë të shteteve që s’kanë sanksionuar Rusinë të mirëpriten me dashamirësi.

Ai e ka vlerësuar si tepër pozitiv samitin e mbajtur në Tiranë. Sipas tij, organizime të tilla kanë ndikim për qasjen diplomatike të Tiranës. Andoni ka thënë se Tirana po e merr qendrën e vëmendjes nga Beogradi që dikur mbante organizime të tilla.

Sa i përket bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri, Andoni ka thënë se pavarësisht mospajtimeve mes liderëve, “Tirana zyrtare e ka ndihmuar Kosovën”.

Këtu ka përmendur përpjekjet e Kosovës për pranim në Këshill të Evropës dhe UNESCO. Megjithatë, ai ka thënë se “Kosova duhet të bashkëpunojë më tepër me Shqipërinë në këtë rast, sepse nuk mund ta bëjë vetëm Shqipëria këtë”.

“Duhet të ketë edhe nga Kosova një bashkërendim për nevojat e saj më të mëdha logjistike. Më vjen keq ta them që Kosova ka kohë që nuk po e bën këtë. Një pjesë e fajit mendoj se është te ekzekutivi i (kryeministrit të Kosovës, Albin) Kurtit. Por burokratët e nivelit të dytë dhe të tretë kanë meritën më të madhe që po e mbajnë këtë marrëdhënie”, ka vlerësuar Andoni.