Falë një finishi të jashtëzakonshëm, atletja që përfaqëson Holandën, Sifan Hassan, e ka fituar medaljen e artë olimpike në 10 mijë metra vrapim. Të shtunën në Stadiumin Olimpik në Tokio, Hassan fitoi me rezultat 29:55.32 minuta.
Kalikdan Gezahegne e Bahrejnit fitoi medaljen e argjendë me kohë 29:56.18 minuta. Ndërkohë medaljen e bronztë e fitoi Letesenbet Gidey e Etiopisë. Ajo kishte kohë prej 30:01.72 minuta. Gidey mban rekordin botëror (29.01.03 minuta) dhe ka udhëhequr gjatë tërë garës. Por në xhiron e fundit, Hassan e tejkaloi Gideyn, ndërsa njëjtë veproi edhe Gezahegne.
Në xhiron e fundit sprinti i Sifan Hassan ishte impresiv dhe ajo nuk dukej që ka vrapuar plot 10 mijë metra. Falë sprintit impresiv në 400 metrat e fundit, Hasan fitoi të artën.
28-vjeçarja është e lindur në Etiopi, ndërsa është larguar nga ky vend në vitin 2008 si refugjate. Është vendosur në Holandë ku edhe nisi vrapimin.
Ajo ka fituar të artën edhe në 5000 metra në Tokio 2020, ndërsa e ka edhe një të bronztë në 1500 metra.
Edhe
Hassan fiton të artën olimpike në 5000 metra
Gara në 10 mijë metra vrapim ishte shumë e vështirë, e zhvilluar në temperaturë të lartë. Shumë prej vrapueseve janë dorëzuar, duke mos arritur në cak. Herët është shkëputur treshja që në fund zuri vendet e para.
Arritja e Hassan vlerësohet e jashtëzakonshme, marrë për bazë temperaturën që ishte në Tokio. Ajo ka kompletuar gjashtë gara gjatë tetë ditëve në Tokio.