Tokio 2020

Suspendohet xhudisti algjerian pasi refuzoi të përballet me garuesin e Izraelit

Xhudisti algjerian, Fethi Nourine, ka hequr dorë nga gara në Lojërat Olimpike për të shmangur përballjen me garuesin e Izraelit.

Nourine është dashur të garojë në kategorinë deri 73 kilogramë, por ka thënë se përkrahja e tij politike ndaj Palestinës e ka bërë të pamundur që të garojë ndaj Tohar Butbul.

“Kemi punuar shumë për të siguruar Lojërat Olimpike dhe njoftimi ishte shokues”, ka thënë algjeriani për televizionin shtetëror. Ai ka theksuar se vendimi është përfundimtar dhe se “ai nuk do të përlyej duart”.

30-vjeçari të dielën është dashur të përballet fillimisht me Mohamed Abdalrasool të Sudanit. Me fitore ai do të duhej të përballej me Butbulin.

Nuk është hera e parë që ai heq dorë nga gara për të shmangur përballje me garues nga Izraeli. Në Botërorin 2019 ishte tërhequr për arsye të njëjtë.

“Nuk kishim fat në short. Kemi pasur një kundërshtar të mundshëm nga Izraeli dhe për këtë është dashur të tërhiqemi. Ne kemi marrë vendimin e duhur”, ka thënë trajneri i Nourine, Amar Ben Yaklif.

Nuk ka vonuar vendimi i IJF-së, Federatës Ndërkombëtare të Xhudos. Ende pa nisur gara e xhudos në Lojërat Olimpike, IJF-ja ka pezulluar përkohësisht xhudistin dhe trajnerin e tij. Rastin e ka dërguar në Komisionin Disiplinor.Sipas IJF-së, Komiteti Olimpik i Algjerisë ka anuluar akreditimin e xhudistit dhe trajnerit të tij dhe planifikon t’i kthej ata në shtëpi.

IJF-ja ka vlerësuar se deklaratat e Nourine dhe trajnerit të tij janë në kundërshti me filozofinë e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos.

Edhe sportistë nga vende tjera kanë refuzuar në të kaluarën të përballen me sportistë nga Izraeli.