Në ceremoninë mbyllëse të Tokio 2020, flamuri olimpik është dorëzuar nga e para e Tokios, Yuriko Koike, tek e para e qytetit të Parisit, Anne Hidalgo.
Deri te lojërat e ardhshme olimpike, që mbahen në Paris në vitin 2024, kanë mbetur edhe afro tre vjet, por tashmë nuk është herët për t’u entuziazmuar për gjërat që na presin në Olimpiadën e 33-të.
Sajti zyrtar i Lojërave Olimpike ka përzgjedhur pesë gjëra që duhet t’i dimë për Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.
Një shekull nga Lojërat “Parisi 1924”
Në vitin 2024, Parisi do të bëhet vetëm qyteti i dytë që organizon Lojërat Olimpike Verore tri herë. Këtë e ka bërë Londra tashmë, që ka organizuar Lojërat në vitet 1908, 1984 dhe 2012.
Qyteti i Dritave së pari ka organizuar Lojërat në vitin 1900, katër vjet pasi ngjarja shumësportëshe kishte filluar në Athinë. Nuk kishte ceremoni hapëse e mbyllëse në vitin 1900, ku garueset morën pjesë për herë të parë. Për herë të parë ishin edhe disa ngjarje sportive, si noti nën ujë e kriketi.
Parisi organizoi Lojërat Verore sërish në vitin 2024, duke u bërë qyteti i parë që i organizoi për herë të dytë. Ceremonia hapëse ishte mbajtur më 5 korrik, por disa ngjarje kishin nisur që më 4 maj. Ndërsa ceremonia mbyllëse ishte mbajtur më 27 korrik.
100 vjet më vonë, më 26 korrik 2024, Parisi zyrtarisht do t’i presë sportistët nga e gjithë bota për herë të tretë. Në Francë, Lojërat Olimpike mbahen për herë të gjashtë. Në këtë vend janë mbajtur tri edicione të Lojërave Olimpike Dimërore: Chamonix 1924, Grenoble 1968 dhe Albertville 1992.
Debutimi olimpik i sportit “breaking”
Programi olimpik për “Parisi 2024” përfshin 32 sporte dhe 306 ngjarje. Sporti “breaking” debuton në programin olimpik.
“Breaking” është formë garuese e “breakdancing”, një stili sportiv të vallëzimit në rrugë. “Breaking” përfshin lëvizje të ndryshme me këmbë dhe lëvizje atletike si rrotullimet në shpinë apo në kokë.
Sportistët vlerësohen në bazë të shumë kritereve gjatë paraqitjes së tyre. Kriteret përfshijnë aftësitë teknike, kreativitetin, stilin, shpejtësinë, forcën, ritmin dhe agjilitetin.
“Breaking” ishte ngjarje shumëpopullore në Lojërat Olimpike për të Rinj në Buenos Aires në vitin 2019 dhe në dhjetor të vitit të kaluar zyrtarisht është përfshirë në programin olimpik për “Parisi 2024”, së bashku me surfingun, skatebordingun dhe ngjitjen, që debutoi në Tokio 2020.
Surfimi në Tahiti
Tahiti, ishulli më i madh në Polinezinë Franceze, do t’i organizojë garat e surfimit në “Parisi 2024”. Tahiti është zgjedhur para katër vendeve potenciale në brendi të Francës. Kur gara të nisë në vitin 2024, 15 mijë e 700 kilometra larg Parisit, do të vendoset rekord për garën që mbahet më së largu nga qyteti organizativ.
Në vitin 1956, për Lojërat e Melburnit, garat e kalërimit ishin zhvendosur nga qyteti australian për shkak të rregullave të karantinimit. Ishin mbajtur pesë muaj më herët në Stokholm të Suedisë.
Federata Ndërkombëtare e Surfimit ka mbështetur vendimin për Tahitin. Presidenti i saj, Fernando Aguerre, ka thënë se zgjedhja e Tahitit si një vend olimpik është dëshmi e “Parisit 2024” si ngjarje e kreativitetit dhe inovacionit.
Emblema e Lojërave Olimpike dhe Paralimpike
Kur emblema e “Parisi 2024” u prezantua në vitin 2019, ishte një moment ikonik në historinë e Lojërave Olimpike dhe Lojërave Paralimpike. Për herë të parë e njëjta emblemë do të përdoret për të dy ngjarjet.
E përshkruar si fytyra e Lojërave, emblema paraqet tri simbole ikonike, medaljen e artë, flakën olimpike dhe Mariannen, simbolin e revolucionit dhe popullit francez.
Një maratonë për të gjithë
Në Paris do të mbahet për herë të parë një maratonë masive për vrapuesit amatorë. Kjo garë do të mbahet në të njëjtën ditë me garën e vërtetë të maratonës.
Maratona publike nuk do të fillojë në kohë të njëjtë me garën elitare, por vrapuesit do të vrapojnë në të njëjtin shteg dhe në kushte të njëjta me vrapuesit e ngjarjes olimpike.