Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Xhudisti algjerian suspendohet për 10 vjet pasi u tërhoq nga Lojërat Olimpike për të shmangur përballjen me izraelitin

Algjeriani Fethi Nourine dhe trajneri i tij janë suspenduar për dhjetë vjet nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos pasi i tërhoqen nga Lojërat Olimpike të Tokios për të shmangur përballjen eventuale me një xhudist nga Izraeli.

30-vjeçari është dashur të përballet me Mohamed Abdalrasool të Sudanit në luftën e parë në kategorinë deri 73 kilogramë. Me fitore ai do të përballje me Tohar Butbul të Izraelit në raundin tjetër.

Nourine tha se përkrahja e tij politike ndaj kauzës palestineze e ka bërë të pamundur që të garoj ndaj Butbulit.

Komiteti Olimpik i Algjerisë anuloi akreditimin për Nourine dhe trajnerin e tij, Amar Benikhlef dhe i ktheu në shtëpi nga Tokio ata.

IJF-ja, që pezulloi përkohësisht Nourinen dhe Benikhlefin, ka thënë se dyshja ka shfrytëzuar Lojrat “si platformë për të protestuar dhe për të promovuar propagandë politike apo religjioze”, që është në kundërshti me kodin e etikës së IJF-së dhe kartën olimpike.

Ata e kanë të ndaluar të paraqiten në të gjitha ngjarjet dhe aktivitetet e IJF-së deri më 23 korrik të vitit 2031. Vendimin mund ta apelojnë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.