Nuk ma nin

Adriatik Kelmendi Adriatik Kelmendi 11 January 2020 08:20

Ku është kufiri? Si ta arrijmë balancën se cilat janë gjërat për të cilat, vërtet, nuk duhet të mërzitemi, nuk duhet të kemi dert, dhe cilat janë ato të tjerat, për të cilat nëse nuk mërzitemi, mund të ndikojnë që jeta jonë të bëhet edhe më e vështirë. Çka kur gjithçka na bëhet rrafsh? Këtë duhet ta kenë parasysh sidomos ata liderë, të cilët kanë dhënë premtimin për ndryshimin pozitiv dhe për këtë kanë marrë besimin e njerëzve. Nëse pritjet janë të mëdha, zhgënjimet mund të jenë edhe më të mëdha.

RICKY GERVAIS është satirist, aktor, këngëtar, shkrimtar, producent, regjisor nga Britania. Ai është edhe njëri ndër ateistët më të njohur në botë, kryesisht duke e përdorur llogarinë e tij në Twitter për t’i përqeshur religjionet.

Për mua është njëri ndër njerëzit më interesantë të gjallë sot, i cili e ka bërë edhe njërin nga filmat të cilit çdo vit i shikoj dhe komentoj bashkë me studentët e gazetarisë, “Zbulimi i rrenës” (“The Invention of Lying”, të cilin nëse nuk e keni shikuar duhet ta shikoni patjetër, e gjeni edhe me titra shqip)*.

Mirëpo, së fundi, ai ia ka dalë ta arrijë edhe një sukses tjetër – ta japë atë që po vlerësohet si njëri ndër fjalimet më të diskutuara të vitit.

“I don’t care” (në sllengun prishtinas do t’i binte “Nuk ma nin”), përsëriti ai disa herë në rolin e nikoqirit të shpërblimeve “Golden Globes” në hotelin Beverly Hilton në Los Angeles, në sallën e mbushur plot me njerëz të pushtetshëm nga bota e filmit dhe e show biznesit në përgjithësi.

“Pra, nëse ti do ta fitosh një shpërblim sonte, a bën të mos e përdorësh këtë si platformë për të dhënë një fjalim politik? Nuk je në pozicion për t’i mbajtur ligjërata publikut për hiç asgjë. Ti nuk di asgjë për botën e vërtetë. Shumica jush keni bërë më pak shkollë, sesa Greta Thunberg”, iu drejtua Gervais të pranishmëve. “Edhe nëse ofendoheni nuk ma nin… Thoni se jeni të përgjegjshëm, por, shiko, a e dini për kë punoni, kompanitë si Apple, Amazon, Disney?! Nëse ISIS-i do të kishte shërbim transmetimi, ju menjëherë do të kërkonit nga agjenti që t’iu lidhë me ta”.

Tash, publiku është ndarë në dysh. A bëri keq Gervais që i dekurajoi njerëzit që kanë shumë përcjellje të masave që të dërgojnë porosi politike, apo ai bëri mirë që nuk i la “hipokritët” të flasin për njerëzit e thjeshtë?

Natyrisht, si në raste të tjera të ngjashme, kurrë nuk mund të pritet të arrihet një pajtueshmëri e plotë për këto qëndrime, por duket se tashmë i ka dhënë një vulë të rëndësishme fjalisë “nuk ma nin”. Gjendjes, kur dikujt krejt i bëhen – rrafsh.

KOLLAJ E KA edhe vetë Gervais të mos “ia nin”, thonë kritikët. Edhe ai është njëri nga ata në sallë, të cilët e kanë siguruar ekzistencën edhe për vete e edhe për pasardhësit e tyre. Madje nuk mërzitet edhe nëse fjalët e tij t’i kushtojnë me karrierë.

Problemi është se si të thonë “nuk ma nin” njerëzit, të cilët duhet të përpiqen shumë çdo ditë të jetës që të kenë ushqim në tryezë, t’i dërgojnë fëmijët në shkollë, t’i sigurojnë ilaçet për sëmundjet? Ose edhe ata e kanë versionin e tyre të thonë “nuk ma nin”, se nuk iu del koha që të merren me “çështje të mëdha”, se i kanë të mëdha hallet e veta të ditës.

Sidoqoftë, duket se kohëve të fundit është në rritje e sipër interesimi i njerëzve, të cilët duan që të gjejnë mënyra sa më të përshtatshme për t’u brengosur sa më pak në jetë. T’i numërojnë ditët që i kanë jetuar dhe ta kuptojnë se me secilën ditë që kalon, janë një ditë më afër vdekjes dhe një ditë më larg lindjes. Dhe t’i bëjnë bilancet se çka ia vlen brengën dhe çka jo. A duhet me ia “ni” a jo fort?

Për këtë arsye, gjithnjë e më të kërkuar janë librat që flasin pikërisht për “artin e mosbrengosjes”. Edhe në gjuhën shqipe - në mesin e librave gjithnjë e më të popullarizuar të motivimit personal dhe mendimit pozitiv - një ndër më të shitur gjatë vitit ka qenë ai i Mark Mansonit “Arti i brishtë i not giving a f.ck” (mos mbajtjes dert, në një përkthim të lirë dhe më të pranueshëm J).

Thelbi i teorisë së tij është se sa më shumë që njeriu dëshpërimisht dëshiron të bëhet i pasur, aq më i varfër dhe i papërdorshëm do të ndihet, sa më shumë që dëshiron të duket sexy dhe i dëshiruar aq më i shëmtuar do t’i duket vetja, sa më shumë që dëshiron të jetë i lumtur dhe i dashur, aq më i vetmuar dhe i frikësuar do të jesh, pavarësisht arritjeve në të gjitha këto drejtime. Madhështorja, spikat Manson, është vetëm një iluzion i mendjes sonë, një drejtim i trilluar të cilin ne e detyrojmë vetveten ta ndjekim dhe si i tillë është - i kotë. Kështu që sa më parë ta kuptojmë se disa gjëra do të ndodhin pavarësisht përpjekjes sonë, më e bukur do të na duket jeta, pasi që jeta në vetvete i mban “edhe dështimin, edhe humbjen, edhe pendimin e edhe vdekjen”.

PROBLEMI ME TEORITË e “nuk ma nin”, qoftë të stilit të Gervaisit ose të Mansonit, është se ku është kufiri? Si ta arrijmë balancën se cilat janë gjërat për të cilat, vërtet, nuk duhet të mërzitemi, nuk duhet të kemi dert, dhe cilat janë ato të tjerat, për të cilat nëse nuk mërzitemi, mund të ndikojnë që jeta jonë të bëhet edhe më e vështirë.

Për shembull, një ndër lukset më të mëdha është ai i njerëzve të cilët thonë “mua nuk më intereson politika”. Kjo do të duhej të nënkuptonte ose naivitet të madh, ose pushtet të madh të nivelit të pacenueshëm nga pushtetet e tjera.

Por, e dimë, nganjëherë, njerëzit zgjedhin ta thonë këtë edhe nga zhgënjimi i madh. Nga humbja e shpresës. Nga mosbesimi se diçka mund të ndryshojë për të mirë në një rreth, në një vend.

Çka ndodh kur njerëzve gjithçka fillon t’iu bëhet – rrafsh?

Këtë duhet ta kenë parasysh sidomos ata liderë, të cilët kanë dhënë premtimin për ndryshimin pozitiv dhe për këtë kanë marrë besimin e njerëzve. Nëse pritjet janë të mëdha, zhgënjimet mund të jenë edhe më të mëdha.

Kështu që në fund, për shkak se pritjet e mëdha kanë sjellë zhgënjime të mëdha, shumë njerëz fillojnë të ndiejnë se s’ia vlen shpresa, se nuk iu bëhet dert, se nuk ia nin më.

Krejt rrafsh!

*S’di a jau nin a jo për këtë punë, por derisa po e lexoni i bie se iu nin pak J

[email protected]

Twitter: @adriatikk

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Adriatik Kelmendi