Fundi i barazisë 20:20, fillimi i supernjeriut

Adriatik Kelmendi Adriatik Kelmendi 03 January 2020 12:02

Pse disa njerëz nesër do të (mund të) jenë më të mençur, më të bukur, më të shkathët, më të shëndoshë, dhe si kjo mund ta ndajë njerëzimin në kategorinë e supernjerëzve dhe njerëzve të tjerë? Dhe këtu nuk e kam fjalën për temën e ndonjë romani ose filmi të fantastikës shkencore. «Përzierja në punët e Zotit» tashmë po ndodh!.

20-20! DY NUMRA që shënjojnë barazinë e përkryer. Dy numra që e përsërisin vetveten dhe unë që e shikoj faqen e bardhë në kompjuter, që pret të mbushet me shkrimin e numrit festiv të KOHA Ditores.

Jam me dy ditë vonesë. Agroni, kryeredaktori i gazetës, ma ka dhënë afatin e fundit deri më sot, në orën 11:00, kurse në anën e djathtë lart monitorit po e shoh se tashmë ora tregon 10:33.

Edhe pse zakonisht kolumnet i shkruaj shpejt, si thuhet, me një të ulur, vështirë se do t’i dal në fjalë. Keq. Nuk më pëlqen të mos i arrij afatet për të cilat merrem vesh me të tjerët. Nuk më pëlqen të mos i arrij synimet që ia vë vetvetes. Por, ja që s’mundem gjithmonë. Dhe natyrisht nuk mund të jem i vetmi. Se njerëzit, thjesht, s’janë të përkryer.

Ose, së paku, s’janë e n d e të përkryer.

As në këtë kapërcyell të dhjetëvjeçarit me përparimin më të madh teknologjik dhe mjekësor që ka parë bota ndonjëherë.

E thashë e n d e, se si duket së shpejti do të shkojnë drejt përkryerjes… dhe kjo është tema e këtij shkrimi të Vitit të Ri.

NJERIU I PËRKRYER! Supernjeriu! Më i mençuri, më i bukuri, më i shkathëti, më i shëndoshi.

Fëmijët e nesërm kanë mundësinë të jenë, që me lindje, me të gjitha këto veçanti. Me një kusht të vetëm - një ndër «kushtet» më të vjetra të historisë së njerëzimit - nëse kanë fat. Në këtë rast me fat nënkuptohet t’i kenë prindërit të pasur dhe të vullnetshëm për të investuar në ta edhe para se ata të jenë bërë fetuse. Quhet inxhiniering gjenetik, ose nëse do të ishim sarkastikë, përzierje në «punët e Zotit».

Ka kohë që supernjerëzit kanë qenë temë e pëlqyer nga shkrimtarët, skenaristët, regjisorët, përgjithësisht, krijuesit e përmbajtjeve për zbavitjen e masave. Klonimi, rigjenerimi… Frakensteini?! Sakaq, gjithmonë kjo ishte parë si një ëndërr e së ardhmes, vështirë e realizueshme.

Mirëpo, siç na e ka lënë porosi, që në vitet 1800, Dostojevski – s’ka gjë më fantastike se realiteti.

A po e shohim që fantazia më e madhe e homosapiensëve, ajo e supernjeriut, është gati të kthehet në realitet? Dikush po na thotë: Po.

KA TË BËJË me mbarësimin artificial, ose siç quhet në gjuhën mjekësore i n v i t r o, shkurt ivf. Së fundi, shkencëtarët mjekësorë të një klinike amerikane (jo rastësisht edhe në filma gjithmonë janë amerikanë!), kanë filluar ta zbatojnë një teknikë të bazuar në ADN, sipas së cilës i ndajnë embrionet në ato që bartin gjene të mira dhe më pak të mira dhe ato të mirat pastaj i implantojnë në mitrën e gruas. Kjo metodë, e quajtur polimorfizëm njënukleotid, ose snp, garanton trashëgimtarë më të shëndoshë, ose, nëse duam, edhe – më të pashëm, më të gjatë, më të mençur. Krejt këto, varësisht, se prej kujt është marrë materiali gjenetik për mbarësimin artificial.

Edhe një herë, pra, fëmija juaj nesër mund të ketë më pak gjasa të sëmuret nga kanceri, për shkak se mjekët i kanë eliminuar snp-të në embrion (që janë dallimet më të imëta në ADN-në e një individi), të cilat mund ta shkaktojnë këtë sëmundje.

Por çka ndodh kur dikush vendos ta çojë edhe më larg?

Të mos ndalet vetëm te sëmundjet, pra parandalimi, por të kërkojë më tepër, përparimin?

Dhe si do të përcillet kjo pastaj, ta zëmë, nga një çift individësh, të cilat janë rezultat i riinxhieneringut gjenetik snp tek fëmijët e tyre, te pasardhësit e po këtij çifti?

Edhe më herët njerëzit përgjithësisht kanë synuar që të çiftëzohen me njerëz të tjerë që janë njësoj të mençur, njësoj të shëndoshë, njësoj të pashëm. Dhe përgjithësisht (natyrisht, gjithmonë ekzistojnë edhe përjashtimet), fëmijët e tyre i kanë bartur gjenet qoftë në dukje, inteligjencë, gjatësi, ose në rastet e kundërta, kanë bartur sëmundjet e tyre, për këtë arsye edhe janë quajtur sëmundje trashëguese.

Tash, në këtë temën tonë, nëse nesër çifti i prindërve që kanë qenë vetë të riinxhinieruar gjenetikisht kanë fëmijë dhe fëmijët e tyre vazhdojnë të çiftëzohen me individë të tjerë, të cilët po ashtu janë rezultat i snp-së, atëherë pas disa dhjetëvjeçarësh do të fillojë gjithnjë e më tepër të thellohet një ndarje mes njerëzve. A po e vëreni se ku po dal?!

Nesër aq të mëdha do të mund të jenë dallimet e brezave snp me njerëzit e tjerë, saqë do të mund të krijohen dy «raca» njerëzore: supernjerëzit dhe njerëzit e tjerë. Në njerëz shumë më të shëndoshë, dukshëm më të pashëm dhe më inteligjentë sesa njerëzit e tjerë «të rëndomtë».

Kjo ka qenë tema me të cilën janë marrë në prag të këtij dhjetëvjeçari, që fillon me dy numra të barabartë, pra 20-20, një pjesë e mirë e mediave të rëndësishme botërore. Pra, dhjetëvjeçari 20-20, që na asocion në barazi të përkryer, paralajmëron hyrjen në epokën kur asnjëherë më njerëzimi nuk do të jetë i barabartë. Gjithmonë dikush mund të jetë 21 e tjetri 19. Ose, edhe 30 – 10.

Edhe pse metoda e snp-së ende nuk ka filluar të ofrohet për shitje, kush garanton se së shpejti këtë nuk mund ta sigurojnë ata që kanë mundësi ta paguajnë?

Ose, siç kanë ngritur dyshime disa raporte mediale, kush na siguron se tashmë ka çifte që kanë paguar për t’i pasur fëmijët e tyre – fëmijë të përkryer?!

OK! TË NDALEMI këtu me këtë «temë të rëndë» në këtë atmosferë festive. Edhe ashtu njerëzimi në këta dhjetë vjetët e fundit, megjithëse i ka rritur ankesat (si ta zbulojmë një ilaç kundër ankesave?!), kurrë nuk ka gëzuar shëndet më të mirë, kurrë nuk ka jetuar më i lirë nga tirania, kurrë s’ka pasur më pak vdekje nga luftërat, kurrë s’ka mundur të udhëtojë e të komunikojë më tepër, kurrë s’ka pasur mundësi më të madhe qasjeje në dije, si dhe - kurrë nuk ka jetuar më gjatë.

Kështu që, nga një njeri i papërkryer për ju, njerëz të tjerë të papërkryer, në këtë kapërcim dhjetëvjeçari – urime!

Edhe shumë dhjetëvjeçarë të tjerë të jeni të mençur, të bukur, të shkathët, të shëndoshë!

P.S: Shkrimin, si i papërkryer që jam, e përfundova në orën 11:56. Agronit, ndërkohë, i tregova se po ia vonoj pak, por i tregova se e kam bërë personazh. Atëherë, e ke merituar një orë shtesë për këtë, më tha! J

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Arbr06/01/2020 14:28

Ka dallime edhe sot ndermjet popujve dhe racave, por per arsye se çka ka ndodh ne luften e dytë botërore kjo ështe nje temë tabu dhe nuk diskutohet ne qarqet shkencore ose se paku jo publikisht. Gëzuar2020!!

Shto koment

Tjera nga Adriatik Kelmendi