OpEd

2018, viti i reformave të thella në procesin e modernizimit të administratës publike

Ky vit do të jetë vit i hapave të mëdhenj në fushën e Administratës Publike. Këtë vit shpresoj se Kuvendi i Republikës së Kosovës do të miratojë Ligjin për Pagat, Ligjin për Shërbimin Civil dhe Ligjin për Organizimin e Administratës Publike. Këto tri iniciativa të rëndësishme legjislative do të adresojnë sfidat kryesore për Administratën tonë Publike, do të krijojnë një bazë të shëndoshë legjislative për aspiratat tona për një shtet modern dhe evropian, dhe do të krijojnë një mjedis të përshtatshëm për Qeverinë që t'u përgjigjet në mënyrë efektive çështjeve më urgjente për shoqërinë tonë.

Para disa dite, SIGMA (Mbështetje për Përmirësimin e Qeverisjes dhe Menaxhimit) një iniciativë e përbashkët e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) dhe Bashkimit Evropian, ka publikuar Raportin e Monitorimit të Administratës Publike për vitin 2017 për Kosovën. Vlerësimi i Kosovës është realizuar në përputhje me parimet e SIGMA-s, që janë zhvilluar për të mbështetur Komisionin Evropian në fushën e reformës së Administratës Publike në procesin e Zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE). Këto parime përcaktojnë se çfarë qeverisja e mirë nënkupton në praktikë, dhe përshkruajnë kërkesat kryesore që duhet ndjekur nga çdo vend që aspiron anëtarësimin në BE.

Raporti i Monitorimit i vitit 2017 nga SIGMA për Kosovën ofron një pasqyrë gjithëpërfshirëse të progresit dhe sfidave të vendit tonë në lidhje me mbulimin e gjashtë fushave kyç të reformës së Administratës Publike: korniza strategjike për reformën e administratës publike, zhvillimin e politikave dhe koordinimin, shërbimin publik dhe zhvillimin e burimeve njerëzore, llogaridhënien, ofrimin e shërbimeve dhe menaxhimit financiar publik, duke përfshirë prokurimin publik dhe auditimin e jashtëm.

Krahasuar me vendet e rajonit dhe vitet e mëparshme, Kosova ka shënuar progres dhe në disa parime të SIGMA-s, qëndrojmë më mirë se mesatarja e vendeve të rajonit.

Vlerësimi është se kemi një kuadër strategjik të shëndoshë që mbulon të gjitha parimet e SIGMA-s për Administratën Publike, duke përfshirë këtu Strategjinë e Modernizimit të Administratës Publike, Strategjinë e Reformës së Menaxhimit të Financave Publike 2016-2020, Strategjinë për Përmirësimin e Planifikimit të Politikave dhe Koordinimin me Kosovën dhe Strategjinë e Rregullimit më të Mirë.

Modernizimi i Administratës Publike në Kosovë, transformimi dhe avancimi i saj, është një investim në demokraci dhe ekonomi, në përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët tanë dhe në afrimin e shtetit tonë më pranë Bashkimit Evropian, që është interesi më i lartë shtetëror yni.

Sa i përket fushës së zhvillimit të politikave dhe koordinimit, përderisa në disa prej parimeve qëndrojmë më mirë se mesatarja e rajonit në Raportin e SIGMA 2017, si për shembull në përmbushjen e funksioneve kritike nga institucionet qendrore qeverisëse, ne jemi nën mesataren e rajonit për përmbushjen e funksioneve të integrimit evropian nga institucionet e qendrore. Duhet t'i shtojmë përpjekjet tona përmes diskutimit të ndërsjellë për të identifikuar mënyrën më të mirë se si Qeveria e Kosovës mund të ndihmojë në mbështetjen e koordinimit më të mirë të planifikimit të asistencës së BE-së, që nevojitet për të mbështetur zbatimin e politikave të miratuara dhe koordinimin e procesit të harmonizimit me acquist legjislacionin sekondar.

Rekomandimet kryesore për të përmirësuar gjendjen në Administratën Publike janë:

Vazhdimi i punës për krijimin e një organizimi më racional dhe më efikas të administratës publike, me më pak agjenci të vogla qeveritare dhe linja më të qarta të përgjegjësisë, kërkon angazhim politik të nivelit të lartë për të pasur sukses;

Përfundimi i projektligjeve që rregullojnë shërbimin civil, pagat e sektorit publik, organizimin e Administratës Publike dhe drejtësinë administrative, është veprim kritik, dhe duhet të bëhet në mënyrë koherente që mbron cilësinë e legjislacionit dhe mundëson përmirësime të nevojshme në këto fusha;

Përmirësimi i politikave dhe ligjeve mbi kontrollin e brendshëm dhe prokurimin publik duhet të përkthehet edhe në ndryshime në praktik që nënkupton të ketë menaxhim financiar më efikas nga administrata. Zbatimi efektiv i strategjive të miratuara është çelësi i suksesit dhe

Cilësia e planifikimit të politikave duhet të rritet më tej për të siguruar zbatimin e prioriteteve të Qeverisë. Nevojitet planifikim më real dhe një përputhje më e mirë midis planeve.

Krahas këtyre rekomandimeve ne gjithashtu duhet të punojmë më shumë për të rritur qasjen publikut përmes Gazetës Zyrtare të legjislacionit sekondar dhe të përmirësojmë konsultimet publike dhe ndërministrore mbi procesin e hartimit të politikave publike. Në këtë kontekst është po aq e rëndësishme që të përmirësojmë mënyrën se si komentojmë, kontribuojmë dhe kontrollojmë në mënyrë përmbajtjesore propozimet tona për politika. Ne duhet të vazhdojmë me trendin pozitiv, të mos bartjes së strategjive sektoriale nga një vit në tjetrin.

Sa u përket Shërbimeve Publike dhe Menaxhimit të Burimeve Njerëzore, është mirë që raporti i SIGMA-s njeh progresin substancial lidhur me procesin e klasifikimit të vendeve të punës në institucionet qeveritare. Siç thekson edhe raporti, ne aktualisht kemi rreth 80% të pozitave të nëpunësve civilë, të harmonizuara me Katalogun e Punës dhe të klasifikuara në përputhje me rregulloren në fuqi.

Duhet edhe të përmirësojmë mënyrën dhe procesin e rekrutimit të nëpunësve civilë dhe të adresojmë problemet që kemi me profilet e punës në mënyrë që të aplikojmë standarde adekuate dhe koherente në të gjithë sistemin. Legjislacioni i ardhshëm për Shërbimin Civil dhe Organizimin e Administratës Publike, si dhe legjislacioni dytësor që do të pasojë, do të forcojnë edhe më tej mbrojtjen nga ndikimet e panevojshme politike të nëpunësve të lartë civilë. Përveç kësaj, legjislacioni i ri do të trajtojë problemet në dallimet në paga për pozita të ngjashme në administratën publike. Ne po diskutojmë për opsionet më të mira për të zgjidhur edhe problemin me buxhetin e Institutit të Kosovës për Administratën Publike (IKAP), për sa i përket sistemit të trajnimit për nëpunësit civilë, në përputhje me rekomandimin e SIGMA-s.

Në kuadër të Planit të Veprimit për Zbatimin e Strategjisë për Modernizimin e Administratës Publike ne kemi planifikuar zbatimin e aplikimit online në procesin e rekrutimit të nëpunësve civilë, integrimin e të dhënave personale të punësimit të nëpunësve civilë në Sistemin e Informacionit dhe Menaxhimit të Burimeve Njerëzore (SIMBDNJ).

Ministria e Administratës Publike është në fazën përmbyllëse të zhvillimit të platformës së Interoperabilitetit, e cila po zbatohet nga Microsoft dhe është financuar nga Qeveria e Kosovës. Kjo është një sipërmarrje gjithëpërfshirëse dhe shumë e rëndësishme për Qeverinë e Kosovës për dy arsye kryesore: së pari platforma do të mundësojë sistemet dhe platformat e ndryshme të institucioneve publike të komunikojnë dhe shkëmbejnë informacione ndërmjet tyre dhe kjo është qenësore për shumë fusha, përfshirë këtu edhe sundimin e ligjit, dhe së dyti pa një ndërlidhje midis platformave dhe sistemeve të brendshme të institucioneve publike e kemi të pamundur të digjitalizojmë shërbimet publike për qytetarët.

Ne kemi planifikuar identifikimin e shërbimeve publike të nevojshme që do të ofrohen online dhe funksionalizimin e portalit E-Kosova që të transformohet nga një platformë e ofrimit të informacionit në një platformë të ofrimit të shërbimeve për qytetarët. Ne planifikojmë t’i integrojmë deri në 40 sisteme në platformën e interoperabilitetit (ndërveprimit) deri në vitin 2020 dhe të ndërtojmë pika të vetme të kontaktit për shërbimet publike.

Përveç kësaj, Ministria e Administratës Publike, në muajin e fundit ka rienergjizuar përpjekjet për të hapur të dhënat qeveritare. Muajt e fundit kemi publikuar 30 grupe të ndryshme të të dhënave që ofrojnë informata për shërbimin civil të Kosovës nga viti 2012 deri në vitin 2016, respektivisht numrin, arsimin, përkatësinë etnike dhe gjininë.

Ne kemi filluar procesin e inventarizimit të të dhënave në Qeverinë e Kosovës dhe stafi i Agjencisë për Shoqëri të Informacionit, i mbështetur nga ekspertët përkatës, ka mbajtur takime me stafin përgjegjës në të gjitha ministritë e Qeverisë së Kosovës. Ne gjithashtu kemi një draftraport të Vlerësimit të Gatishmërisë për Hapjen e të Dhënave, i cili u zbatua duke ndjekur metodologjinë e Bankës Botërore. Ne do të konsultohemi me shoqërinë civile, komunitetin e biznesit dhe palët e tjera të interesit para finalizimit të raportit ODRA dhe miratimin e saj së bashku me një planveprimi për të Dhënat e Hapura. Ligji i ri për qasje në informacion dhe dokumente publike gjithashtu do të krijojë për herë të parë në Kosovë kuadrin e nevojshëm ligjor në Kosovë për të dhënat e hapura.

Lidhur me Menaxhimin e Financave Publike, Raporti i SIGMA-s vëren se kuadri ligjor për prokurimin publik është kryesisht në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian (BE), mirëpo kemi probleme me zbatimin e rregullave të prokurimit publik, dhe sfida kryesore ka të bëjë me planifikimin e dobët dhe përdorimin e tepruar të kriterit të çmimit më të ulët. Raporti i SIGMA-s vëren se pothuajse 99% e të gjitha procedurave të prokurimit publik zbatohen sipas këtij kriteri. Shkalla e harmonizimit midis strukturave buxhetore dhe strukturave organizative është në nivel të lartë në krahasim me vendet e rajonit.

Sa u përket kontrollit të brendshëm dhe auditimit ne jemi brenda mesatares së rajonit në lidhje me përshtatshmërinë e kuadrit operacional për kontrollin e brendshëm, mirëpo performanca jonë është mbi mesataren e rajonit në lidhje me funksionimin e kontrollit të brendshëm.

Kur flasim për Administratën Publike shpesh harrojmë se Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që duhej të ndërtonte gjithë Administratën Publike nga e para, dhe ky është një kontekst i rëndësishëm që duhet të kemi parasysh, sepse besoj se kemi arritur shumë së bashku.

Gjatë këtij viti Kosovën e presin vendime të rëndësishme në fushën e reformës shtetërore. Këto vendime do të përmirësojnë qasjen dhe cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarit dhe njëherësh do ta afrojnë vendin me Bashkimin Evropian.

(Autori është ministër i Ministrisë së Administratës Publike)