Mini-parlamentet

Valbona Mehmeti Valbona Mehmeti 07 April 2019 08:38

Secila parti politike që ka ardhur në pushtet, ka vendosur një gur në ndërtimin e mendësisë kolektive se në institucionet publike të Kosovës mund të punësohesh vetëm nëpërmjet korrupsionit, përkatësisë partiake dhe nepotizmit. Këtë mendësi e vulosi përfundimisht Qeveria aktuale.

Para se të dalë nga shtëpia në mëngjes N.N., e shikon edhe një herë veten në pasqyrë. Pasi sigurohet se gjithçka është në rregull me pamjen e tij, hipën në veturë dhe niset drejt objektit shumëkatësh në qendër të kryeqytetit, ku do të kalojë një pjesë të ditës. Në një letër që quhet kontratë i shkruan se aty e ka vendin e punës.

Gjersa nget veturën në trafikun e dendur të mëngjesit, ai nuk e ka presionin se mund të marrë ndonjë vërejtje apo edhe t’i hiqet ndonjë shumë parash nga paga për vonesën në “punë”. Sepse atë s’ka kush ta dënojë apo t’i kërkojë llogari.

shumë nervozohet se mund ta humbasë seancën e radhës së debatit me kafe në mini-parlamentin e një departamenti të kompanisë publike të quajtur - Telekom.

N.N. ligjërisht nuk është deputet. Ai është anëtar partie dhe subjekti i tij e ka punësuar në Telekom që t’ia mbrojë “denjësisht” interesat e saj në mini-parlament. Aktualisht partia e tij e ka shumicën aty. Prandaj N.N. ndihet komod dhe superior ndaj kolegëve, të cilët partitë e tyre i kanë punësuar para shumë vjetësh në Telekom.

Nëpër departamentet e Telekomit pushteti mbahet me rotacion. Varësisht se cila parti udhëheq Qeverinë e Kosovës, ndërrohen apo edhe shtohen menaxherët e departamenteve. Detyra e vetme e këtyre menaxherëve është që të shtojnë numrin e “deputetëve” të partive të tyre në mini-parlament. Pasi u sigurojnë vend militantëve dhe përkrahësve të zëshëm të fushatës zgjedhore të partisë, kalojnë tek familjet e tyre dhe të shefave të partive. Mbledhin aty bija, teze, dajë, kushërinj, kunata. Dhe të gjithë së bashku “diskutojnë” vizionin e Telekomit të Kosovës që "të jetë forcë shtytëse në rritjen e prosperitetit të kombit dhe pasurimit të jetës së të gjithë kosovarëve”.

dallim nga seancat e Kuvendit të Kosovës, në mini-parlament nuk ka as tensione, as sharje e akuza. Aty zhvillohet debat i relaksuar. Tallen me partinë e tjetrit, komentojnë deklaratat e liderëve dhe shprehin “brenga” për situatën politike. Se mos i ngut dikush të kryejnë ndonjë punë apo u kërkon eprori llogari! Ata e dinë se nuk kanë shkuar aty të shprehin aftësitë profesionale apo të fitojnë pagën me djersë. Shumë sish nuk kanë as përgatitje profesionale, as përvojë për të kryer ndonjë punë në Telekom. Punët u mbetën barrë profesionistëve të paktë që kanë ndërgjegje dhe e çmojnë vendin e punës.

Pasi i përfundojnë debatet rreth çështjeve të rëndësishme për partinë dhe kombin, “deputetët” shpërndahen nëpër zyra që të luajnë ndonjë lojë në kompjuter ose të dalin në qytet që të kryejnë obligime private. Mjafton që janë lajmëruar në punë. Filani e filania e partisë tjetër shpesh nuk vijnë fare në punë dhe rroga u ecën. Dhe jo vetëm rroga. Edhe aksionet. Madje, edhe ata që partia i ka sjellë masivisht dy-tre muaj më parë, e kanë siguruar vendin në listën e 20-përqindëshit që do ta marrin posa kompania e rrëzbitur nga zhvatja të privatizohet.

Badihavxhinjtë e rinj të Telekomit nuk kanë as pse të frikësohen se mund ta humbasin punën e as që prokuroria të mundë të hetojë punësimin e tyre të paligjshëm. Ata po i mbron fort menaxhmenti, që sikurse ata i ka sjellë aty partia ose lidhjet farefisnore. Prandaj, menaxhmenti nuk po ia dorëzon Komisionit Hetimor Parlamentar kontratat e dyshimta të Telekomit, si dhe dokumentacionin e të punësuarve në këtë institucion. Sepse, sipas tyre, kontratat e punëtorëve duhet të jenë konfidenciale. Thuajse ata na qenkan punëtorë të inteligjencës apo të sektorëve të ndjeshëm për sigurinë kombëtare.

Mini-parlamente si në Telekom ekzistojnë edhe në ndërmarrjet e tjera publike, nëpër ministri e agjenci të pavarura shtetërore.

Punësimet familjare dhe partiake ka vite që kanë lëshuar rrënjë nëpër institucione. Zyrtarët e shtetit zakonisht arsyetohen se i punësojnë shërbyesit civilë në bazë të konkurseve të shpallura dhe se kandidatët i kanë plotësuar kriteret e kërkuara. Por, tashmë edhe një analfabet e di se sa janë perfeksionuar institucionet edhe në dallaveret me konkurset. I “qepin” dhe i përshtatin për persona të caktuar, shpikin pozita pa qenë fare në struktura organizative ose shpesh i ndryshojnë edhe strukturat organizative për t’ua përshtatur pozitave të shpallura. Dhe në fund pason presioni mbi punëtorët e administratës për t’i mbuluar me letra dallaveret e tyre.

Aq larg kanë shkuar dallaveret institucionale të procesit të punësimit, sidomos në pozita udhëheqëse, saqë ia kanë dalë disa herë ta “mashtrojnë” edhe Ambasadën Britanike, e cila po përpiqet t’i ndihmojë institucionet që emërimet dhe punësimet të bëhen vetëm në bazë të meritës, e jo sipas praktikave të etabluara të rekrutimeve sipas lidhjeve familjare dhe partiake.

Projekti i Ambasadës Britanike vështirë mund të ketë ndonjë rezultat në një vend ku vetë kryeministri e konsideron të ligjshëm punësimin masiv dhe emërimin në pozita udhëheqëse të anëtarëve të partisë së tij. Apo ku nepotizmi shfaqet haptas edhe në ekipin negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë.

Secila parti politike që ka ardhur në pushtet ka vendosur një gur në ndërtimin e mendësisë kolektive se në institucionet publike të Kosovës mund të punësohesh vetëm nëpërmjet korrupsionit, përkatësisë partiake dhe nepotizmit. Këtë mendësi e vulosi përfundimisht Qeveria aktuale. Ua shoi shpresat të rinjve se ndoshta në një të ardhme të afërme mund të punësohen ose të avancohen në profesion sipas meritokracisë. Na bindi se mini-parlamentet do të ekzistojnë edhe një kohë të gjatë në institucionet tona. Dhe se vendi do të vazhdojë të udhëhiqet nga politikanë që para interesit të shtetit kanë interesin familjar dhe partiak.

valbona@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Valbona Mehmeti