Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tokio 2020

Rapinoe dërgon SHBA-në në gjysmëfinale

Kur Megan Rapinoe shkoi për ta ekzekutuar penalltinë, mundohej që të jetë sa më e qetë në atë moment. Ajo penallti doli të jetë e fitores.

Rapinoe e konvertoi në gol penalltinë vendimtare, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës avancuan në gjysmëfinale të Olimpiadës në konkurrencën e femrave në futboll, pas fitores 4:2 në ekzekutimin e penalltive. SHBA-ja mposhti Holandën të premten, ndërsa koha e rregullt përfundoi 2:2.

Portieria e SHBA-së, Alyssa Naeher e ndali gjuajtjen e Vivianne Miedema që gjuajti e para, më pas e priti edhe gjuajtjen e Aniek Nouwen, para se Rapinoe ta fitonte ndeshjen.

Miedema shënoi dy gola në kohën e rregullt për Holandën, dhe tani ka 10 gola në këtë garë sivjet, që është rekord Olimpik.

Ajo realizoi në minutën e 18-të, por amerikanet barazuan me Sam Mewis pas asistimit të Lynn Williams në minutën e 28-të. Williams më pas i dha avantazhin amerikaneve në minutën e 31-të.

Miedema, që po luante për herën e 100 për Holandën, vulosi sërish barazpeshë në minutën e 54, 2:2.

Naeher e ndali penalltinë e Lieke Martensit në minutën e 81-të, dhe loja shkoi në vazhdime.

SHBA-ja do të ballafaqohet me Kanadanë në Kashima të hënën. Kanadezet avancuan në gjysmëfinale pas fitores 4:3 në penallti kundër Brazilit në Rifu, pasi koha e rregullt kishte përfunduar pa gola.

Ishte hera e pestë për amerikanet që shkojnë në penallti në një ngjarje të madhe. Hera e fundit ishte në Olimpiadën e Rios në vitin 2016, kur u eliminuan nga Suedia.

Artikuj të ngjashëm