OpEd

Mbi lojalitetin kushtetues

Ajo çfarë ka goditur rendin kushtetues në Kosovë përgjatë gjithë këtyre viteve të saj është edhe mungesa e besnikërisë kushtetuese në rrafsh institucional

Njëri ndër eksponentët më të spikatur të Kushtetutës së SHBA-ve, James Madison, kishte thënë se ndër qëllimet kryesore të kushtetutës është kufizimi i mundësisë që shumica të dëmtojë interesat e pakicës. Kanë kaluar 233 vite që nga hartimi i Kushtetutës së SHBA-ve, dhe po të realizoheshin parashikimet e njërit prej hartueseve të saj, Thomas Xheferson, ajo kushtetutë nuk do të arrinte të mbijetonte më tepër se 20 vite. Sipas tij, aq është jetëgjatësia e një klase politike që përcakton fatin e një kushtetute.

Koha, megjithatë, e dëshmoi të kundërtën. Jo vetëm se kushtetuta amerikane arriti të shndërrohet në një dokument kushtetues që jeton, por disa nga parimet themelore të saj patën jehonë të fuqishme në të gjitha kushtetutat e para në botë.

Këtu, as Kosova nuk përbën përjashtim. Shumë parime origjinale të konstitucionalizmit amerikan, siç është parimi i sovranitetit popullor, parimi i ndarjes së pushteteve apo parimi i pavarësisë së gjyqësorit janë inkorporuar në Kushtetutën e Kosovës. Këto parime jo vetëm që kanë rëndësi të madhe për demokracinë kushtetuese, por i japim kuptim vet lirisë dhe demokracisë.

Aprovimi parlamentar i Kushtetutës së Kosovës më 9 prill 2008, materializoi në aspekt kushtetues vullnetin politik të popullit të Kosovës të shpallur më 17 shkurt të të njëjtit vit. Ky instrument i qeverisjes nuk hapi vetëm rrugën për themelimin e organeve kushtetuese të republikës së re, por krijoi një perspektivë të re të garantimit dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave kushtetuese, dhe të të drejtave të komuniteteve pakicë. Pak kushtetuta në botë ofrojnë një sfond kaq të gjerë të garancive kushtetuese për komunitetet pakicë se sa Kushtetuta e Kosovës.

Ligji themelor përcaktoi se “Kosova është Republikë demokratike e bazuar në parimin e ndarjes së pushteteve dhe kontrollit e balancimit në mes tyre” dhe se i tërë rendi nacional kushtetuës mbështetet në disa parime dhe vlera themelore kushtetuese që përfshijnë demokracinë, respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, sundimin e së drejtës dhe ndarjen e pushtetit shtetëror, në veçanti. Mbi këto parime mbështetet arkitektura kushtetuese e Republikës së Kosovës. Përfundimisht, Kushtetuta përcaktoi themelimin e Gjykatës Kushtetuese, aq shumë e munguar para dhe pas mbarimit të luftës në Kosovë.

Juristi me famë botërore, Hans Kelsen, njëri ndër arkitektët e Kushtetutës austriake të vitit 1920 me të drejtë pohonte se gjykata kushtetuese është kujdestare e kushtetutshmërisë në një demokraci kushtetuese. Andaj ndërtimi i gjyqësisë kushtetuese në Kosovë është manifestim direkt i zbatimit të kësaj Kushtetute dhe doktrinës kelzeniane për gjykatën kushtetuese si kujdestare e kushtetutshmërisë.

Sidoqoftë, këto 12 vite të zbatimit të Kushtetutës kanë shpërfaqur disa sfida dhe probleme serioze në zbatimin e saj. Këto zhvillime kanë treguar se ndërtimi i demokracisë kushtetuese, sundimit të drejtës dhe respektimit të lirive dhe të drejtave kushtetuese nuk përbën një mision të lehtë për t’u realizuar.

Kushtetuta ka dimensionin e saj kohor dhe territorial. Ajo përbënë ligj suprem në tërë territorin e shtetit. Këtë frymë e ndjek edhe neni 2 i Kushtetutës së Kosovës, i cili është i qartë në këtë drejtim: “sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë”. Megjithatë, zbatimi i aktit më të lart juridik në veriun e Kosovës është kërcënuar në vazhdimësi, si nga autoritetet e fqinjit verior, ashtu edhe nga struktura joformale që kanë rrezikuar dhe vazhdojnë të sfidojnë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës në atë pjesë.

Padyshim se krahas organeve shtetërore të Kosovës, edhe bashkësia ndërkombëtare duhet të luaj një rol më proaktiv në këtë drejtim për të penguar çfarëdo forme të agresionit kushtetues ndaj Kosovës pasi legjitimiteti i një kushtetute përcaktohet nga niveli i respektimit dhe zbatimit të saj në praktikë.

Ajo çfarë ka goditur rendin kushtetues në Kosovë përgjatë gjithë këtyre viteve të saj është edhe mungesa e besnikërisë kushtetuese në rrafsh institucional. Lojaliteti kushtetues është parim i të gjitha kushtetutave pa të cilin asnjë kushtetutë nuk mund të funksionojë. Betimi kushtetues pa të cilin bartësit më të lartë të funksioneve shtetërore në Kosovë nuk mund të marrin mandatin përçon një dhe vetëm një mesazh: detyrimin për ta respektuar me besnikëri kushtetutën dhe vlerat e saj. Është i paimagjinueshëm zbatimi kushtetutës në mungesë të lojalitetit ndaj saj dhe vlerave që mishërohen në të.

Çdo kushtetutë nacionale në botë shquhet për shkallë të lartë të konstruksionit konstitucional. Gjuha kushtetuese është kryesisht e gjerë, e hartuar në formë të parimeve kushtetuese që konkretizohen më tej me akte ligjore, vendime gjyqësore apo praktika të sjelljeve kushtetuese. Andaj, zbatimi kushtetues është i vështirë në mungesë të qasjes institucionale konstruktive dhe pragmatike.

Interpretimet kushtetuese duhet të jenë në funksion të ofrimit të zgjidhjes kushtetuese, por jo të bllokimit të saj. Komisioni i Venecias, si njëri ndër autoritetet më me ndikim në arenën kushtetuese evropiane, në vazhdimësi ka përkujtuar se qëllimi i çdo kushtetute është ruajtja e stabilitetit kushtetues, respektimi i parimeve kushtetuese dhe lirive dhe të drejtave themelore.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, është që në Kosovë duhet të fuqizohet më tej shkalla e mbrojtjes kushtetuese të lirive dhe të drejtave themelore. Ndonëse individët kanë një mjet efektiv të përcaktuar me kushtetutë (ankesën individuale) për t’u mbrojtur nga ndërhyrjet arbitrare të autoriteteve publike, akoma mbizotëron një shkallë e lartë e mospërputhjes në mes të të drejtave të garantuara kushtetuese dhe gëzimit të tyre në jetën reale. Parimi i sundimit të së drejtës, respektimi i parimit të barazisë, e drejta e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje, si dhe të drejtat kushtetuese të drejtësisë sociale vazhdojnë të mbesin sfidë për demokracinë kushtetuese në Kosovë. Siç ka theksuar disa herë Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, jurisprudencës të së cilës i detyrohemi në kuptim të nenit 53 të Kushtetutës së Kosovës, nuk mjafton që autoritetet publike të kujdesen që vetëm të mos cenojnë të drejtat kushtetuese, por ato duhet të vihen në veprim që përmes masave konkrete të ndihmojnë në realizmin e tyre. Për këtë Gjykata Kushtetuese e Kosovës duhet të jetë më gjeneroze në pranimin e kërkesave individuale kushtuese, të cilat sot përbëjnë 90 për qind të të gjitha rasteve kushtetuese të referuara në nivel të drejtësisë kushtetuese në Kosovë. Kjo do t’i hapte rrugë realizimit më efektiv të drejtave kushtetuese të qytetarëve dhe disiplinimit kushtetues të organeve shtetërore.

Por nuk është vetëm gjykata kushtetuese ajo që në një demokraci kushtetuese përcakton dinamikën e zhvillimit kushtetues. Në disa demokraci kushtetuese evropiane janë qytetarët ata që përmes referendumit kushtetues u japin përgjigje finale çështjeve të rëndësisë nacionale dhe shtetërore. Rasti i demokracisë zvicerane e ilustron këtë më së miri. Neni 2 i Kushtetutës së Kosovës përcakton se sovraniteti shtetëror buron nga populli, i takon popullit dhe ushtrohet nga ai, përmes përfaqësuesve të zgjedhur apo me referendum. Ka kaluar më tepër se një dekadë që një e drejtë e qytetarëve në referendum të mos vihet në jetë, si pasojë e mungesës së legjislacionit adekuat për këtë fushë.

Aktivizmi qytetar duhet të manifestohet jo vetëm përmes iniciativës ligjvënëse, por edhe përmes iniciativës kushtetutvënëse. Mungesa e zbatimit të iniciativës qytetare për ndryshime kushtetuese e zbeh pronësinë demokratike të qytetarëve në procesin e ndryshimeve kushtetuese në Kosovë. Siç kishte thënë Benjamin Franklin, njëri ndër kolosët e hartimit të kushtetutës amerikane, “kushtetuta nuk garanton lumturinë por vetëm të kërkuarit e saj. Ju duhet ta përvetësoni atë vetë”.

(Autori është profesor i së drejtës kushtetuese në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe zëvendës anëtar i Komisionit të Venecias)