Misionari që i mungon Kosovës

Valbona Mehmeti Valbona Mehmeti 05 May 2019 08:20

“Revolucionet, jo kur është vështirë, por kur fillojnë reformat”, është fjalia që profesor Fehmi Agani e kishte shkruar me stilolaps, me ngjyrë të kaltër, në një copëz letre të verdhë. Letra me fjalinë e shkruar më 6 nëntor 1997 është gjetur në librin në gjuhën serbe “Sukob ili Dijalog” (Konflikt apo dialog), që trajton konfliktin e vjetër shqiptaro-serb. Në të njëjtin libër, profesori kishte lënë edhe një copëz tjetër letre me shënimin “Mosdija, jo si pasive, si mungesë e dijes, por trajtë aktive, si antidije”.

Dy dorëshkrimet si edhe shumë të tjera tani ruhen në një sirtar të tavolinës së punës, të cilën familja Agani në vitin 2001 ia ka dhuruar Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, së bashku me bibliotekën e tij personale. Në raftet me xhama është vetëm një pjesë nga 2075 librat që e përbëjnë legatën e Fehmi Aganit.

Mbi tavolinën, që vitet ia kanë humbur ngjyrën origjinale, qëndron një “Statujë e lirisë” e bronztë, një mbajtëse lapsash, një hapëse zarfesh, një llambë e verdhë që ende funksionon. Të gjitha të radhitura ashtu si i ka mbajtur gjithmonë profesori. Aty është edhe një orë rrumbullake e ndalur. Pesë e njëzet e pesë, shënon koha e ndaljes.

Në murin bri tavolinës, në një dollap me kapakë xhami, shihen fotografi të Fehmi Aganit nga aktiviteti i tij akademik, humanist e politik. Në njërën ai shihet afër Anton Çettës te “Verrat e Llukës”, në takimin historik të pajtimit të gjaqeve. Të tjerat janë portrete të tij apo foto të shkrepura nga takimet e rëndësishme vendore dhe ndërkombëtare ku vendosej fati i Kosovës, pjesë e pashmangshme e të cilave ishte Agani.

Në një reportazh të botuar në gazetë, në vitin 2013, për bibliotekën e Aganit, që ndodhet në katin e dytë të bibliotekës në Sektorin e Bibliotekave të Veçanta, citohej edhe një dorëshkrim tjetër i profesorit i shkruar imët dhe me stilolaps të zi:

“Që nga fillimi i bombardimeve është parë fare mirë se lufta e NATO-s me Serbinë për Kosovën ishte paramenduar që të hyjë në historinë e luftërave si një risi e dyfishtë. Së pari do të ishte lufta e parë, e cila u fitua pa asnjë viktimë. Së dyti duhej të ishte lufta e parë që u fitua nga ajri, domethënë pa angazhimin e trupave tokësore në luftime dhe përderisa qëllimi i parë u arrit, lufta u fitua pa humbur asnjë luftëtar të NATO-s”.

Në mbarim të letrës që nuk ka datë shkrimi, Agani pyeste se ku i mbetën Pavkoviqit (Nebojsha Pavkoviq ishte komandant i Armatës së tretë të Ushtrisë Jugosllave) së paku 150 mijë ushtarët me të cilët ai i kërcënohej NATO-s në kohën kur ajo nuk e kishte ndërmend të sulmonte me trupa tokësore.

“Ndoshta nuk i dolën pikërisht 150 mijë, ndoshta këta 150 mijë iu dukën tepër të paktë ndaj atyre alamet 50 mijë trimave e ndoshta në ndërkohë zbulohet se 150 mijë janë tepër të disponuar të vjedhin, e fare pak apo aspak për të luftuar”.

Konstatimet e Aganit supozohet të jenë shkruar në prill apo në fillim të majit 1999, kur ende vazhdonte fushata ajrore e NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë. Parashikimet e tij dolën të sakta.

NATO-ja e fitoi luftën nga ajri pa e humbur asnjë ushtar dhe pa e përdorur këmbësorinë. Forcat e Pavkoviqit u larguan nga Kosova me plaçkën e luftës, duke lënë pas vetes vrasje, masakra, shkatërrime.

Profesor Agani nuk e përjetoi largimin e tyre. Forcat e shtetit të Pavkoviqit u kujdesën që para ikjes ta shuajnë mizorisht filozofin, politikanin dhe patriotin e madh.

Një muaj para përfundimit të luftës, më 6 maj 1999, Agani u vra nga policia serbe në hyrje të Lipjanit. Sipas dëshmitarit të krimit, ai ishte ekzekutuar nën një urë dhe vrasja e tij ishte përcjellë edhe me të shtëna në ajër nga një duzinë policësh. Kishin arsye për të festuar. Kishin vrarë kokën e ndritur të Kosovës.

***

Nga të gjithë të intervistuarit për temën kryesore të këtij edicioni të gazetës kushtuar jetës dhe veprës së tij, Fehmi Agani përshkruhet si intelektual me dije të thellë, njeri i urtë, i matur, bashkëpunues dhe vizionar. Virtytet e tij të larta dhe aftësia për të afruar pikëpamjet dhe kundërshtitë edhe në situatat më të vështira, si në raport me përfaqësuesit e regjimit serb ashtu edhe ndërmjet politikanëve shqiptarë, ia japin atij epitetin e negociatorit më të mirë që ka pasur Kosova ndonjëherë.

Ishin pikërisht angazhimi dhe kontributi i tij i madh në hapjen e rrugës së lirisë dhe pavarësisë së Kosovës që e vuri atë në listën e intelektualëve të shquar që Serbia kishte bërë plan t’i eliminonte si hakmarrje për bombat e NATO-s. Vetë lansimi i lajmit të rrejshëm për vrasjen e tij që në fillim të fushatës ajrore të aleancës ushtarake dëshmonte se Serbia e konsideronte intelektual dhe politikan të rëndësisë së madhe për Kosovën.

"Unë misionin tem e kryva!”, kishte përsëritur vazhdimisht Agani pas kthimit nga negociatat në Konferencën në Rambouillet të Francës, i bindur se fundi i Serbisë në Kosovë ishte afër. Sado që e konsideronte të përfunduar misionin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, Agani edhe në ditët kur kërkohej koka e tij nga Serbia mendonte se si mund të jepte ende kontribut në unifikimin e faktorit politik shqiptar.

Vendimi i tij për të lëshuar Kosovën në fillim të majit, kur Kosova po përjetonte golgotën e vrasjeve dhe dëbimit masiv nuk kishte motiv vetëm shpëtimin e jetës së vet. Insistonte që të dalë në Maqedoni e prej aty të shkonte në Tiranë, sepse konsideronte se mund të ndalte thellimin e përçarjes me krahun e luftës pas lirimit të ish-kryetarit Ibrahim Rugova, i cili mbahej peng nga Milosheviqi. “Shiko, Rugovën e kanë lëshuar me dredhi. ...Tash kur krejt bota e pa që e përdhunova politikisht, tash merreni kryetarin e juaj të përdhunuar. Dhe, këtë e ka bërë për të nxitur kacafytje në mesin e shqiptarëve, natyrisht që krahu i luftës kur ta shohë këtë punë, tash çmendet dhe më duhet të shkoj në Tiranë për t’u munduar që t’i qetësoj”, i kishte thënë djalit të tij, Mentorit. Por misioni i tij pajtues mbeti i papërfunduar. Në një fotografi të ekspozuar në bibliotekë shihet Rugova i përkulur në gjunjë para varrit të Aganit.

Njëzet vjet pas luftës dhe ekzekutimit pa gjyq nga forcat policore serbe, Kosova ka shumë nevojë për një negociator dhe pajtimtar si Fehmi Agani.

Politikanët e krahut të luftës që sundojnë Kosovën që nga paslufta me fjalorin dhe sjelljet prej rrugaçësh degraduan jo vetëm vlerat njerëzore, por edhe trashëgiminë politike dhe negociuese që kishte Kosova në raport me Serbinë deri në mbërritjen e lirisë. Ata janë bërë sinonim i thënies së Aganit “Mosdija, jo si pasive, si mungesë e dijes, por trajtë aktive, si antidije”.Të uritur për pasurim dhe duke vënë në radhë të parë interesin dhe egon personale, ata që sot negociojnë pa plan e pa ide me Serbinë rrezikojnë edhe zhbërjen e shtetit dhe pavarësinë e Kosovës.

***

Restauruesja e librave në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u befasua kur të enjten i kërkova të ma hapte derën e mbyllur me çelës të dhomës ku ruhet legata e Fehmi Aganit. Doja ta shihja nga afër këndin e punës dhe trashëgiminë intelektuale të figurës emblematike të lëvizjes kombëtare për liri e pavarësi. “Rrallëkush vjen enkas të vizitojë muzeun e tij. Vetëm kur vijnë individë apo grupe vizitorësh që duan të shohin çdo pjesë të bibliotekës hyjnë edhe në bibliotekën e Aganit”, më tha ajo.

Vlerat e rrejshme të proklamuara nga politikanë sharlatanë sot kanë lënë në hije legatën e pasur politike dhe akademike të Fehmi Aganit dhe personaliteteve të tjera si ai. Por, patjetër se do të vijë dita kur vlerat e mirëfillta që përfaqësonin ata do të marrin vendin e merituar në kujtesën kolektive. Sepse vepra dhe sakrifica e tyre ishte një gur i fortë në themelin e pavarësisë së Kosovës.

valbona@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Valbona Mehmeti