OpEd

Barazia e rrejshme

Zgjedhjet e 6 tetorit sollën ndryshime solide në përqindjen e grave që fituan mandatin e deputetes, por pabesia e bashkëpartiakëve ndaj Vjosa Osmanit tregoi se sa e shtirur është tek ne barazia gjinore dhe respektimi i të drejtës së gruas në politikë.

Befasi dhe zhvillime pozitive pati në zgjedhjet dhe përqindjen e përfaqësimit politik të grave në botë gjatë vitit 2019. Zgjedhjet parlamentare që u mbajtën në disa shtete dëshmuan për një gatishmëri më të lartë të grave për t’u marrë me politikë. Megjithatë, hendeku gjinor është ende larg të mbyllet madje edhe në vendet me demokracitë më të zhvilluara.

Në fillim të dhjetorit Finlanda, si pioniere e barazisë gjinore, shënoi rekord në botë, por edhe në historinë e qeverisë së vet njëqindvjeçare kur zgjodhi për kryeministre një grua 34 vjeçe. Sanna Marin është gruaja e tretë që drejton Qeverinë finlandeze. Ajo është nënkryetare e Partisë Socialdemokrate, anëtare e Parlamentit që nga 2015 dhe ka mbajtur postin e ministres së Transportit dhe Lidhjeve.

“Kur ju futa garës nuk kam menduar as për moshën as për gjininë time, por për arsyet pse ju futa politikës dhe çështjeve për të cilat e fitova besimin e elektoratit”, ka thënë Marin pas dhënies së betimit më 10 dhjetor. Kjo deklaratë nënkupton se Finlanda moti i ka tejkaluar paragjykimet për moshën dhe gjininë në politikë.

Befasia tjetër nga vendi nordik erdhi kur Qeveria e re e koalicionit të majtë. që përbëhet nga pesë parti që udhëhiqen nga gratë, zyrtarizoi kabinetin me shumicën gra, 10 sosh dhe pesë burra. Tri ministre të kabinetit janë moshatare të kryeministres më të re në botë.

Marin ka zgjedhur që krah saj të ketë vajza të reja plot energji dhe me dëshirën për të sjellë ndryshimin, si iniciatore të zhvillimit dhe drejtimit të suksesshëm të vendit. Këto gra do të drejtojnë ministritë më të rëndësishme të Finlandës. Ministria e Arsimit dhe e Financave do të drejtohet nga një 32-vjeçare, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme nga një 34-vjeçare. Por suksesi i grave finlandeze në politikë nuk mbaroi këtu. Pothuajse gjysma e deputetëve në Parlamentin finlandez janë gjithashtu gra. Nga 200 ulëse sa ka Parlamenti finlandez, 93 i kanë fituar gratë, apo 47 për qind.

Një rekord e ka shënuar edhe Parlamenti britanik. Pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit, që me fitoren e konservatorëve përfundimisht pritet ta shkëpusin Britaninë nga Bashkimi Evropian, numri i grave që do të ulen në ulëset e gjelbra të Parlamentit gati njëmijëvjeçar ka arritur në 220. Ndërsa 429 do të jenë burra.

Proporcioni i grave deputete do të jetë 34 për qind, që shënon shifrën më të lartë të përfaqësimit të grave në historinë e Dhomës së Ulët. Ka dallim të madh midis dy partive kryesore në numrin e deputeteve. Përderisa gratë do të përbëjnë çerekun e deputetëve të Partisë Konservatore, 87 gra e 277 burra, Partia Laburiste do të përfaqësohet në Parlament me ma shumë gra, sesa burra, saktësisht me 104 gra e 98 burra. Britanisë së Madhe i janë dashur rreth 30 vjet për të mbërritur këtë shifër të lartë përfaqësimi të grave. Më 1987 Dhoma e Ulët kishte vetëm 41 gra deputete. Por me gjithë rritjen rekorde shteti ishullor është ende larg balancës gjinore të përfaqësimit.

Rritje sivjet ka shënuar edhe përfaqësimi i grave në Kongresin amerikan, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të mbesin larg Finlandës dhe shumë shteteve të tjera evropiane sa i përket përfshirjes së grave në institucionet vendimmarrëse. 127 gra, 106 nga Partia Demokratike dhe 21 nga ajo Republikane shërbejnë nga janari në Kongres, që i bie 23.7 për qind e ulëseve, kurse në Senat shërbejnë 25 gra, 17 demokrate dhe tetë republikane. Në legjislaturën e kaluar Kongresi kishte 19.4 për qind gra. SHBA-ja si vendi më i njohur në botë për diversitet kulturor dhe racor, ka shënuar ndryshim historik sivjet me zgjedhjen e katër senatoreve nga komunitetet afrikano-amerikane dhe hispanike.

* * *

Kosovë zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit sollën ndryshime solide në përqindjen e grave që fituan mandatin e deputetes. Sollën edhe dy risi, por konfirmuan edhe një herë dominimin e politikës patriarkale që praninë e gruas në politikë ende e sheh si përmbushje kuote dhe si karrem për vjelje votash.

Për herë të parë në zgjedhje pati më së paku gra të zgjedhura me kuotën e vendosur gjinore prej 30 për qind. Vetëm 13 nga 39 gratë e zgjedhura fituan ulësen në krah të kuotës. 11 gra të Vetëvendosjes nuk patën nevojë për kuotën gjinore për të fituar mandatin. Gratë e Partisë Demokratike të Kosovës përfituan më së shumti nga kuota: 6 nga 8 deputetet e kësaj partie fituan ulëse në Parlament në krah të kuotës.

Risia tjetër ishte kandidimi për herë të parë i një gruaje për kryeministre. Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës iu fut një gare të ashpër zgjedhore për kryetarin e Qeverisë me kundërkandidatin e Vetëvendosjes, Albin Kurti. Me sloganin “Beso” ajo arriti të fitojë besimin e rreth 170 mijë votuesve, por nuk arriti ta mund Kurtin, të cilin e votuan rreth 184 mijë qytetarë. Votat për të e renditën partinë e saj të dytën në zgjedhje. Osmani shihej si shpresë për elektoratin e LDK-së, të lodhur nga politikat inerte të kastës udhëheqëse të partisë 30-vjeçare. Gratë e votuan me besimin se do ta kishin një zë të fuqishëm në krye të shtetit, që do të angazhohej për uljen e hendekut gjinor dhe përmirësimin e pozitës së tyre në shoqëri.

Për shkak të përplasjeve dhe mospajtimeve të mëhershme me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, dhe dy nënkryetarët Lutfi Haziri dhe Agim Veliu, të cilët mbajnë frerët e partisë, dyshohej në fuqinë dhe pavarësinë e saj në vendimmarrje në rast se zgjidhej kryeministre. Nga tabori kundërshtar akuzohej se emri i saj po shfrytëzohej për shpëtimin e partisë nga një fiasko e mundshme në zgjedhje. Dyshimet u vërtetuan kur filluan negociatat për formimin e koalicionit me LVV-dhe ajo u defaktorizua nga po ata që e nominuan. Atëherë u pa se sa i shtirur është respekti për gruan dhe barazia gjinore në LDK.

Është pak e besueshme që Osmani nuk e ka pritur margjinalizimin e tillë në rast humbjeje, sepse ajo i njeh shumë mirë, siç i ka quajtur edhe vetë, hienat politike të partisë së vet. Por sakrifica personale për një të mirë më të madhe e ka emrin grua. Andaj, ajo ka rrezikuar karrierën me besimin që të shpëtojë partinë ku është rritur politikisht, por edhe me shpresën se do të mund të bëhej kryeministrja e parë e Kosovës dhe së bashku me Kurtin të sjellin energji të re dhe ndryshime pozitive në qeverisje.

Nga distanca kohore dhe zhvillimet e paszgjedhjeve tani kuptohet më mirë ecja e saj si nëpër teh thike gjatë fushatës zgjedhore. E gjendur nën presionet e treshes së burrave “të fortë” të partisë, ajo nuk jepte premtime të mëdha elektorale dhe shpesh rrëshqiste edhe në populizëm dhe patetizëm.

gjithë lënien e saj në hije dhe dështimin tash për tash të arritjes së një marrëveshjeje për qeverisje mes LVV-së dhe LDK-së - që do të mund t’i siguronte Vjosa Osmanit një post të lartë në vendimmarrje - ajo e ka menaxhuar mjaft mirë situatën në të cilën ndodhet, duke u përmbajtur nga deklaratat publike. Bagazhi i saj intelektual dhe politik ia ruan ende simpatinë e elektoratit. Një dorë ndihme ia ka dhënë edhe Kurti, i cili e ka trajtuar vazhdimisht me respektin e një bashkëpunëtoreje të denjë. Zyrtarë të VV-së kanë thënë se për ta Osmani është e pranueshme edhe për postin e presidentit, për të cilin Mustafa po insiston aq fort dhe që u bë shkak i dështimit të arritjes së koalicionit. Por nëse vendi sërish shkon në zgjedhje, Osmani do të duhej ta rishqyrtonte pozicionimin e saj politik nëse nuk dëshiron që të “digjet” përfundimisht nga të fortit e partisë, të cilët në çfarëdo rrethane mbrojnë vetëm interesin personal e jo të LDK-së apo të shtetit të Kosovës.

* * *

Me gjithë ndryshimet në rritje të përfaqësimit politik të grave në botë, Raporti 2020 i Hendekut Gjinor i Forumit Botëror Ekonomik i publikuar së fundi nuk lë vend për gëzim rreth përmirësimit të shpejtë të barazisë mes gjinive. Sipas këtij raporti, as ne, as shumica e fëmijëve tanë nuk do të mund ta përjetojmë ndonjëherë barazinë e plotë gjinore.

Hendeku midis burrave dhe grave, i matur në aspektin e ndikimit politik, përfitimit ekonomik, shëndetësisë dhe arsimit, është ngushtuar gjatë vitit të kaluar, por do të duhet edhe një shekull tjetër për t'u zhdukur.

Raporti parashikon se do të duhen edhe 99.5 vjet që gratë të jenë në pozitë të barabartë politike me burrat. Vitin e kaluar parashikimi ka qenë për 107.5 vjet.

Sipas raportit, gratë janë duke mbyllur hendekun gjinor në fushat si: politika, shëndetësia dhe arsimi. Por pabarazia gjinore po përkeqësohet në vendet e punës, pavarësisht kërkesave në rritje për trajtim të barabartë. Po sipas raportit, gratë në të gjithë botën fitojnë mesatarisht 40 për qind më pak se burrat, për punë të ngjashme në pozita të ngjashme.

Përfaqësimi më i lartë gjinor në nivelin qendror të qeverisjes është fusha, ku sipas indeksit 2020 duhet të fokusohen politikëbërësit. Pa përfaqësimin e gjysmës së popullatës në politikën nacionale dhe lokale nuk do të mund të ketë progres as në fushat e tjera.

Në nivelin qendror të qeverisjes gratë kosovare janë përfaqësuar vazhdimisht në numër simbolik. Në qeverinë tashmë në detyrë të kryeministrit Haradinaj janë vetëm dy ministre dhe tri ish-zëvendësministre.

Njësoj është edhe në përfaqësimin gjinor në nivelin lokal. Aktualisht nga 38 komunat në Kosovë, të gjithë kryetarët janë burra dhe nga 38 udhëheqës të asambleve komunale vetëm 6 janë gra.

Nëse arrin ta formojë qeverinë, Albin Kurti ka premtuar përfaqësim prej 30 për qind të grave në pozita të larta, të ministreve dhe zëvendësministreve, një standard të cilin ka thënë se duhet të përmirësohet në të ardhmen, duke synuar që të jetë 50 me 50 për qind, ashtu siç është edhe përbërja e shoqërisë kosovare. Përmbushja e këtij premtimi do të ishte një shans i mirë për gratë që kanë ambicie dhe synojnë të ngrihen në politikë.

Pabesia që iu bë Vjosa Osmanit nuk do të duhej t’i dekurajonte, por t’iu shërbente atyre si mësim në politikëbërje dhe si model se si nuk duhet dorëzuar para presioneve e grackave të bashkëpartiakëve me mentalitet të mykur e patriarkal.

Nëse ndonjëherë ligështohen dhe dyshojnë në aftësitë e veta le ta rikujtojnë deklaratën frymëzuese të ish-presidentit amerikan, Barack Obama: “Gratë janë lidere më të mira se ne burrat. Nëse për dy vjet çdo komb në Tokë do të udhëhiqej nga gratë, do të shihnit përparim të konsiderueshëm në të gjithë botën, në pothuajse çdo gjë”.

Gëzuar për një Kosovë me barazi më pak të rrejshme!

valbona@koha.net