Londër, 31 korrik (AP) – Futbollistët dhe trajnerët do të përballen me dënime më të rrepta për sjellje të këqija në ndeshjet e edicionit 2023/24 të futbollit anglez. Është paralajmëruar një ndryshim i madh që inkurajon gjyqtarët të tregojnë kartonin e verdhë kur dy ose më shumë lojtarë përballen me ta. Masat janë pjesë e një rregulloreje të re të fuqizuar të hënën nga autoritetet e futbollit të Anglisë, ndërsa kërkohet të rregullohet mënyra se si sillen futbollistët me arbitrat.
Si pjesë e rregullores, zyrtarët e ndeshjeve janë autorizuar të ndërmarrin veprime më të ashpra kundër sjelljeve të papranueshme dhe do të mbështeten nga masa më të forta disiplinore nga Federata e Futbollit të Anglisë. Futbollistët që ndëshkohen dhe përsëritin veprimin, do të përballen me dënime financiare të larta, ndërsa arbitrat do të inkurajohen të veçojnë një lojtar për ta ndëshkuar me karton të verdhë nëse rrethohen nga dy ose më shumë futbollistë nga i njëjti ekip.
Pritet që kapitenët të marrin përgjegjësi për shokët e tyre duke i inkurajuar ata të luajnë me korrektësi dhe të tregojnë respekt ndaj zyrtarëve të ndeshjes dhe vendimeve të tyre.
Edicionin e kaluar, trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, u dënua dy herë me përjashtim për abuzim verbal me zyrtarët. Sulmuesi i Fulhamit, Aleksandar Mitroviq mori një suspendim me tetë ndeshje për shtyrjen e një arbitri. Autoritetet do të dënojnë ekipet me marrjen e pikëve për raste serioze ose të përsëritura të sjelljes së keqe nga lojtarët ose trajnerët.
Jashtë fushës, klubet e Premier Leagues dhe Ligës Angleze të Futbollit do të kërkojnë sanksione më të rënda kundër kujtdo që do të zbulohet se është i përfshirë në abuzime, përfshirë këtu edhe brohoritjet e tifozëve nga tribunat. Klubet gjithashtu do të vazhdojnë përpjekjet për të vendosur sanksione ndaj “pushtuesve” të fushës, përdorimit të mjeteve piroteknike, atyre që sjellin drogë në ndeshje dhe atyre që përfshihen në abuzime diskriminuese në tribuna dhe në internet.
“Futbolli ka fuqinë për të bashkuar dhe frymëzuar të gjithë ata që luajnë dhe e shikojnë lojën. Megjithatë, ndonjëherë, loja mund të ndikohet negativisht nga një pakicë e vogël lojtarësh, trajnerësh dhe tifozësh”, tha shefi ekzekutiv i Federates angleze, Mark Bullingham. “Qasja jonë kolektive është të përmirësojmë sjelljet në fushë dhe jashtë fushës, duke u dhënë gjyqtarëve tanë respektin dhe mbrojtjen që ata e meritojnë”.
Federata lëshoi më shumë se 20 gjoba për klubet e Premier Leagues edicionin e kaluar për abuzim ndaj zyrtarëve të ndeshjeve ose konfrontime masive. Gjobat e kaluan shifrën e 1 milion funteve. Protokollet për edicionin e ardhshëm specifikojnë se trajneri duhet të marrë pjesë në konferencë para ndeshjes, ndërsa “lojtarët dhe zyrtarët e ekipit që nuk janë të shënuar në fletën e ekipit nuk duhet të hyjnë në zonën teknike”.
Gjithashtu lojtarët “nuk duhet të nxisin ose përshkallëzojnë konfrontim masiv me lojtarët kundërshtarë”. Zyrtarëve të ndeshjes po u jepet fuqia “të kenë qasje të fortë” dhe “të shpërndajnë kartonë të verdhë dhe të kuq kur sjellja bie nën standardet e pritura”. Incidentet duhet të raportohen në federatë dhe ajo “do të zbatojë masa disiplinore më të forta plotësuese” aty ku është e nevojshme.
“Ne duam që lojtarët, trajnerët dhe tifozët të vazhdojnë të tregojnë pasionin e tyre, por këto masa të reja janë futur për të siguruar që kufiri të mos kalohet kur bëhet fjalë për sjelljen në fushë dhe në zonën teknike”, shtoi Bullingham.
Edicioni 2023/24 në Premier League fillon më 11 gusht, me ndeshjen ndërmjet Burnleyt dhe Manchester Cityt.