(AP) – Megan Rapinoe dëshironte tjetër përfundim të Botërorit për futbolliste. Edhe pse me përfundim zhgënjyes, ajo është mirënjohëse për karrierën e gjatë e të suksesshme me Përfaqësuesen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Karriera e Rapinoes në Botëror përfundoi të dielën në 1/8 e finales, kur SHBA-ja u eliminua nga Suedia në penallti, pas barazimit pa gola në kohën e rregullt dhe vazhdime.
38-vjeçarja njoftoi muajin e kaluar se ky do të jetë turneu i fundit i saj.
“Dëshiroja që të vazhdonim dhe ta sigurojmë kampionatin”, tha ajo. “Por nuk varet gjithçka nga eksperienca ime, apo nga karriera ime në përgjithësi. Ndihem me fat dhe shumë e lumtur që kam luajtur kaq gjatë dhe kam arritur gjithë këto suksese”.
E njohur për ngjyra të ndryshme të flokëve, Rapinoe shpërtheu në lot teksa u fliste gazetarëve pas ndeshjes. Ajo e humbi penalltinë, njësoj siç bënë bashkëlojtaret e saj, Kelley O’Hara dhe Sophia Smith.
Edhe
FIFA paraqet dhjetë përfaqësueset që synojnë të kthehen në skenën më të madhe
“Jam e gatshme në shumë mënyra për përfundimin”, tha ajo. “Ndihem në paqe me këtë. Është dëshpëruese, por jam mirë”.
Në këtë Kupë të Botës, Rapinoe e kishte rolin më shumë si rezerviste. Ajo u paraqit për herën e 200-të me skuadrën si zëvendësuese në fitoren 3:0 kundër Vietnamit në hapje të turneut. Po ashtu, ishte zëvendësuese në ndeshjen e fundit të fazës grupore kundër Portugalisë, në barazimin dëshpërues pa gola.
Pas humbjes nga Suedia, kapitenia Lindsey Horan dhe mbrojtësja Julie Ertz ishin prej futbollisteve që e përqafuan Rapinoen në fushë.
“I thashë se e dua”, tha Horan.
“Ka qenë një rrugëtim me të”, u shpreh Ertz. “Ajo ka qenë lojtare e jashtëzakonshme për gjithë këtë kohë. Vetëm doja të sigurohesha që ajo ta dinte këtë”.
Ishte eliminimi më i hershëm i skuadrës amerikane nga Botërori i futbollit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë fituar dy turnetë e fundit dhe katër trofe në total, më shumë se çdo shtet tjetër. SHBA-ja asnjëherë nuk ka përfunduar më poshtë se vendi i tretë.
Në Kupën e Botës 2019 në Francë, Rapinoe shënoi gjashtë gola, përfshirë një penallti në fitoren 2:0 kundër Holandës në finale. Ajo shtoi edhe tri asistime dhe e mori çmimin “Këpuca e Artë” dhe “Topi i Artë” për lojtaren më të mirë.
Edhe
Martinez mund t’i japë fund karrierës ndërkombëtare
Poza e saj fituese me duart e hapura, u bënë imazh në rrugëtimin e SHBA-së.
Rapinoe po ashtu e udhëhoqi luftën e gjatë për pagesa të barabarta me futbollistët e Përfaqësueses së SHBA-së. Të dyja përfaqësueset firmosën kontrata me Federatën e Futbollit të SHBA-së në vitin e kaluar që të kenë të njëjtat paga dhe që shpërblimi financiar nga turnetë të ndahet në mënyrë të barabartë.
Si një avokate e ashpër për drejtësi sociale, përfshirë edhe barazinë gjinore dhe të drejtat e LGBTQ-së, ajo është nderuar me çmimin më të lartë civil të vendit, me Medalje Presidenciale të Lirisë, nga Presidenti Joe Biden, vitin e kaluar.
Pasi iu bashkua përfaqësueses në vitin 2006, Rapinoe e mbyll karrierën me SHBA-në me dy tituj të Botës dhe një medalje të artë olimpike. Ajo po ashtu e ka fituar “Topin e Artë” dhe çmimin e “Futbollistes më të mirë nga FIFA” – që janë nderimet më të mëdha individuale – për lojën e saj në vitin 2019.
“Nuk mendoj se ka mjaftueshëm fjalë për Meganin dhe ndikimin e saj në sport”, ka thënë sulmuesja Lynn Williams. “Nga barazia, të drejtat njerëzore dhe lista vazhdon. Do të jetë goditje paksa të mos e shohësh atë në këtë skuadër duke e mbajtur fanellën me këtë stemë. Mezi pres që ta shoh se çfarë do të bëjë ajo në jetën tjetër, në karrierën e radhës”.
Në Botërorin e saj të fundit, Rapinoe ishte më e moshuara në skuadrën ku ishin 14 lojtare që paraqiteshin për herë të parë në turne. Njësoj si ish-bashkëlojtaret Abby Wambach dhe Carli Lloyd, ajo tani do të lirojë vendin për gjeneratën e re.
Rapinoe nuk e ka mbyllur karrierën si lojtare. Ajo ka thënë se do të luajë në gjithë sezonin me OL Reign në ligën NWSL. Ajo mund t’u thotë lamtumirë tifozëve pas disa ndeshjeve në SHBA.
Edhe
Gola, teknologji dhe pushime për freskim: Si do ta kujtojmë Kupën e Botës
Por pjesëmarrja e saj në turne ka përfunduar. Në 202 paraqitje me SHBA-në ajo ka shënuar 63 gola.
“Ndihem me të vërtetë krenare, shumë krenare për këtë skuadër, shumë krenare për lojtaret me të cilat kam luajtur. E kam dashur çdo moment të karrierës sime”, tha ajo. “Do të më mungojë shumë, por po ashtu e kam ndjesinë se kjo është koha e duhur. Dhe kjo është në rregull”.