Tokio 2020

Rusi Soloveychik: Ekipi fantastik i Kosovës le të vazhdojë të ëndërrojë gjëra të mëdha

Presidenti i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, ka publikuar të mërkurën urimet që ka marrë nga drejtuesit e dy asociacioneve më të mëdha të xhudos me rastin e suksesit të Distria Krasniqit dhe Nora Gjakovës.

Kryetarin e FXHK-së, Kuka, e kanë uruar Marius Vizer, president i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos dhe presidenti i Unionit Evropian të Xhudos, rusi Sergey Soloveychik. Kuka ka raporte të shkëlqyeshme me të dy presidentët, që e çmojnë tashmë xhudon kosovare.

Nuk mund të jetë ndryshe kur Kosova i ka tri medalje të arta olimpike, ndërsa të enjten synon tjetër medalje me Loriana Kukën. Soloveychik ka thënë se është i nderuar që uron presidentin Kuka, ekipin e Federatës së Xhudos së Kosovës dhe gjithë xhudistët e Kosovës dhe Evropës për medaljet e arta olimpike të Distrisë dhe Norës.

“Medalja e Distrisë ishte e para medalje e artë olimpike për EJU-në në këto lojëra speciale. Ajo së bashku me Norën kanë hyrë në histori sërish duke shkuar gjurmëve të Majlindës në mënyrë perfekte. Titulli më i lakmuar, ai olimpik, është rezultat i përkuështimit të vërtetë, shumë vjetëve të punës së madhe dhe përkrahjes së federatës suaj. Distria dhe Nora do të mbesin një tjetër shembull inspirimi nga Kosova për gjeneratat e ardhshme. Uroj që ato të jenë të lumtura dhe të forta drejt synimeve të reja në jetë. Uroj po ashtu që ekipi i juaj i vogël dhe fantastik të vazhdojë të ëndërrojë për gjëra të mëdha”, shkruan në letren e Sergey Soloveychik.

Ndërkohë Vizer ka dërguar dy urime të njëjta për FXHK-në dhe xhudistet kampione. Paraqitjen e Distrisë e Norës i ka vlerësuar të jashtëzakonshme, ndërsa atyre u ka dëshiruar edhe shumë suksese tjera. Ndërkohë i pari i xhudos kosovare, i ka falënderuar dy presidentët e asociacioneve ndërkombëtare për urimet e bëra.