Tokio 2020

Protestat e ndaluara prej kohësh të sportistëve priten në Lojërat Olimpike

Aktivizmi i sportistëve po rikthehet në këto Lojëra Olimpike.

Kur gara fillon në Lojërat e Tokios të mërkurën, aktet e shprehjes së lirë të sportistëve, që ishin ndaluar prej kohësh të bëheshin në Lojërat Olimpike, pritet të jenë në qendër të vëmendjes. Ekipi britanik i futbollit të femrave ka premtuar të ulet në njërin gju para fillimit të duelit ndaj Kilit, në ndeshjen hapëse të turneut olimpik që do të luhet në Sapporo, për të treguar mbështetjen për drejtësinë racore.

“Ne duam t'u tregojmë të gjithëve se kjo është diçka serioze”, tha mbrojtësja e Britanisë, Demi Stokes. “Skena olimpike është mënyra ideale për ta bërë atë veprim”.

Një orë më vonë në Tokio, SHBA-ja dhe Suedia duhet të ndjekin këtë gjest të njohur globalisht që nga vrasja e amerikanit George Floyd, 14 muaj më parë.

Ekipet e meshkujve të Anglisë dhe Italisë nuk hezituan për t’u ulur në njërin gju para ndeshjes finale të “Euro 2020”, që u luajt këtë muaj në Londër. Ajo që është e zakonshme në futbollin modern fillon një epokë të re për sportistët olimpikë pas më shumë se 50 vjetësh, pasi grushti i ngritur lart me dorëza të zeza i sprinterëve amerikanë Tommie Smith dhe John Carlos në Meksiko City i bëri ata ikona në mbarë botën. Akoma është një liri e kufizuar e lejuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC), i cili vetëm këtë muaj lehtësoi ndalimin e tij të gjatë për protestën e sportistëve brenda arenave të ngjarjeve të Lojërave Olimpike. Ndryshimi pasoi dy rishikime në 18 muaj nga vetë komisioni i sportistëve të IOC-së, i cili ishte kundër këtij lehtësimi. Veprimet tani lejohen para se të fillojnë garat dhe ndeshjet.

Podiumet e medaljeve nuk do të lejojnë asnjë lloj proteste dhe tashmë IOC-ja ka paralajmëruar organin drejtues të çdo sporti për ta mbajtur këtë ndalesë.

Avokatët që studiojnë rregullin 50 të Kartës Olimpike - që ndalon çdo lloj “demonstrate ose propagandë politike, fetare ose racore” - shohin çështjet përpara me sportistët dhe IOC-në duke shkuar në një rrugë të shpejtë drejt Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS).

“Unë mendoj se ne mund të presim qartë disa fërkime rreth rregullit 50 në javët e ardhshme”, tha njohësi i ligjit të sportit Antoine Duval, kur organizoi një debat të fundit mbi protestat e pashmangshme të sportistëve në Tokio.

FIFA ka pasur një qasje me të butë sa i përket uljes në njërin gju para ndeshjeve të futbollit, qëkur futbollistët u frymëzuan nga lëvizja “Black Lives Matter” vitin e kaluar.

“FIFA beson në lirinë e fjalës dhe mendimit, dhe kjo vlen për lojtarët, trajnerët, zyrtarët dhe çdo person tjetër ose organizatë brenda fushës së veprimtarive të FIFA-s”, tha organi botëror i futbollit në një deklaratë.

Kështu që pritet të ketë ngritje të grushteve të paktën pak para startit të garave të atletikës, që fillojnë më 30 korrik në stadiumin kryesor olimpik. Presidenti i Federatës Botërore të Atletikës, Sebastian Coe, që ka fituar dy medalje të arta olimpike në 1.500 metra, ka shkuar edhe më tej. Ai vuri në lojë ceremonitë e medaljeve, ku protesta mohohet siç ishte për Smithin dhe Carlosin në vitin 1968.

“Unë kam qenë shumë i qartë se nëse një atlet zgjedh të ulet në njërin gju në podium, atëherë unë jam mbështetës i kësaj”, tha Coe.

Futbolli dhe atletika janë fundi progresiv i 33 organeve drejtuese të sporteve në këto Lojëra Verore.

Paraqitjet para garës së notarëve janë të ngjashme me ato të atletëve në shteg, një nga një drejt bllokut të tyre fillestar. Por organi drejtues i notit, FINA ndoqi njoftimin e IOC-së duke refuzuar të lejojë ndonjë gjest që mund të shihet si protestë.

Presidenti i FINA-s, Husain al-Musallam, foli për këtë dhe tha se asnjë prej notarëve nuk mund të veprojë sipas qejfit të tij, por duhet të respektojë ndalesën për të mos protestuar. Ky qëndrim ishte në kundërshtim me udhëzimin e ri të rregullit 50, por ende u mbrojt nga presidenti i IOC-së, Thomas Bach.

“Në të vërtetë nuk ka një zgjidhje dhe kjo u përshtatet të gjithëve”, tha Bach kur u pyet në lidhje me kontradiktën e dukshme të disa sportistëve olimpikë që kishin më pak liri sesa të tjerët në Tokio.

IOC-së do t'i takojë të vendosë për çështjet e mundshme disiplinore, të cilat premtoi t'i trajtojë “në transparencë të plotë”. Kjo mund të çojë në mospërputhje, sipas Mark Jamesit, i cili ligjëron për ligjin e sportit në Universitetin Metropolitan të Manchesterit në Angli.

“Do të ketë pika të ndezjes”, tha James në debatin e rregullit 50. “Nuk e kuptoj se për çfarë arsyeje disa gjeste janë të pranueshme, e disa janë shkelje?”.

James parashikoi çështje mbi qëllimin politik të flamujve dhe tha se nëse qasja është më e hapur ndaj fjalës së lirë të sportistëve në Tokio, atëherë kjo lëvizje do të mbijetonte në Kinë në Lojërat Dimërore të Pekinit në vitin 2022. Ajo që duket e qartë është një zhvendosje në epokën e mediave sociale të ndikimit të sportistëve mbi organizatorët e ngjarjeve dhe organet sportive.

“Nuk është vetëm një sfidë e IOC-së, ky është sport global”, tha David Grevemberg nga Qendra për Sport dhe të Drejta të Njeriut me bazë në Gjenevë. “Ky është në të vërtetë, do të thosha, një udhëkryq për të gjitha sportet”.