Trajneri më i lumtur i basketbollit në botë aktualisht duhet të jetë Mike Budenholzer i skuadrës Milwaukee. Skuadra e tij është vetëm një fitore larg titullit në NBA.
Trajneri i dytë më i lumtur në botë duhet të jetë ai i SHBA-së, Gregg Popovich.
Popovich duhet të jetë shumë i lumtur marrë për bazë atë që basketbollistët Jrue Holiday, Khris Middleton dhe Devin Booker e kanë bërë në ndeshjen e pestë të serisë finale të plejofit, të shtunën mbrëma. Ata së bashku kanë shënuar 96 pikë. Kanë shfaqur formë të shkëlqyeshme, që është lajm shumë i mirë për ekipin e basketbollit të SHBA-së.
Ndeshja e gjashtë e finales është të martën në Milwaukee, ku Bucks mund ta fitojnë titullin e parë në 50 vjetët e fundit. Ndeshja e shtatë eventuale është të enjten në Phoenix. Dhe kur seria të përfundojë, Holiday, Middleton dhe Booker do të zëvendësojnë fanellat e tyre me ngjyrë të verdhë, të bardhë dhe të portokalltë me fanellën me ngjyrë të kuqe, të bardhë dhe të kaltër të SHBA-së për të luajtur në Lojëra Olimpike.
Ata të gjithë kanë premtuar maksimumin, ndonëse finalja do të jetë e sapopërfunduar dhe më pas i pret një udhëtim i gjatë. Amerikanët nuk kanë qenë në formën më të mirë në përgatitjet për Tokio 2020. Kanë bilanc prej një fitore e dy humbje në tri miqësoret e luajtura në Las Vegas.
Tani po bëhen disa ndryshime të domosdoshme në listë. Për shkak të virusit është larguar Bradley Beal, ndërsa për shkak të lëndimit nga ekipi është larguar edhe Kevin Love. Ata janë zëvendësuar nga Keldon Johnson dhe JaVale McGee.
Duket se SHBA-ja ka shumë nevojë për lojtarët si Holiday, Middleton dhe Booker, nëse dëshiron të jetë e suksesshme në Tokio.
Gjasat janë reale që amerikanët të mos kenë më shumë se një stërvitje me ekipin e kompletuar para se të nisin sulmin për medaljen e katërt të artë rresht. Ndeshjen e parë amerikanët e kanë të dielën e ardhshme në Tokio ndaj Francës.
Asnjëherë nuk ka qenë e lehtë për SHBA-në. Por, fakti se skuadra nuk do të jetë thuajse fare e kompletuar para se gjërat të bëhen serioze në Tokio, e bën dukshëm më të vështirë.
“I kam parë ndeshjet”, ka thënë Popovich disa ditë më parë kur është pyetur nëse po e përcjell finalen e NBA-së derisa ekipi i SHBA-së është i mbledhur në Las Vegas.
“Duhet të pranoj se kam përcjellë tre djelmosha më shumë se që kam parë skuadrat në përgjithësi. Unë vazhdoj t’i përcjell ata dhe shpresoj të mbesin të shëndetshëm. Dhe më pas ne të gjithë duhet të mendojmë se cila është mënyra më e mirë për të përfshirë ata në ekip. Nuk ka formulë për këtë”.
Ai nuk e ceku se për cilët lojtarë bëhet fjalë. Nuk kishte pse ta bënte këtë. Është e qartë.
Te përfaqësuesja e SHBA-së e kanë ditur se po rrezikojnë duke përfshirë në listë tre lojtarë që luajnë në finale. Por, nuk kishin zgjidhje marrë për bazë kohën në dispozicion. Lista përfundoi me tre, por ka mundur të ketë më shumë. Chris Paul ishte një mundësi, por ai në fund vendosi të mos luajë në Olimpiadë.
Aeroplani me ekipin olimpik, një pjesë të lojtarëve në fakt, niset nga Las Vegasi për në Tokio të hënën në mëngjes. Middleton, Holiday dhe Booker nuk do të jenë në atë fluturim. Do të jenë të angazhuar në punën e tyre primare. Ata do të udhëtojnë më vonë gjatë javës së ardhshme, ndaras.
Popovich natyrisht nuk është i lumtur për këtë. Por ai mund të jetë i lumtur me mënyrën se si kanë luajtur tre lojtarët, sidomos kur po vendosej ndeshja.
Middleton, që ka zgjedhur momentin e duhur për të luajtur basketbollin më të mirë, shënoi për tri pikë për të rritur epërsinë e Milwaukees kur kishin mbetur 2.23 minuta. Booker u përgjigj me shënim për Phoenix Suns. Më pas në skenë doli edhe Booker.
Popovich mban lidhje të fuqishme me Budenholzer e po ashtu me trajnerin e Phoenixit, Monty Williams.
Ai do të gëzohet për secilin trajner që fiton serinë dhe do të mbetet zemërthyer për humbësin. Por natyrisht do të pëlqente që seria të përfundojë të martën dhe kështu të ketë tre lojtarët nën urdhra.
“Ndeshjen e parë e kemi me Francën dhe nuk ka kohë për akomodim të tre lojtarëve. Nuk do të jetë që ata do të vijnë dhe do të kenë një javë kohë për përshtatje. Ata do të vijnë dhe do të luajnë”, ka thënë Popovich.
Edhe një trajner i suksesshëm si Popovich nuk është i sigurt se si do të funksionojë kjo. Por nëse Holiday, Middleton dhe Booker e sjellin formën e tyre në Tokio, në kampin amerikan mund të jenë të qetë.