Tokio 2020

Lojërat e Tokios mund të dërgojnë edhe më shumë lojtarë ndërkombëtarë në NBA

Kishte 49 lojtarë të NBA në Tokio kur filluan Lojërat Olimpike muajin e shkuar. Ndërsa, tani numri i tyre është rritur në 50 – për momentin. San Antonio arriti marrëveshje me qendrën e Australisë, Jock Landale, për një kontratë dyvjeçare të mërkurën - një ditë para se trajneri i Spursave, Gregg Popovich, përzgjedhësi i SHBA-së, të përballet me Landalen dhe australianët në gjysmëfinalen e turneut olimpik të basketbollit.

“Një nga lojtarët që punon shumë në lojën e tij sapo u përmirësua, derisa ishte i pashmangshëm”, shkroi në “Twitter” agjenti i Landale, Sammy Wloszczowski, pas marrëveshjes me San Antonion.

Landale duke shkuar te Spurs shton një fakt tjetër interesant në gjysmëfinalen mes SHBA-së e Australisë. Kryesori mund të jetë ky: Patty Mills, i cili ishte lojtari aktual që qëndroi më së gjati te San Antonio për trajnerin Popovich para se të binte dakord të nënshkruante me Brooklyn Nets këtë javë, është plejmejker dhe startues tek Australia.

“Tani për tani jam i fokusuar në Lojërat Olimpike”, insistoi Mills duke mos dashur ta bëjë publik vendimin e tij.

Qendra Landale nuk ishte një lojtar i panjohur për ekipet e NBA para Olimpiadës së Tokios.

Ai kishte qenë pjesë e ligës verore më parë dhe ishte përpjekur në të kaluarën për të hyrë në NBA, por paraqitja e tij në Olimpiadë e bëri të qartë se loja e tij do të përshtatej në SHBA. Ai në Tokio po luan me një saktësi prej 55 për qind në gjuajtje, duke u renditur i gjashti në turne sa i përket saktësisë. Ndërsa, Landale po tregohet efikas edhe në gjuajtjet për tri pikë, ndërsa sa u përket gjuajtjeve të lira, ai i ka shënuar 11 prej 12 tentimeve.

“Ka shumë lojtarë vërtet të mirë në Olimpiadë dhe gjithçka filloi në vitin 1992 me ekipin ‘Dream Team’ që u paraqit”, tha drejtori i ekipit të SHBA-së, Jerry Colangelo. “Për disa arsye, kjo e ekspozoi lojën tonë në një mënyrë që nuk ishte bërë kurrë më parë dhe lojtarët ndërkombëtarë filluan të ëndërrojnë vërtet për të arritur në NBA”.

Prej katër skuadrave gjysmëfinaliste dhe 48 lojtarëve të mbetur në turneun olimpik të basketbollit, 32 basketbollistë kanë lidhje me NBA: të gjithë të dymbëdhjetit nga lista e SHBA-së, tetë nga Australia, tetë nga Franca dhe katër nga Sllovenia.

“Në fund të fundit, kjo vetëm tregon se loja jonë po bëhet më ndërkombëtare", tha qendra amerikane Bam Adebayo.

Dhe, Landale mund të mos jetë lojtari i vetëm që do të transferohet në NBA nga Lojërat e Tokios. Ka shumë lojtarë të ekipeve të tjera të cilët me paraqitjet e tyre në Lojërat Olimpike kanë dëshmuar se janë gati për NBA. Është Nick Kay i Australisë, Andreas Obst i Gjermanisë, Ondrej Balvin i Çekisë dhe Simone Fontecchio nga Italia e Mike Tobey nga Sllovenia. Fontecchio bën karrierë në Spanjë, te Baskonia.

25-vjeçari kishte një mesatare prej 19.3 pikëve në katër ndeshjet e tij në Olimpiadë, duke i udhëhequr italianët deri në çerekfinale. Fontecchio ka flirtuar me NBA-në më parë dhe kishte një stërvitje me Bostonin para se të mos zgjidhej në draftin e vitit 2015. Mirëpo, ai nuk ka përjashtuar mundësinë e largimit nga Evropa.

“Unë thjesht mendoj se gjithçka ka të bëjë me mundësinë për të treguar potencialin tuaj. Tani për tani, unë jam i lumtur atje ku jam. Mirëpo, së ardhmes kurrë nuk i dihet”, pranoi ai.

Qendra e Sllovenisë ka lindur në New York, ka shkuar në shkollën e mesme në New Jersey, ka luajtur basketboll në kolegjin “Virginia” dhe ai ka dy ndeshje në NBA për Charlotten në vitin 2017. Tobey është lojtari me më së shumti kërcime në Lojërat e Tokios, me 12.5 sosh për ndeshje. Dhe ai në mënyrë të përsosur është edhe përshtatur me Luka Donçiqin për ta dërguar Slloveninë në gjysmëfinale.

“Me të vërtetë më pëlqen të luaj edhe në Evropë”, tha Tobey. “Unë luaj për një ekip të madh në Spanjë, Valencian, dhe më pëlqen shumë. Mirëpo, nëse më jepet mundësia për ta vazhduar karrierën në NBA, nuk do të hezitoj aspak”.