OpEd

Rrëfimet që sot dhembin më shumë

Askush nuk e dinte se çfarë po e priste, derisa Serbia po hakmerrej. Por të gjithë ishin të bindur se Kosova do të ngrihej, duke e vlerësuar çmimin e lirisë. Rrëfimet sot dhembin më shumë. Kosovën po e zhvatin dhe po e copëtojnë të vetët

Secili nga ne ka një rrëfim. Për një periudhë u patëm bërë të mërzitshëm duke ia treguar njëri-tjetrit. Dikur qe një pauzë. Një përpjekje për ta tejkaluar të shkuarën, nxitur nga shpresa për të ardhmen. Rikthimi te rrëfimet sot është më i dhimbshëm.

Nuk do t’ua tregoj rrëfimin tim. Veç do të them se gëzimi i 24 marsit të vitit 1999 pati qenë i jashtëzakonshëm. Meqë gazeta në gjuhën angleze “KD Times” nuk do të shtypej, sepse misionet ndërkombëtare e patën braktisur Kosovën, patëm dalë në redaksi për të bërë gati lajme për “Arta”. Ka qenë kjo platforma online e “Kohës”, që informonte krahas “Kohës Ditore" e “KD Times”. Pasi kryem punë, Mimoza dhe unë ecëm në të njëjtin drejtim për të shkuar në shtëpi. Nuk më kujtohet muhabeti, por më kujtohet ndjenja. Po kryhej një mënyrë jetese e po niste një tjetër. Më e mirë. Besonim më e mira e mundshme. Përplot njerëz që mezi prisnin ta kenë Kosovën të lirë. Përplot shtete të fuqishme që po na shtynin përpara. Ishte pasdite. Atë natë do të ndërhynte NATO-ja.

***

Dielli kishte lindur nga perëndimi në Kosovë, natën e 24 marsit të dy dekadave më parë. Kjo është fjalia e parë e tekstit të Besnikut “Goditja historike”, që botohet në “Koha Ditore”, më 24 mars 2019. Nipi i Sheqirit nga Gllanasella ka rikujtuar në këtë tekst fjalët e natës së para njëzet vjetëve të gjyshit: “Bomba e parë ra. Zhig tjetër nuk kam në këtë jetë”. Sheqiri është njëri nga 10 mijë njerëzit që forcat serbe i kanë vrarë gjatë 78 ditëve sa zgjatën bombardimet e NATO-s. Mimoza dhe unë jemi dy nga më shumë se gjysmë milioni njerëz që forcat serbe i dëbuan nga shtëpitë gjatë kësaj periudhe. Besniku është nga ata që janë endur nëpër male e shtëpi të ndryshme në kërkim të një vendi më të sigurt brenda Kosovës. Secili ka rrëfimin e vet. Sot ai është më i dhimbshëm. Edhe shifrat sot dhembin më shumë.

***

Drita po përpiqej të paraqitej sa më denjësisht në tendën e OSBE-së në kampin Stenkovec. Po intervistonim refugjatët nga Kosova. Storiet e tyre do t’i procesonim si dëshmi për Tribunalin e Hagës. Drita s’kishte nevojë të shtonte as të hiqte asgjë nga vetja. Ishte një grua e re, e këndshme dhe me karakter të fortë. Derisa fliste, të binte në sy lëkura e saj e zbehtë rreth qafës, andej kah nuk kishte arritur ta shpërndante sherkun. Kampi ishte krejt i përlloçur, por ajo as në dukje as në qëndrim, e as kur fliste nuk donte të nxiste dhembshuri. Kishte pak ditë që kishte ardhur në kamp. U përpoqëm që t’ia mundësonim që sa më parë të shkonte në ndonjë vend perëndimor. Pas disa ditësh në tendë gjeta një parfum. Dritën s’e pashë më. Shpresoj që sot është nënë e lumtur e shumë fëmijëve. Atë e kishin sjellë në kamp nga spitali i Tetovës. Aty ia kishin nxjerrë vajzën që i ishte vrarë në bark. Një polic serb e kishte goditur atë me kondakun e pushkës. Kishte qenë në muajin e nëntë. Vajzën e mbështjellë në çarçaf të bardhë e kishin fotografuar në spital e ia kishin dhënë fotografitë. Kondaku e kishte goditur në kokë. Kishte qenë kjo shtatzënia e saj e parë. Drita e Mimoza janë dy nga dhjetëra e mijëra shqiptarët e Kosovës që gjatë bombardimeve shkuan në Perëndim. Secila ka rrëfimin e vet. Largimi i njerëzve të hairit nga Kosova sot dhemb më shumë.

***

Besniku e ka pasur një tekst para disa muajsh për Panciqin – pikën më strategjike të vëzhgimit në Ballkan, që ndodhet brenda territorit të Kosovës. Është vetëm qindra metra larg kufirit me Serbinë dhe kjo ka bërë që ta nisë mësymjen për ta përvetësuar, kurdo që bëhet demarkimi ndërmjet të dyja vendeve. Është maja e bjeshkës së Kopaunikut, që arrin lartësinë mbidetare 2017 metra dhe mundëson vëzhgimin në drejtim të Lindjes së Mesme dhe të Mesdheut. Ka qenë pika kryesore e vëzhgimit në të gjithë ish-Jugosllavinë dhe qendra ushtarake telekomunikuese. Drita e parë që ka gëzuar Sheqirin dhe shqiptarët e tjerë në Kosovë para dy dekadash ka ardhur nga shpërthimi i Panciqit. Rëndësinë strategjike të kësaj pike e ka ditur NATO-ja, e di Serbia, por jo edhe Kosova. Rrëfime ka edhe për territoret.

***

Amerika e Britania, Gjermania e Italia kanë qenë me një anë. Në tjetrën ka qenë Rusia. Para 20 vjetësh dhe edhe tani. Por sot diçka dallon dhe ajo gjendet në Kosovë, madje edhe në Shqipëri. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që një president i Kosovës të jetë në një linjë me atë të Rusisë. Se aleati i Serbisë kërkon ndryshim kufijsh është e kuptueshme. Janë në pyetje Panciqi dhe i gjithë veriu, pse jo edhe enklavat në jug. Por është e pakapshme ta shohësh presidentin e Kosovës e edhe Qeverinë e Shqipërisë duke përkrahur lëvizjen e kufijve. Për më tepër deklaratat se bëhet fjalë për aneksim të një pjese të Luginës, janë nënçmuese për inteligjencën e atyre që u drejtohet. Edhe presidenti ka rrëfimin e vet.

***

Derisa po ecja kah shtëpia, me Mimozën, ndieja gëzim. Sheqiri ishte gëzuar që po përjetonte bombardimin. Dritën e kishte gëzuar ideja që fëmija i saj i parë do të rritej i lirë. Askush nuk e dinte se çfarë po e priste, derisa Serbia po hakmerrej. Por të gjithë ishin të bindur se Kosova do të ngrihej, duke e vlerësuar çmimin e lirisë. Rrëfimet sot dhembin më shumë. Kosovën po e zhvatin dhe po e copëtojnë të vetët.

brikenda@koha.net