Diagnoza e pashpresë

Asdren Rrahmani Asdren Rrahmani 13 January 2020 09:01

Gjendja e organizmit të shoqërisë sonë është shumë më serioze dhe më e pashpresë. Ky organizëm është i atakuar nga vetë ne përbrenda tij dhe nga shumë faktorë të tjerë virusalë nga jashtë. Se si do të arrijë që t’i mbijetojë kësaj gjendjeje, unë me të vërtetë nuk kam përgjigje

Viti që sapo filloi, e filloi me një BANG të madh. Tashmë të gjithë jemi në dijeni të lajmit se si Amerika e eliminoi Qasem Soleimanin, gjeneralin e ushtrisë iraniane dhe njeriun me numrin dy në renditjen e më të fuqishmëve të Iranit. Atë e vrau me anë të një droni të teledirigjuar nga distanca, në afërsi të aeroportit të Bagdadit në Irak.

Me siguri se nuk ishte vetëm Irani ai i cili u befasua nga ky vendim dhe lëvizje e presidentit Trump, u befasua e mbarë bota. Ka kohë që fërkimet ndërmjet këtyre dy shteteve shënojnë ngritje dhe madje sidomos që nga emërimi i presidentit Trump për kryetar të SHBA-së, me gjithë faktin se ai gjatë fushatës së tij zgjedhore kishte kritikuar pararendësit e tij për qasjen e tyre ndaj Iranit, si dhe një lufte te re të Amerikës në Lindjen e Mesme, e cila asaj fare nuk i nevojitej. Trumpi proklamonte se pas zgjedhjes së tij për president ai do t’i tërhiqte forcat amerikane nga rajoni dhe do të fokusohej në modernizimin e ushtrisë, si dhe ekonomisë në veçanti. Siç e dimë tashmë, Trumpi fitoi në garën e tij presidenciale në SHBA, numri i ushtarëve në Lindjen e Mesme përkundrazi u shtua, situata përshkallëzoi, ndërsa sa u përket investimeve më të mëdha në ushtri dhe ngritjen e ekonomisë amerikane, këto dy fakte deri më tani shkojnë në favor të presidentit Trump.

Po ashtu jemi në dijeni se Kongresi Amerikan ka aprovuar dokumentin e mosbesimit ndaj presidentit Trump, si dhe kërkesën për shkarkimin e tij dhe e njëjta pritet që tash të dërgohet në Senat për gjykimin atje. Ky veprim do ta lëndojë përjetë karrierën presidenciale të Donald J. Trump, dhe për këtë gjë ai dhe shtabi i tij zgjedhor janë shumë të vetëdijshëm. Zgjedhjet e reja presidenciale në Amerikë mbahen në fund të këtij viti, prandaj rënien e popullaritetit të vet në masat amerikane Trumpit i nevojitej që ta përmirësonte edhe me ngjarje madhore në terren. Prandaj përzgjedhja e tij për eliminimin fizik të gjeneralit iranian Qasem Soleimani i zuri në befasi të gjithë.

Irani për disa ditë u mor me ceremoninë mortore të mbetjeve të gjeneralit të tyre, ku me miliona njerëz dolën në pjesë të ndryshme të Iranit për t’ia dhënë respektin e fundit prijësit ushtarak të tyre. Dëgjuam shumë thirrje për hakmarrje ndaj Amerikës si nga presidenti asaj ashtu edhe nga miliona banorë të rëndomtë të Iranit. Se situata tashmë kishte përshkallëzuar në pikën e vlimit ndërmjet këtyre dy vendeve e pamë që të gjithë, por se si do të zhvilloheshin gjërat më tutje aty vetëm mund të hamendësonim.

Tashmë po ashtu jemi në dijeni se ditë më parë Irani sulmoi me raketa dy bazat më të mëdha amerikane në Irak. Të gjithë ishim me ankthin se cilat do të ishin pasojat e këtij sulmi dhe nëse do të kishte të vrarë nga ana e ushtarëve amerikanë dhe se cila do të ishte përgjigjja e Amerikës ndaj këtij sulmi. Rezultoi se dhjetëra raketa, të cilat arritën që të binin në bazat ushtarake amerikane, shkaktuan vetëm dëme materiale, por jo edhe humbje jetësh të njerëzve aty. Kjo gjë i mundësoi që përgjigjja e presidentit Trump të ishte shumë e matur dhe jo luftënxitëse, ai tha se Amerika do të vazhdonte me sanksione të reja ekonomike kundrejt Iranit, por jo me ndonjë veprim ushtarak kundër tij.

Ankthi i fillimit të një lufte të re me pasoja të paparashikueshme së paku për një kohë është zbutur, mbetet të shihet se si do të zhvillohen ngjarjet në ditët dhe javët vijuese.

Nga kabllogramet vendore mbetemi ende me temën e arritjes apo mosarritjes së koalicionit qeverisës ndërmjet Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në fakt, mendoj se sot mund të jetë dita vendimtare sa i përket këtij koalicioni se a do të ndodhë ai apo nuk do të ndodhë. Shumica nga ne i keqkuptuam premtimet elektorale të këtyre partive politike. Ne ishim me përshtypjen se këto mezi do të prisnin që të përfundonin zgjedhjet në mënyrë që të fillonin një bashkëqeverisje ndryshe dhe pritjet ishin që këto të dyja së bashku do të na sillnin një lloj qeverisjeje çfarë nuk e kishim parë më parë në këto troje. Në këtë grackën e naivitetit diplomatik rashë edhe unë.

Dinakëria e të bërit politikë ishte evidente nga radhët e LDK-së dhe mënyra se si ata u qasën ndaj këtij koalicioni me stilin "tërhiq e mos këput". Që të dyja partitë e luanin lojën e hedhjes së fajit tek tjetri për mosbërjen e këtij koalicioni e argumentet i kishin të lodhura. Argumenti i cili mua më intereson janë 400.000 votat e qytetarëve, të cilët e presin këtë koalicion dhe formimin e qeverisë, si dhe një qeverisje ndryshe për këtë vend. E gjitha kjo më ngjason në një martesë, ku fjalët e fundit, të cilat nuk duhej thënë fare, janë thënë në fillim dhe disi mundohesh që ta vazhdosh atë lidhje, por agonia vetëm sa shkon e shtohet dhe shtyhet pa nevojë. Çdo ditë është në atë stilin "a e mban mend kur ti më the mua ashtu apo kështu" dhe një qasje e tillë vetëm shkakton agjitacion elektrizues ndërmjet partnerëve e deri te një polarizim i pashpresë.

Siç e kam thënë më parë, unë personalisht më as që jam entuziast sa i përket këtij koalicioni, me gjithë faktin se kam qenë njëri nga lobuesit dhe dikush që ka besuar se kjo mund të ishte e vetmja kombinatorikë qeverisëse në atë vend. Tashmë, siç thonë pleqtë tek ne, këtij muhabeti i doli boja dhe aty asgjë e sinqertë nuk mbetet përveç dëshirave të plotësimit të egove individuale që nuk kanë të bëjnë asgjë me 400.000 votat, të cilat këtyre dy partive u janë dhënë me të tjera pritje dhe besim. Ai besim dhe ato pritje tashmë janë shkelur me të katër këmbët e që të dyja partive, edhe pse unë personalisht pjesën më të madhe të fajit do t’ia hidhja LDK-së për josinqeritetin e saj qysh para zgjedhjeve, gjatë tyre dhe në vazhdimësi.

Unë do t’i dëshiroja zgjedhjet e reja vetëm për faktin sepse do të më interesonte se si do ta kërkonin votën e qytetarit tashmë këto partitë kosovare? Me sloganet e njëjta? Po që do të jetë një cirk i paparë i injorancës dhe pafytyrësisë.

Në anën tjetër, edhe po qe se me ndonjë mrekulli ky koalicion dhe marrëveshja për të do të arrihej sot, të jeni të sigurt se unë do të vazhdoj që të mbetem kritik ndaj tyre ashtu siç kam qenë edhe për çdo qeveri paraprake, bile, thënë të drejtën, ndaj këtyre edhe më pa pardon, pasi që pritjet kanë qenë më të mëdha. Me rëndësi është që rrogat e deputetëve tashmë kanë filluar te jepen nga buxheti i mbetur i Qeverisë së Kosovës. Periudha nëpër të cilën Kosova po kalon e gjen atë të gjunjëzuar në shumë nivele, dhe të gjitha këto vonesa do t’i paguajmë shumë shtrenjtë e normal për ne, për atë gjë, përgjegjësinë nuk do ta marrë askush, vetëm do të vazhdohet të hidhet si top llastiku nga njëri tabor në tjetrin.

Është e pashmangshme pyetja që një mendje e shëndoshë do t’ia bënte vetes. A merituam ne shtet? Para se që të më vendosni në kryq dhe të më gozhdoni, unë këtë pyetje e bëj nga zemra e plasur. Vetëm më kurseni nga argumentet e hipokrizisë me të cilat ne shquhemi dhe shkëlqejmë. As në përrallat me njerkat e këqija nuk ndodh që në këtë mënyrë t’i hakmerresh njerkës, siç ne sillemi ndaj Kosovës, të cilën e quajmë nënë. Së paku të tillë e quajtëm në bisht të çiftelisë. Si shoqëri jemi katandisur shumë keq. Nuk e amnistoj unë as veten time, dua ta bart pjesën e përgjegjësisë sime, por koha ka ardhur që secili nga ne ta bartë atë. Djalli e martë, nuk jemi ne 80 milionë banorë, por as dy milionë. Indiferenca e një pjese të madhe të ashtuquajtur intelektualë dhe koabimi i tyre me krimin me apo pa vetëdije, rrënimi i vlerave, shthurja totale e vlerave familjare dhe shoqërore, na kanë sjellë në pikën e falimentimit si shoqëri. E një shoqëri nuk është asgjë tjetër pos një organizëm qelizash, ku fatkeqësisht për ne shoqëria jonë dhe fabrika qelizore e saj sistemin imun e kanë inekzistent, qelizat e shëndosha degradojnë shpejt dhe e luftojnë vetveten. Nuk bëhet fjalë për ndonjë infektim mikrobial, i cili do të mund të kontrollohej me dhënien e antibiotikëve në doza të caktuara. Gjendja e organizmit të shoqërisë sonë është shumë më serioze dhe më e pashpresë. Ky organizëm është i atakuar nga vetë ne përbrenda tij dhe nga shumë faktorë të tjerë virusalë nga jashtë. Se si do të arrijë që t’i mbijetojë kësaj gjendjeje unë me të vërtetë nuk kam përgjigje.

Lexuesit të ditarit tim i kërkoj falje për këtë dozë të pesimizmit të shtuar, por nëse ju keni njohuri se si do të mund të bëhet më mirë, ju lus që të mos hezitoni të më kontaktoni në ambasadën time në Facebook.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Asdren Rrahmani